2012-11-10 12:31:01

Atë Donat Kurti në përvjetorin e vdekjes: “Kush ban mirë, gjen mirë”


Atë Donat Kurti vjollca e letrave shqipe. Më 10 nëntor kujtojmë përvjetorin e vdekjes së françeskanit e prozatorit të madh, Atë Donat Kurti, i cili është martir e dijetar i madh, figurë e jashtëzakonshme poliedrike, at i Visareve të Kombit, vjollca e letrave shqipe, siç e quante atë Zef Pllumi. Atë Donat Kurti gjithçka kishte dhe ishte ia dhuroi e përkushtoi Zotit dhe kulturës së popullit të vet shqiptar.
Ai është prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës shqiptare. Thëmelet e vendosura nga Atë Shtjefën Gjeçovi u ngritën lartë nga Atë Donat Kurti, Atë Bernardin Palaj, Atë Benedikt Dema e tjerë me veprat e mëdha që i lanë trashigim kulturës kombëtare të popullit shqiptar, duke i përjetësuar ato në "Visaret e Kombit". Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson Atë Donat Kurtin: si "Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë".

Në vijim një shkrim i Paul Tedeschini
*****
At Donat Kurti, me Përralla Kundër Gjakmarrjes
At Donat Kurti (1903-1983) lindi dhe vdiq në Shkodër më 10 nëntor 1983. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pastaj kreu studimet për teologji. Më1937 Universiteti “San Antonio” i Romës i dha titullin Doktor i shkencave. Zotëronte greqishten e vjetër, latinishten, italishten, anglishten, frëngjishten dhe rusishten (këtë e mësoi në burgun e Burrelit).

Është cilësuar si Anderseni apo De Amiçisi shqiptar. Nga regjimi komunist u dënua me vdekje, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm. Vuajti 17 vjet heqje lirie. Kur u lirua jetoi në varfëri të plotë.
Thuhet se ka botuar librin “Në rrugën e plepave” dhe se një përmbledhje tregimesh, titulluar “Fëmijë të lumtur”, dërguar në shtypshkronjë për botim në prag të Çlirimit, ka humbur. Është një nga mbledhësit më të mirë të folklorit të maleve tona, botuesi (së bashku me Atë Bernardin Palajn) i vëllimit “Kangë kreshnikësh dhe legjenda” (1937), përfshirë në kolanën e “Visareve të Kombit”, si vëllim i dytë. Një meritë po kaq të madhe ka për mbledhjen dhe botimin e vëllimeve “Prralla Kombëtare - 1,2”, vlerësuar shumë nga Jokli e Çabej. Gati për botim pati lënë dhe vëllimin e tretë të asaj kolane.
***
Dy vëllimet me “Prralla Kombëtare” duhet të jetë botuar përkatësisht: i pari më 1942, ndërsa i dyti më 1943. Përmbledhjet duhen vlerësuar jo vetëm për përrallat që sjellin, por edhe në një drejtim tjetër. Parathënia “Shka kallxon populli…”, rrezaton dijenitë dhe kulturën e vetë autorit, si dhe punën e madhe që ai ka bërë për mbledhjen e atyre përrallave.
Mbledhësi u gëzohet atyre krijimeve për orët e këndshme që i kanë falur në fëmijëri: “ … prrallat na kanë ba me kalue orët më të bukurat e ma t`argtueshmet në fmini e janë kenë ushqimi i mendes e i fantazis s`onë”. Pas këtij kujtimi të ëmbël Donat Kurti hyn në analiza më shkencore për këtë zhanër të folklorit. Sipas tij, përrallat, “Per mbas kangve, janë pjesa më me randsi e folklorës së nji populli…”. Lind pyetja: përse kështu? Sepse, argumenton studiuesi, “shum degë ditunije mund të kishin dobi prej prrallave, e prandaj ishte mirë të mblidheshin me kujdes”.
Autori ka dijeni të gjera për përrallat botërore. Ai vlerëson se “popujt qi kanë prrallat ma të vjetrat janë indjanët, arapët e keltët”. Përmend koleksionet (përmbledhjet) më të hershme të tyre: “Kemi atë të Babilonjes me emnin “Epos i Galgames” kund 2000 vj. p. Kr., ato t`Indjes me emnin “Pantshatantra e Brithatkatha” kund 11-12 sh. p. Kr., atë t`Arapve nen emnin Njimienji natë, të botueme për herë të parë në vj. 1704 prej Antoine Golland…”. Madje, përmend punën e bërë nga etnologë të tillë, si: Maks Müller, Theodor Benfey, Köhler, Tylor, Jakob etj.
