Atë Donat Kurti - Dijetar i Martirizuar në përvjetorin e vdekjes nga
Prof. Dr. Simon Pepa "Një popull që nuk e njeh kohën e kaluar është
fëmijë ose i pamend. Një popull që e përbuz është i bjerrur" (Tommaseo) Rrallëherë
në historinë e një kombi mund të gjejsh dijetarë të martirizuar sa tek kjo Shqipëria
jonë e mjerë në vitet kobzeza të diktaturës, ku shqiptari mundoi shqiptarin, duke
ia shpërblyer nderën me dhunë, djersën e dijen me masakrim. E në vargun e këtyre të
munduarëve, një kryevend zë edhe dijetari nderuar Atë Donat Kurti. Lindi në
Shkodër, më 3.IX. 1902, në një familje me tradita patriotike dhe intelektuale.
Një nga vëllezërit e tij, Gjoni, qe një nga themeluesit e Shoqërisë patriotike "Bogdani".
Siç shënonte Donati në kujtimet e tij "Gjëja më e bukur që më ka mbetur në mendje
nga koha e fëmijërisë, ishte festa e 28 Nëntorit, kur dera e shtëpisë atërore dhe
të tjerat përreth zbukuroheshin me shërmashek e lule shëmshiri, ndërsa banorët e lagjes,
duke mbajtur në ballë flamurin kombëtar, dilnin me kandila të ndezur e brohorisnin
për festën e Pavarësisë". Donat Kurti, pasi mbaroi shkëlqyeshëm mësimet e para
dhe të mesme në qytetin e lindjes, vazhdoi studimet e larta në Romë, në Universitetin
"San Antonio", ku u laurua për filozofi. Më 1927 u bë prift françeskan dhe po atë
vit kthen në qytetin e tij të dashur, ku, për aftësi të rralla e mendje të lartë,
emërohet profesor në gjimnazin "Illyricum" të fretërve. Këtu dha gjuhë shqipe, latinisht,
histori të natyrës. Nga 1930-1938 qe nëndrejtor i shkollës (me drejtor filozofin
e shquar, Atë Anton Harapin, i lauruar në Austri). Nga viti 1939 e gjer në mbylljen
e saj (1946) qe drejtor. Ky gjimnaz ishte një nga më të nderuarit në vendin tonë.
Kishte rreth 500 nxënës e studentë. Këtu dhanë mësim profesorë të shquar, si: zëmadhi
Gjergj Fishta, Atë Frano Kiri (matematicien), Atë Justin Rrota, një nga themeluesit
e gjuhësisë shqiptare, Autor i sa veprave , si : "Monumenti ma i vjetër i
gjuhës shqipe – Gjon Buzuku" (1555) (botuar më 1930 ), "Shkrimtari më i
vjetër italo-arbëresh, Lukë Matrënga, (1592)" (botim I më 1932, II më 1939 ), "Sintaksa
e gjuhës shqipe" (botim I më 1942, II më 1944 ) etj.; Atë Marin Sirdari,
autor i veprave "Skënderbeu mbas gojëdhanash" e "Historia e Ilirisë"
e që la në dorëshkrim disa mijëra faqesh për Skënderbeun, punë 50-vjeçare,e cila u
dogj nga xhahilët e Degës së punëve të brendshme, Shkodër, që të tre ishin lauruar
në Austri. Këtu dha mësim edhe Atë Gjon Shllaku, i lauruar dy herë: në Louvain në
Belgjikë (për histori) dhe në Holandë (për teologji), kryeredaktor i revistës "Hylli
i Dritës", e cilësuar për kohën si më e mira në Ballkan. Vlerën e kësaj vatre diturie
e shohim edhe në këto dy aspekte të thjeshta, por mjaft domethënëse. Në provimet e
maturës të vitit shkollor 1939 – 1940, si përfaqësues të Ministrisë së Arsimit qenë,
