E diel 11 nëntor, Kisha kremton të dielën 32-të gjatë vitit, e gjithnjë sot
më 11 nëntor, përkujtohet edhe festa e shën Martinit, ipeshkëv i Turit dhe shën Bartolomeut,
abat i Grotaferratës. Liturgjia e kësaj dite na kujton se kush jeton për Zotin, dhuron
gjithnjë me duar plot e nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.
Të hënën më 12
nëntor kalendari përkujton shën Jozafatin Kuncewicz, ipeshkëv e martir, shën Diegon,
laik françeskan. Liturgjia e ditës na kujton se nxënës i vërtetë i Krishtit nuk është
ai që e pret në mënyrë pasive kthimin e Zotit, por ai që bëhet shërbëtor i palodhur
i mbretërisë së qiellit.
Të martën më 13 nëntor, kalendari përkujton
shën Nikollën I papë e shën Agostina Pietrantonin, virgjër. Këta na kujtojnë se Jezusi
i jep tri porosi atij njeriu që dëshiron ta ndjekë pas: të mos largohet kurrë nga
Zoti, të falë e të lypë dhuratën e fesë. Besnikëria ndaj këtyre tri porosive sjell
fryte që nuk mund as të përfytyrohen.
Të mërkurën me 14 nëntor bie përkujtimi
i shën Serapionit, ipeshkëv i Aleksandrisë. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi
na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh
me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut
që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.
Të enjten me 15 nëntor
kalendari përkujton shën Albertin e madh, ipeshkëv e doktor i kishës, rregulltar domenikan
dhe shën Jozefin Pinjateli, meshtar jezuit. Figurat e tyre na kujtojnë se Jezusi shëroi
shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta i krishteri i vërtetë duhet ta pranojë
çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është
Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.
Të premten më 16
nëntor kalendari kishtar kujton shën Margeritën e Skocisë dhe shën Gjeltruden,
virgjër benediktine. Liturgjia e ditës duke folur për ngjarjet e tmerrshme që çuan
në shkatërrim Sodomën, na kujton se duhet të jemi gjithmonë gati për ardhjen e dytë
të Zotit.
Të shtunën më 17 nëntor kalendari kujton shën Elizabetën e
Hungarisë, terciare françeskane. E pra vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën,
do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës,
nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.
Të dielën e ardhshme më
18 nëntor do të kremtojë të dielën e 33-të gjatë vitit liturgjik, e gjithnjë më
18 nëntor kalendari kujton edhe përvjetorin e Shugurimit të Bazikës vatikanase (1626)
dhe të Bazilikës ostiense (1854). Kjo festë kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia,
janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet
t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë
drejt qiellit.