Donat Kurti vlerëson bashkëkombasit tanë: “Populli shqyptar asht populli ma i vjetri në Ballkan e, me gjith influks të fortë, qi ka pasë prej orjentalve, ka ruejtë mjaft mirë shum motiva të hershem, qi të studjuem kanë me lshue ndoshta ndopak dritë mbi historin e fisit t`onë”. Analizon edhe disa veçori të përrallave tona. Për shembull: “Në krahinen e Elbasanit në prrallën e Kacel Micit janë ruejtë shum copa në vjerrshë baras sikurse i ka prralla gjermane me të njajtin motiv”.
Kurti është përplasur vetë me vështirësitë e qëllimit që i ka vënë vetes. “Nuk asht punë e letë me mbledhë prralla. Ka prralla të gjata e të shkurta, serjoze e qesharake, të pa të keq e të flligjta, e sidomos këto të mbramet janë me shumicë. […] Në të mbledhun të këtyne prrallave, posë se kam pasë përpara sysh me dhanë nji kontribut per etnologji e gjuhë, kam dashtë edhe me tregue e me ushqye moralitetin e popullit shqiptar, tuj u lshue në dorë msuesave landë të zgjedhun, prralla kombëtare, qi s`u lanë gja mangut prrallave ma të permenduna të kombeve tjera; prandaj në ket ble kam mbledhë veç njaso prrallash e kallximesh, qi mund të lexohen prej të gjithve e mund të kallxohen faqe kujdo.”
Autori shënon edhe krahinat, shtrirjen, gjeografinë folklorike: “Shumica e këtyne prrallave janë mbledhë në Dukagjin, disa në Malci të Madhe e ndonji edhe në Shestan”. Madje, ai i njeh mirë edhe mbledhësit paraardhës të folklorit shqiptar, ndihmesën e dhënë prej sejcilit: August Dozonin, Thimi Mitkon, Shtjefën Gjeçovin, Maksimiljan Lambertzin, Hahnin, Margaret Hasluck-un.
Dhe, në “Dy fjalë për botimin e dytë”, po vetë na tregon se puna dhe djersa e tij nuk kanë shkuar kot. Se libri i tij, “Kur kje botue për të paren herë, kje pritë me knaqsi e kje shikue me sy të mirë jo vetëm prej fmive, por edhe prej albanogjve si Jokl, A. Baldacci, G. Schiro, Tagliavini etj. të cillët dhanë gjygjin e vet të pëlqyeshëm e treguen vlerën gjuhsore; prej edukatorve t`onë tuj fillue në Ministrin e Arsimit e në të gjith msuesat, që e shtin nder shkolla e nder teksta, si dhe prej prindve.”
Këto të dhëna na vërtetojnë edhe një herë se botimi “Prralla Kombëtare” u adresohej, në radhë të parë, lexuesve fëmijë dhe u përqafua menjëherë nga ata.
Në parathënien e tij At Donat Kurti bën edhe një klasifikim të përrallave kur thotë: “… në gjuhë t`onë me fjalën “prrallë” përfshihen si kallximet e gjata (novela), si legjendat , si apologët, si rrojmet qesharake, si dhe anekdotat e hershem.”.
Rëndësia tjetër e parathënieve të Kurtit është ajo e vlerësimit të përrallave tona, duke përdorur metodën e krahasimit me ato të popujve të tjerë evropianë. Kjo gjë shihet qoftë në citimet që përdorëm më sipër, por edhe më tej:
“ Populli shqiptar asht populli ma i vjetri në Ballkan e, me gjithë influks të fortë, qi ka pasë prej orjentalve, ka ruejtë mjaft mirë shumë motiva të hershëm, qi të studjuem kanë me lshue ndoshta ndopak dritë mbi historin e fisit t`onë.”
Në parathënien e vëllimit të dytë e thekson më fort këtë bindje: “Kemi me të vërtetë prralla e kallxime rendit të parë…”
Studiuesi nuk e lë me kaq po i argumenton këto ngjajshmëri me përrallat gjermane apo me mitologjinë greke a me krijimet fabulistike franceze :
“Tuj fillue me prrallën e bukur “Shtatë-pllamë-mjekerr-e-tri-pllamë-shtat”, qi e paçë ndie në Curraj t`Eper e qi përzihet (ka ngjashmëri - A.B.) me shka kallxohet në mitologjin greke per Enén e shokët e tij, ndeshim në prrallen “Nji kmishë per ma të fortin” në “Djali i farkatarit” e në sa tjera, qi janë plot fantazi e dramaticitet e krahasohen me ma të bukurat prralla gjermane të mbledhuna prej Vllazenve Grimm”.