prof Eqrem Çabej, për lëndët shoqërore dhe prof. Aleko Tashko, për ato natyrore. Ky
gjimnaz qe i dashur për të gjithë shkodranët. Kur u mbyll, për ca kohë, nga qeveria
e A.Zogut, pezmatimi dhe revolta ishte e përgjithshme. Siç shënon Atë Donati në Ditarin
e tij, Zenel Broja, një nëpunës i nderuar i Bashkisë, i thotë me guxim Atë Fishtës: Padër
Gjergj, sido që të bahet puna, ne na ke mbrapa! Nga kjo shkollë dolën mjaft
studentë, që më vonë do të bënin emër në kulturën kombëtare, si : prof. Gaspër Pali
(poet), prof. Kolë Ashta (gjuhëtar), prof. Gaspër Ugashi, Lec Shllaku (regjisor),
Zef Mjeda (esperantist i njohur, autor i një fjalori dhe i një gramatike për këtë
gjuhë), Gjon Kujxhia, Prenkë Jakova, Çesk Zadeja etj. (muzikantë) etj. Pra, të
ishe drejtor i kësaj shkolle nuk qe punë e lehtë. Por Donat Kurti qe i denjë për këtë
detyrë. Ai kishte një kulturë të gjerë. Zotëronte mirë greqishten e vjetër, latinishten,
gjermanishten e anglishten. Në burg mësoi edhe rusishten. Për nevojat e shkollës përktheu
ose punoi mjaft libra me vlerë, si: "Gramatika latine", pjesa I, Morfologji
( nga Dr. A. Shcheindler, 1933); "Sintaksi i gjuhës latine", I 1939, (po nga
nga Dr. A. Shcheindler); "Vepra kulturore e elementit katolik në Shqipëri",
botim i së përkohshmes "Hylli i Dritës", duke filluar nga nr. 3, 1933 etj., si dhe
mjaft studime për probleme folklorike, gjuhësore, historike, fetare etj. Për punën
e aftësitë e tij, nga Universiteti "San Antonio" i Romës, më 24 qershor 1937 i jepet
grada "Doktor i shkencave". Kurti ishte edhe poet, piktor e muzikant. Nën drejtimin
e Kolë Idromenos punoi edhe si arkitekt. Më 1930 merr pjesë në një konkurs pikture,
ku zuri vendin e dytë, ndërsa çmim të tretë fiton në një konkurs instrumentistësh
(i binte shumë bukur violinës). Atë Donati, krahas punës mësimore e studimore,
ishte dhe një gjurmues e studiues i palodhur i thesarit popullor. Ai brodhi me këmbë
pothuajse të gjitha trevat veriore, ku mblodhi me qindra këngë, përralla, lodra popullore,
njësi frazeologjike, proverba etj. Këto ia nënshtroi një studimi të imët. Nga puna
e tij shumëvjeçare ai, së bashku edhe me mitologun e folkloristin e madh, Atë Bernard
Palaj, i cilësuar nga albanologia ruse, Agni Desnickaja, si "Njohësi më i mirë
i alpeve tona", ia arritën të botojnë veprën madhore "Këngë kreshnikësh dhe legjendash",
më 1937, e cila radhitet denjësisht pranë "Iliadës" së grekëve, "Këngëve të Rolandit"
të frëngëve, "Nibelungëve" të gjermanëve etj. Këngë si "Orët e Mujit", "Martesa e
Halilit", "Ajkuna qan Omerin", "Gjergj Elez Alia" etj. janë perla të folklorit shqiptar
dhe botëror. Për të arritur tek ky botim madhor u desh një punë shumë gjurmuese,
gjë që shënohet në parathënien e veprës, ku theksohet se "Kemi parasysh një
koleksion prej 342 kangësh, material i çmueshëm mbledhë me mundim të madh për gadi
40 vjet prej françeskanëve". Nga këta dijetarë që gjurmuen gurrën popullore, mund
