2012-11-10 12:19:49

Përpjekjet e Kishës në Siri për lirimin e të krishterëve të sekuestruar


Të mërkurën e kaluar, Papa Benedikti XVI bëri një thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund dhunës në Siri, e cila vazhdon tashmë prej kohësh e merr tipare gjithnjë e më të ashpra. Gjatë ditëve të kaluara janë marrë peng një grup prej dhjetë të krishterësh, të cilët udhëtonin me autobuz nga Halebi për në Bejrut. Në përpjekjen për lirimin e tyre, përfaqësues të Kishës Katolike deklaruan se nuk dihet kush i ka rrëmbyer, por gjithsesi, një meshtar i ri jezuit po mundohet t’i identifikojë e të hyjë në dialog me rrëmbyesit.
Plaga e sekuestrimeve ka shkaktuar deri tani, së paku 1.753 viktima, gati të gjithë civilë, por nuk është e vetmja në skenarin e konfliktit sirian. Kryeipeshkvi maronit i Halebit, imzot Jusef Anis Abi-Aad, e kalon kohën më të madhe të ditës në mesin e refugjatëve, duke ngushëlluar më nevojtarët, pa dallim feje. 450 vetë janë strehuar në dy shkolla të bashkësisë maronite e etërit jezuitë, në bashkëpunim me murgeshat françeskane, u japin të hanë 6 mijë vetëve në ditë.







All the contents on this site are copyrighted ©.