Mandej: “Edhe apologët janë të thjeshtë, të bukur e me msime morale. Shum nder ta janë sendergjue fort ma natyrshëm se prrallat e Fedrit e t`Esopit.”
Por këtë krahasim studiuesi e bën më imtësisht nëpër faqet e të dyja vëllimeve, duke filluar me përrallën “Kacel Mici”, për të cilën shënon në fund të f. 17: “Vro per krahasim “Märchen der Brüder Grimm” Jubilaums – Gesamt ausgabe – Schmidt & Günther – Laipzig. fq. 123. “Lauschen und Flobchen”; më tej me përrallën “Dur topuz! ndal topuz!”, f. 19 etj. etj. Kurse te përralla “Shtatë-pllamë-mjekër-e-tri-pllamë-shtat”, në f. 8 (vëll. II), pas shprehjes “…bjeshkën e kishte pasë xanë shtatë-pllamë-mjekër-e-tri-pllamë-shtat e e ruete neper thin e egër”, vë një shpjegim të gjatë për përngjasimim me mitologjinë klasike greke.
***
Secili vëllim përfshin nga 52 krijime. Ndër to ka përralla vetëm me njerëz, vetëm me kafshë a shpendë, me qenie mitologjike, me të gjitha këto bashkë, ku animizohet e personifikohet. Në gjatësi ato lëvizin nga 6-7 rreshta (“Huti e sorra”) deri më 8 faqe (“E bukura e dheut dhe shtriga”). Ribotimi i tyre më 2005 kemi mendimin se duhet të ishte realizuar me drejtshkrimin e kohës sonë, duke evituar fjalabie pikat në fund të titujve, apostrofimet e ortografisë së shkuar (t`onë, t`a, m`a) etj.
Për pasurimin që ka bërë në laboratorin e tij krijues, mbledhësi nuk na thotë asgjë, por kuptohet dora mjeshtërore. At Donat Kurti i ka selitur këto përralla, i ka përpunuar. Veç përpunimi i tij ka qenë shumë i kujdesshëm. Krijimet nuk janë letrarizuar, nuk janë ndryshuar. Është ruajtur lëngu popullor, shprehja e popullit, frazeologjia e mesazhi i tij. Krijimet vetëm janë redaktuar në mënyrë të vëmendshme. Fjalia është bërë më e saktë, shprehja më elegante, duke e ruajtur njomështinë e burimit.
Ja më poshtë disa veçanti artistike të përrallave të At Donat Kurtit:
1) Fjalia është e shkurtër, në përshtatje me marrësit fëmijë: Bashkimi ishte ç‘mos kurr. Provo nji e provo nji tjeter. S‘u gjet djalë, qi me e kcye ledhin.(f. 91)
2) Përdoren shprehje frazeologjike popullore: … e nisi me nji grusht miza, tuj e ba gjysë të marrë.(f. 20); Hajt, rri të rrim tu shpija…(f. 129, vëll II). Ose edhe shprehjet e formuara me ndihmën e antitezës: Mendon e shmendon e…(f. 70); Qeni prej zorit, tuj u hedhë e tuj u perhiedhë,…(f. 94); Dij me i qethë e me i rrqethë (f. 11, vëll. II); provoi e shprovoi (f. 91, vëll. II); Falet e perfalet me nanen (f. 114, vëll. II) etj.
3) Në mbyllje të përrallave ruhet klishea popullore “Prralla në lesh, shndetja prej nesh” ose: Prralla në lesh, e mira prej nesh, e keqja prej gabelsh.(f. 42, vëll II).
4) Autori (ndoshta rrëfyesi popullor) përdor emra të krahinës: e po i thotë mbreti së bis: (E thrret me emen si me i thanë Raze ) – Raze! (f. 57, vëll II) Ose: E thirri shoqin me emen, si me i thanë Pllumb, e i tha: - Pllumb, a s‘po din…(f. 58, vëll II).
5) Interes paraqesin për gjuhëtarin pasurimi i leksikut me fjalë të tilla, si: krahnoq (me shpjegimin në fund të f. 124: strajca e bukës, qi marrin barit nen krah); …kanë me ardhë miq e kumbarë per me ia përhajrue (f.138); … e erri nata në nji vend… (f. 132, vëll. II); plaku ishte i pa sy (vëll. II, f. 141); n‘oborr të Mbretit verdhakuq (vëll. II, f. 145); Zotyn, dritsorje etj.