të përmendim: Atë Donat Kurtin, Atë Bernardin Palajn, P.Martin Sirdanin. P.Nikollë
Dajçin, Atë Leonard Shajakajn, P.Rrok Gurashin etj. Trevat ku u gjurmuan këngët qenë
nga më të ndryshmet, si: Curraj i Epërm, Theth, Shalë, Kastrat, Mertur, Dushman, Selcë,
Shosh, Shestan, Mirditë, Zadrimë etj. Atë Kurti, së bashku me dijetarin tjetër,
Palajn, ditën të zgjedhin më të bukurat nga kjo sasi këngësh dhe arritën të bëjnë
një lidhje arsyetuese të Ciklit të kreshnikëve, duke shkrirë harmonishëm variantet
e ndryshme. Madje, ata ndreqën, përpunuan dhe redaktuan vargje e këngë të tëra aq
mjeshtërisht, sa ia shumëfishuan bukurinë e tyre. Që me daljen e veprës jehona ishte
e madhe. Ajo u vlerësua, u komentua e u përkthye me fragmente nga prof. Norbert Jokli,
prof. Ernest Koliqi etj. Atë Gjergj Fishta, i entuziasmuar nga kjo punë, shkruante:
"Ku ma ke edhe ndër literatyra të kombeve të gjytetnueme nji përshkrim, paraqitur
me ngjyra aq të gjalla, me shëmbëlltyra ma të përshtatuna e me nji burrni ma bujare,
ma fisnike e ma të njerzishme mbi hijeshinë e nji vashe, përshkrim me të cilin fatosi
i rapsodisë "Martesa e Halilit" paraqet hijeshinë e Tanushës". Donat Kurti
do të punojë edhe në fushën e përrallave popullore. Më 1942 e 1943 boton dy vëllime
me titull "Përralla popullore". Në të njëjtën kohë në revistën "Hylli i Dritës" publikon
për 33 numra rresht monografinë "Lojnat popullore", si dhe mjaft studime të tjera.
Përrallat e botuara nga Kurti janë të një niveli të lartë artistik. Dijetari i shquar
austriak, prof. Norbert Jokli, do ta quajë "Një nga prozatorët më të mëdhenj
shqiptarë",ndërsa prof. Eqrem Çabej do ta çmojë lart për zbulimin
e përsonazheve si Dedalia, i cili i përngjan aq shumë Odiseut me bëmat e tij. Çabej
shënon: "Një vëmendje më të veçantë kërkon edhe figura e atij që quhet në Veri
Shtatëpëllambë – mjekër – e – tri – pëllambë – shtat, njohjen e të cilit ia detyrojmë
Donat Kurtit". Në punën e tij, (dy vëllimet kanë 98 përralla në 261 faqe),
ky dijetarë udhëhiqej nga ideale të larta kombëtare. Ai thekson se "Në të mbledhunit
e këtyne përrallave, përveç se kam pasur parasysh me dhanë nji kontribut për etnologji
e gjuhë, kam dashtë me tregue e me ushqye moralitetin e popullit shqiptar, tue i lëshue
në dorë mësuesve landë të zgjedhun, prralla kombëtare, qi s'u lanë gja mangut prrallave
ma të përmenduna të kombeve të tjera" ("Parathania", I, fq 9, 1942). Duke u
habitur me hijeshinë e përrallave tona, me një ndjenjë krenarie kombëtare, thekson: "Si
kanë muejtë me u ruejt përrallat aq bukur atje ndërmjet malesh, prej malëcorëve që
s'kanë fare të përpjekun me njerëz shkolle? Padyshim në këtë mënyrë del në shesh fisnikënia
dhe lartësia e popullit shqiptar"("Parathanie", fq 10). Kurti jo vetëm i mblodhi
dhe i parashtroi aq bukur përrallat popullore, por edhe i studioi hollësisht ato.
