Delegacion ekumenik i Kishave në Athinë për solidaritet me popullin grek
Një delegacion ekumenik, i përbërë nga përfaqësues të shumë Kishave e bashkësive të
krishtera të Evropës e të botës, do të shkojë nga 18 deri më 21 nëntor në Greqi për
t’i shfaqur solidaritet dhe përkrahje popullit grek, në një çast kur vendi po kalon
krizë të thellë ekonomike, me pasoja të rënda për të gjithë qytetarët e vet. Delegacioni
do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i Konferencës së Kishave Evropiane dhe
nga ai i Këshillit Botëror të Kishave.
Në shtator, Komitetet qendrore të
këtyre organizatave u mblodhën në Kretë, pikërisht për të diskutuar mbi krizën financiare.
“Në një çast regresi të thellë e të vazhdueshëm ekonomik – pohon sekretari i Konferencës
së Kishave Evropiane, rev. Gaj Liagre – feja jonë na jep forcë për t’i bërë ballë
papunësisë, varfërisë dhe ankthit, jo vetëm si individë, por si bashkësi, që ka një
kujtesë etike, të rrënjosur thellë në Ungjill”.