6) Përdoret përsëritja për të treguar zgjatjen e veprimit: Si me ja ba tash djalit?… si me ja ba tash djalit?! E thret nji ditë…(f.33); Ç‘ka me ba?! çka me ba?! (f. 77); Ku me e lidhë/ - Ku me e lidhë? - e lidhë per kanjelë të fuçis… (f. 94), etj.
7) Ruhen eufemizmat: Rrugës shndrrohet e bahet si ai qi kjoftë tretë (f. 36, për djallin); tash po vjen me më marrë ai qi kjoftë diegë…(f. 41); I duket i Shen Kolli – i paçim ra në dorë! – e e pveti:…(f. 62) etj.
8) Mbledhësi nuk i zbut skenat makabre e dhunën: Xen ujë e t‘ia lshon qenit ashtu valë. Idhnohen ata e e kapin e e shqyejn per së gjalli e zorrët ia pshtiellin per mulli (f. 66); …dy grat tjera i shkjeu per së gjalli në kater kual.(f. 118) etj.
9) Përrallat në përgjithësi nuk kanë moralizime, veç atyre ku veprojnë vetëm kafshë e shpendë: Ndiç: Ku asht bashkimi asht forca, e ku asht dasia asht shkatrrimi. (Tre qetë e ujku, f. 92); etj.
10) Interesante dhe nga më të larmishmet janë onomatopetë, të cilat përdoren gjerësisht duke i dhënë jetë rrëfimit për fëmijë: i a ngjiti feshk! njenit mustak e feshk! tjetrit… (f. 18); bani braf! prej dyshekut…(f.27); Pup! çohet në nji shej kohet qeli (f. 270); Merr djali topin dhe e e shprazë bim-bau! (f. 32); Kapi nji alamet gurit e t‘ia permblodh djallit kres vik! e e rrxoi lmuc per tokë (f. 41); … e fek! ia kputë kryet (f. 48); … tuj u dridhë ver! ver! ver! (f.54)etj.
***
Në veçanti na bën përshtypje një mesazh i At Donat Kurtit kundër gjakmarrjes, dhënë nëpërmjet një përralle. E kemi fjalën pikërisht për krijimin “Kush ban mirë, gjen mirë”, që të ngjall interes të veçantë. Fabula e tij është tërë veprim, peripeci e befasi: djali i tretë, i vogli, i një plaku zë miqësi me një të vdekur të panjohur dhe, si shpërblim për të mirën që i bën, ai e ndihmon. Së fundi, kur ndahen, i vdekuri e fton për vizitë. Djali ia gjen varrin…
“… I ra tri herë me kambë e qe se iu çil nji derë, e per mbas asaj pa nji bukuri, qi s`kish pa sy nierit. I panjoftuni e shetit gjithkund deri qi e çoi në nji shej vendi, ku shifej nji shikë kuq si coha, por qi shndritte si dielli e i epte bukuri atij vendi.
- Shka asht kjo shikë e kuqe?- e pvetë djali të panjoftunin.
- Kjo shikë – përgjegj ai – asht gjaku i em, qi ka mbledh Zotyn, kur më kanë vra. Po e falen gjakun t‘em robt, qindron kjo bukuri; por po ma moren gjakun, prishet pernjiherë kjo bukuri, qi po shef me sy.
Përpara asaj shike ndizej nji qiri. Ndersa po flitshin bashkë, u fik qiri e shika piku gjak.
- Hej!- briti i panjoftuni- m‘a moren gjakun!- e me dekik u prish gjithë bukuria e atij vendi e duel djali prej vorrit e iu duk si të kishte ndejë tri dit, e ai kishte pasë ndejë tri vjet.
Prralla në lesh, shndetja prej nesh.”4
Mesazhi i kësaj përralle është i qartë: I vrari nga arma e hasmit nuk e dëshiron gjakmarrjen. Po të ndodhë kjo gjë nga robt e vet, jeta atje në botën tjetër do t‘i bëhet e pakëndshme, do t‘i “prishet përnjiherë kjo bukuri”, siç shprehet i vdekuri. Dhe mendojmë se autori këtë përrallë e ka futur me vetëdije të plotë në përmbledhje (kujtojmë vetëparaqitjen e tij: “në të mbledhun të këtyne prrallave, […] kam dashtë edhe me tregue e me ushqye moralitetin e popullit shqiptar, tuj u lshue në dorë msuesave landë të zgjedhun,…”5. Mandej, edhe duke përmendë një thënie të njerëzve të shquar, se përrallat “janë shprehja e shpirtit të popullit”).