Si dijetar i shquar krahasues që ishte, zotëron shumë mirë edhe punën e studiuesve
të huaj në këtë fushë. Ai ka njohur gjer në imtësi përrallat gjermane (mbledhur nga
vëllezërit Grimm), ato ruse (nga Afanasiev), daneze (nga Grundtvig), franceze (nga
E. Cosquin), norvegjeze (nga Asbjornson), italiane (nga G. Pitre) etj., madje ai njeh
me rrënjë dhe ato arabe, indiane etj. Duke vlerësuar gurrën popullore shqiptare, thekson
me të drejtë se: "Motivet e përrallave tona janë mjaft të hershme, pse i ndeshim
edhe ndër përralla të indianëve, të arabëve e të keltëve." E duke bërë krahasime,
shënon se përralla, si: "Njeriu që ndien gjithçka", "Pashmanga arit", "Ora
e gjysë kungulli" kanë afërsi me përrallat indiane, ndërsa përrallat e titulluara
"Ali Senjefi", "Unaza e ujku i butë", "Shtatë maje gjuhe", kanë afërsi
me përralla të arabëve. "Disa, - thekson Kurti, - i kemi krahasuar për
afërsi motivi me ato të vëllazënve Grimm, por kemi edhe të tjera që përkojnë me përralla
greke e romake ("Parathanie", fq 7). Ky folklorist i shquar pat bërë gati për
botim edhe vëllimin e tretë, për të cilin thotë, jo pa një parandjenjë të hidhur se,
ndoshta kam me pasë rast me e botue. Tek ajo ndoshta, siç
duket, parandjeu fatin e keq të vetin, të kolegëve e të shkollës së tij. Të mos harrojmë
se jemi në prag të vitit 1944… Mbas pak shtërngata komuniste zuri të frynte egër.
Punonjës të Ministrisë së Brendshme erdhën dhe e mbyllën shkollën. Si drejtor që ishte,
i kërkuan edhe vulën e saj. Dhe ai, burrërisht, para se t'ua dorëzonte, e theu në
sy të tyre, duke e bërë copë-copë, shenjë kjo se ky gjimnaz, qendër atdhetarie e kulture,
nuk mund të kishte më vazhdim në duart e djallit. E tërmeti qe i tmerrshëm. Ai
ra mbi tërë popullin shqiptar, por duke pasur epiqendër klerin katolik, i cili, mund
të themi pa frikë se është kleri më i masakruar në tërë historinë botërore. U pushkatuan
31 klerikë, vdiqën në tortura 8, u mbytën pa gjyq 3, vdiqën në burgje e kampe internimi
ose pak kohë mbas torturash 23, dolën nga burgu (sa gjallë) 66. Të gjitha vitet
e burgut janë afro 9 shekuj, kaluan rreth 33 vjet hetuesi të përbindshme. Këta klerikë
kishin kryer rreth 450 studime në 24 universitete të Evropës. E mos të harrojmë se
ishin vetëm 135, nga të cilët u martirizuan 131. Edhe profesorë klerikë, kolegë
të Atë Donatit u martirizuan egër. P.Anton Harapi, Atë Gjon Shllaku, P.Bernardin Palaj,
Atë Çiprian Nika etj; u pushkatuan ose vdiqën ndër tortura. Edhe ish-nxënës të këtij
gjimnazi si: Avokat Myzafer Pipa, prof. Kolë Prela., u pushkatuan Atë Donati u arrestua
ndër të parët, më 1946. Pas 2 vjetësh hetuesi të tmerrshme, doli në gjyq, ku mbajti
një qëndrim burrëror, si gjithmonë besnik i idealeve të tij. Në fjalën e fundit lapidar,
përpara dhënies së dënimit, iu drejtua kështu prokurorit: "Kam mbledhë pa u
lodhë dijen, mendimin dhe filozofinë e jetës së popullit, gjëra qëtransmetohen
në mënyrën e legjendave kombëtare…Kam mbledhë thesarin e kombit jo për vete, por për
popullin tim, deri sa t'ua mësoj bijëve të tij…Për këtë kërkoj që, nëse dënimi âsht
me burgim të përjetshëm, të më jepet leja të vazhdoj punën time për të mirën e popullit". U
dënua me vdekje, pastaj me burgim të përjetshëm. Kur po e nisnin për në vendet e shfarosjes,
e pau e ëma e tij e sëmurë, e cila, ashtu e djegur nga malli, u lëshua për t'ia puthur
ato duar të prangosura. Mos e prek!, -i thirri egër xhelati. E ajo grua e vuajtur
ia ktheu: - O bir, ju a keni nanë! Dhe Atë Donati pas atij çasti, për 15 vjet të
tjera nuk do ta shihte më nënën e tij… Njohu me radhë burgjet e kampet famëzeza të
Bedenit, Maliqit, Orman-Pojanit., duke punuar gjer në brez në baltat vdekjeprurëse.
