2012-11-12 16:23:36

Atë Lombardi për prirjet legjislative, që lejojnë martesa ndërmjet personave me të njëjtin seks: duhet “një babë, një nënë”!


Më 6 nëntor, zgjedhësit e Merilendit dhe të Majnit në SHBA-të, votuan me referendum në favor të martesës ndërmjet personave me të njëjtin seks. Në Minesota, referendumi nuk ka pasur sukses, ndërsa në Uashington, rezultatet nuk dihen akoma me siguri. Kisha Katolike reagon ashpër e kërkon përtëritjen e impenjimit për të forcuar e mbrojtur jetën martesore e familjare, pavarësisht se thirrjet e saj për të mos shkuar kundër natyrës, konsiderohen demodè nga shoqëria aktuale. Këto votime nuk janë zhvilluar vetëm në SHBA-të, siç sqaron në komentin e tij javor, kushtuar këtij argumenti, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Gjatë ditëve të fundit kanë ndodhur tre ngjarje shqetësuese përsa i përket legjislacionit mbi martesën. Në Spanjë, Gjykata Kushtetuese refuzoi një padi, që kundërshtonte ligjin aktual, i cili nuk i përmend aspak ndryshimet ndërmjet burrit e gruas, por flet thjesht për bashkëshortin A dhe B; gjendja pra, mbetet kështu siç është. Në Francë, qeveria paraqiti një projektligj për transformimin e martesës, në mënyrë që në të, të përfshihet edhe martesa homoseksuale. Në SHBA-të, disa referendume, mbajtur njëkohësisht me zgjedhjet presidenciale në shtete të ndryshme, për herë të parë, u shprehën në favor të martesave homoseksuale. Është pra e qartë, se në vendet perëndimore ka një prirje të përhapur për ta ndryshuar këndvështrimin klasik të martesës ndërmjet burrit e gruas, apo më mirë të themi, për ta braktisur këtë këndvështrim, duke hedhur poshtë njohjen ligjore të veçantë e të privilegjuar, që gëzonte kjo martesë në krahasim me format e tjera të bashkimit.
Nuk është ndonjë gjë e re. E kishim kuptuar qëkur. E megjithatë, kjo nuk resht së na çudituri. Sepse duhet të pyesim nëse përkon vërtet me ndjenjat e popujve e, nuk kuptohet cila është logjika e gjithë kësaj në perspektivën afatgjatë të së mirës së përbashkët. E nuk e thotë vetëm Kisha Katolike; e vuri në dukje me forcë – për shembull – Rabini i Madh i Francës në një dokument shumë të argumentuar. Në fakt, nuk është fjala për të shmangur diskriminime të padrejta ndaj homoseksualëve, pasi kjo duhet e mund të garantohet fare mirë në mënyra të tjera. Është fjala për të pranuar që dhëndërri e nusja duhet të njihen publikisht si të tillë dhe që fëmijët e ardhur në botë ta dinë e të mund të thonë se kanë një babë dhe një nënë. Pra, kemi të bëjmë me ruajtjen e botëkuptimit mbi njeriun dhe mbi marrëdhëniet njerëzore, për të cilat njohja publike e martesës monogamike ndërmjet një burri e një gruaje është fitore qytetërimi. Nëse s’është kështu, përse të mos lejojmë edhe poligaminë, nëse kjo zgjidhet lirisht e, natyrisht, për të mos diskriminuar, pse jo edhe poliandrinë? Prandaj, askush nuk duhet të presë që Kisha të mos i propozojë shoqërisë t’i njohë një vend të veçantë martesës ndërmjet një burri e një gruaje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.