A s‘është kjo një shenjë emancipimi e mbledhësit? Një guxim qytetar kundër kanunit që bënte thirrje për gjakmarrje? Në të kundërt, a s‘është kjo përrallë një thirrje për mirësi? A nuk shtrihet edhe këtu mesazhi i titullit moralizues “Kush bën mirë, gjen mirë”? Megjithëse kemi një mbledhës të tillë, një klerik, një njeri me bindje të thella fetare, një At franceskan, që kur i duhet të zërë në gojë emrin e Shën Kollit, nuk harron si lutje grupfjalëshin e ngulitur “i paçim ra në dorë!”…
Vendosja e përrallës në faqet e fundit të vëllimit të dytë mos qe vallë një përpjekje e autorit të përmbledhjes për ta fshehur atë nga syri i ndonjë dashakeqasi?
Njeriu i religjonit edhe mund ta kishte evituar atë përrallë (siç shprehet se ka bërë për përrallat “e flligjta”). Ose, fundja, mund ta kishte eleminuar lehtësisht skenën e fundit, pa cënuar vlerat artistike të krijimit. Sepse në të vërtetë, subjekti i përrallës mbaron aty ku i panjohuri i hapet bamirësit të vet dhe i tregon se është pikërisht ai i vdekuri të cilin djali dikur e kishte ndihmuar, i pati bërë një të mirë dhe ai mirësinë e dikurshme ia shpërbleu po me mirësi, duke e lidhur me një nuse të mrekullueshme, si dhe duke e pasuruar me tridhjetë mushka me pare (të gjitha këto i kishin fituar së bashku), pa mbajtur asgjë për vete. Pra, aksioni i përrallës ka mbaruar, mbyllja e lumtur (hepi endi) është realizuar, mesazhi është dhënë. Ç`duhet tani kjo ftesë që i bëhet njeriut të gjallë për ta vizituar tjetrin në varrin ku prehet i vdekuri? Edhe mund ta kishte krasitur këtë pjesë, por jo!
Një veçori krijuese e përrallave të Andersenit është se ato pëlqehen si nga fëmija ashtu edhe nga i rrituri. Unë nuk harroj që kur tregohet përralla, rreth vatrës, veç vogëlushëve, ka edhe të rritur që e dëgjojnë atë, ndaj fus në krijim edhe ndonjë “kockë” që ata të përtypen, shprehet përrallëtari i madh danez. “Kocka “ e përrallës së kallëzuar nga At Donat Kurti është pikërisht kjo pjesa e fundit e saj. Këtu kemi mbaruar punë me dëgjuesin e vogël. Ky apendicit i krijimit folklorik u aresohet kryesisht të rriturve, atyre që e përjetojnë aktivisht atë realitet të rëndë të gjakmarrjes. Dhe zëri i butë i Atit franceskan sikur sugjeron me një timbër hyjnor: O njerës të Zotit, bëni veç mirë në këtë jetë! Hiqni dorë nga gjakmarrja. Atë nuk e dëshiron as i vrari nga dora e hasmit, atje ku prehet përjetësisht…
Është një mesazh që, ndonëse i artikuluar 65 vjet më parë, mbetet aq aktual edhe sot e kësaj dite.

(Footnotes)
1 shih:
Anton Çefa “ Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letërsinë tonë “- gazeta “55”, 13 janar 2005
2 Sepse libri “P. Donat Kurti OFM / Prralla Kombtare / Mbledhë prej gojës së popullit/ Ble I / Botim i dytë/ Shkodër - Shtypshkronja “A. Gjergj Fishta”
– 1942" hapet me parathënien e botimit të parë “Shka kallzon populli…”, e cila mban datën 17 kallnduer 1940. Rrjedhimisht, botimi i parë i librit duhet të jetë bërë në atë vit.
3 Këtë përfundim e nxjerrim nga parathënia që shoqëron atë botim dhe që mban datën 2 gusht 1942 (libri “At Donat Kurti/ Prralla Kombëtare/ mbledhë prej gojës së popullit/ Botimi i dytë/ vëllimi II/ Botimet Franceskane/ Shkodër 2005”)
4 At Donat Kurti “Prralla Kombëtare” botimi i dytë, vëllimi II, Botime Françeskane/ Shkodër, 2005, f. 154
5 Po aty,
f. 9 vëll. I
Prgatitur nga Paul Tedeschini







All the contents on this site are copyrighted ©.