U bë tërë plagë, aq sa, kur shkonte motra fisnike Luçije Toska (Kurti) për ta parë,
ai, edhe me ato pak minuta takimi, mezi qëndronte në këmbë. I bëri lutje Mehmet Shehut
për ta larguar nga ato vende ferri. Dhe lutja iu muar parasysh, duke e dërguar si
për më mirë në burgut e Burrelit… aty ku dhe kaloi pjesën më të madhe të dënimit. Atë
Donati vuajti shumë, ngase mbi të rëndonte një faj "i madh". Akuza ishte sa tragjike,
aq edhe qesharake: kishte futur armët në kishë! Gënjeshtër e shpifje më
të madhe se kjo zor se gjen. Dhe kjo akuzë e rremë u vue në art. Atë Donatin e detyruan
të fotografohet me armë në dorë (të cilat i kishte futur vetë Sigurimi). U bënë edhe
fotoekspozita, u botuan dhe vepra. Madje, me shpifje të kësaj natyre, një titullar
kryesor i Degës së Brendshme Shkoder, R. B., mori dhe gradë shkencore me veprën më
të përbindshme që është shkruar kundër klerit katolik, me titull "Veprimtaria antikombëtare
e klerit katolik shqiptar". E ndonëse akuza ishte për të qeshur, përfundimi i saj
të bënte që të lëshoje ulërimen, nga se për këtë gjë u pushkatuan: Imzot Frano Gjini,
Imzot Nikollë Deda, Atë Mati Prendushi, Atë Çiprian Nikaj; vdiqën në burg ose si pasojë
e torturave D. Mark Hasi, D. Nikollë Shelqeti, D. Anton Muzaj, P. Mëhill Miraj, D.
Ndoc Sahatçia e Fratel Ndue Vila. Bënë sa vite burg Atë Gjon Karma, D. Tomë Laca e
Atë Zef Pëllumbi, i cili është i vetmi që ka mbetur gjallë nga kjo dramë kaq e egër. Dhe
kjo tragjikomedi, për Atë Donat Kurtin vazhdoi edhe kur doli nga burgu, me 20 maj
1963, pas 17 vjetësh vuajtje. Në fletën e lirimit i ishte shënuar: "Ka marrë pjesë
në Lëvizjen e Postrribës", ndonëse ai, si prift që ishte, nuk kishte shkuar kurrë
në atë krahinë, ngaqë aty jetonin banorë të një besimi tjetër… (O Zot! Sa ka hequr
ky popull. Kur mendoj të gjitha këto, më kujtohet ajo përgjigjja aq e mprehtë e një
malësori dukagjinas dhënë një gjenerali fodull të Ministrisë së Brendshme. Kur ky,
para tërë popullit të fshatit e pyeti si me madhështi: A jemi qeveri e fortë o Gjelosh?
E plaku përnjëherësh iu përgjigj: Të fortë, të fortë, por ma të fortë jemi ne
qi e durojmë). Atë Donat Kurti edhe në terrinën e burgut si dhe kur doli jashtë,
pothuajse i sakatuar e jetoi në kushte shumë të këqija nuk reshti së punuari. Zgjeroi
vëllimin e tretë të "Përrallave popullore", përfundoi veprën "Thaça ose mënyra
të thanunit në gjuhën shqipe",ku janë përfshirë rreth 12000 njësi
frazeologjike dhe proverba nga e folmja e Shkodrës, shkroi pjesë "Nga kanuni
i Skënderbeut", vëllimet me tregime "Mësimet e nanës", "Në rrugën e plepave",
"Kah gurrat e jetës", përmbledhjen me poezi "Lule më lule" etj. Janë rreth
34 vepra të mëdha e të vogla që la në dorëshkrim, sot pronë e Provincës françeskane.
Ky dijetar i shquar i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij në një vetmi të plotë
dhe në një varfëri të frikshme. Një ish – student i tij tregon: "E pashë profesorin
tim të nderuar në radhën e bukës. Po numëronte ngadalë, si nën zë, sa për të blerë
një gjysmë buke të zezë. Shitësja i foli si me përbuzje: Ti, plako, shpejto. Nuk ta
kemi ngenë të të presim gjer sa t'i numërosh lekët. Atë Donati uli kokën dhe doli
i menduar. E ku ta dinte ajo shitëse injorante se ai plak i munduar dhe i varfër ishte
një nga dijetarët më të mëdhenj të këtij kombi". Nga 1967, kur u shkatërruan
kishat e kuvendet e gjer sa vdiq, jetoi me lëmoshë…Motra fatkeqe, Luçija, nuk u kursente
në atë varfërinë e saj, por Atë Kurti nuk jetoi tek ajo, ngase nuk donte t'i bënte
dëm, meqenëse kishte dhëndrin e saj Alfons Radovani, të dënuar me 10 vjet burg politikisht…Motra
tjetër fisnike iu gjet sa herë pranë, por dhe ajo pak mund të bënte, për arsye se
ajo, si të thuash, ishte më e varfër se i vëllai. Nga data 20 – 22 tetor 1983 në
Tiranë u zhvillua Simpoziumi shkencor "Epika heroike shqiptare". Qenë të ftuar dijetarë
nga Franca, Austria, Italia e deri nga Suedia e largët, por asnjëri nuk pati guximin
të kujtohej se ai që e kishte mbledhur dhe botuar së pari këtë Epikë të mrekullueshme
po jepte shpirt në një barangë gjysmë të shkatërruar atje në Zallin e Kirit… Madje
në këtë Simpozium madhor iu mohua edhe vepra e tij. Në Referatin kryesor si cak nismëtar
i botimit të këtij Cikli u muar viti 1955 ku u theksua se "Ndihmë të vlefshme kanë
sjellë punimet e studiuesve tanë, të cilët mbështetën në epërsinë e parimeve marksiste-
leniniste". (?!) Politizimi shkonte edhe më tej. Njëri nga kumtuesit deklaronte: "Ndërsa
në të kaluarën malësori ynë ishte i lidhur ngushtësisht me këngët e kreshnikëve, sepse
ato e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim…, sot këtë funksion e kryejnë më së miri dhe
më drejtpërdrejt këngët e folklorit të ri, të lindur në vitet e partisë"("Çështje
të folklorit shqiptar", 2, Tiranë 1986, Fq.44, ). E diku më poshtë shënohet se "…rapsodët
…u këndojnë viteve plot patos heroik të socializmit nën udhëheqjen e partisë dhe të
shokut Enver Hoxha", e se ata (rapsodët, S.P.) "…pranë këngëve të krijuara
për partinë, kanë krijuar dhe këngë për hidrocentralin" ("Çështje të folklorit
shqiptar", Tiranë 1986, II. fq.303). Rreth jetës dhe veprës së Donat Kurtit për
sa dhjetëvjeçarë u hodh vetëm heshtje dhe harresë e plotë. Ndonëse përrallat e tij
u shfrytëzuan dhe u ribotuan sa herë, emri nuk iu përmend fare, por vetëm rallë u
shënuan inicialet D.K., ndërsa, edhe më keq ngjau me veprën " Kangë kreshnikësh dhe
legjenda", (1937), për të cilën nuk shënohej as emri i autorit dhe as titulli i veprës,
por vetëm: " Visaret e kombit", 1937 (shih Çështje të folklorit shqiptar", II, fq.
304). Por, është për të ardhur shumë keq se edhe në ditët tona, këtij dijetari
të nderuar i përvetësohet puna e bërë. Kështu, në veprën e Virgjil Muçit, "Përralla
shqiptare për 100+1 natë" bleu II, Shtëpia botuese "Eqrem Çabej", dalë këto vitet
e fundit (libri nuk e ka datën e botimit) nga 41 përralla të veprës, 16 janë marrë
fjalë për fjalë e pa asnjë ndryshim nga Atë Donati, pra gati gjysma e tyre. Përrallat
janë: 1.Vur topuz, dur topuz (D.Kurti, "Përralla kombëtare", bleu I, Shkodër,
1942, f.61-65 = V.Muçi, "Përralla shqiptare për 100+1 natë"bleu II, fq.188-195);
2Tri dredha shpinës (Kurti, I, fq.61-65 = Muçi, II, f. 182 – 187); 3. Ma
i vogli vëlla, ma i dhimbshmi vëlla(Kurti, I, fq. 26 – 28 = Muçi
II, fq 162 – 165); 4.Sazan çelu, Sazan mbyllu (Kurti, I, fq. 118 – 120 = Muçi
II, fq. 206 – 209); 5. Shtatëpëllëmbë mjekër e tri pëllëmbë shtat (Kurti,
II, Shkoder, 1943, fq. 7 – 11, = Muçi II, fq. 155 – 162); 6. Kokërrmeli
(Kurti, II, fq. 45 – 46, = Muçi II, fq. 168 – 172); 7. Gërzheta (Kurti,
II, fq. 36 – 38, = Muçi II, fq. 106 – 111); 8.Kurrkund shoq i pashoq nuk â (është)
(Kurti, II, fq. 101 – 102, = Muçi II, fq. 173 – 174); 9. Dy probatinat (Kurti,
I, fq. 45 – 49, = Muçi II, fq. 116 – 124); 10.Dushk për gogla (Kurti, I, fq.
108 – 109, = Muçi II, fq. 114 – 116); 11. Motra e shtatë vëllezërve (Kurti,
II, fq. 29 – 31, = Muçi II, fq. 134 – 137); 12. E bukura dheut dhe shtriga
(Kurti, II, fq. 29 – 31, = Muçi II, fq. 134 – 137); 13. Treqind grosh për një
ujk (Kurti, II, fq. 31 – 33, = Muçi II, fq. 177 – 182); 14.Hajni ortak
(Kurti, II, fq. 31 – 33, = Muçi II, fq. 199 – 205); 15. Bima e Buçit (Kurti,
"Prralla kombtare", në "Folklori shqiptar", I, Proza popullore, Tiranë, 1966, II,
fq 375 – 377 = Muçi, II, fq 215 – 222); 16. Borxhi i vonë gëzon të zonë
(Kurti, "Prralla kombtare", në "Folklori shqiptar", I, Proza popullore, Tiranë, 1966,
II, fq 385 – 386 = Muçi, II, fq 175 – 176). (Shënim: Ne kemi analizuar vetëm bleun
(vëllimin) II të V. Muçit, Vëllimin e parë nuk e kemi gjetur). Për të gjitha përrallat
e sipërshënuara nuk jepet fare se janë të Atë Donat Kurtit, por është për të ardhur
keq se në krye të veprës Muçi ka vënë vetëm emrin e vet. 16 përrallat e Kurtit kanë
vetëm një ndryshim të vogël se janë kthyer në gjuhën letrare. Në këtë mes duhet
vënë në dukje një fakt domethënës: Në vitin 1966, në kulmin e diktaturës (mos të
harrojmë se një vit më vonë, me 1967, u shkatërruan me kulm e me themel institucionet
fetare), nga Instituti i Folklorit u botuan disa përmbledhje me përralla popullore,
ku, në vëllimin I, u përfshinë mjaft përralla të Atë Kurtit. Redaksia e përbërë nga
dijetarë folklorist të shquar, si: prof. Zihni Sako (redaktor përgjegjës), prof. Ziaudin
Kodra, Filip Ndocaj, Keti Harito dhe Jorgo Panajoti, vërtetë ia përgjysmuan emrin
në D. Kurti (gjë e kuptueshme për kohën), por, ama, përrallat nuk ia mohuan. Në hyrje
të librit shkruan: "Përrallat nga numri 119 e gjer në 189 janë marrë nga vëllimi
I, II i "Prrallava kombtare" të D. Kurtit. Këto përralla u redaktuan nga Filip Ndocaj
(shih Instituti i Folklorit, "Folklor shqiptar", I, proza popullore, vëllimi II, Tiranë,
1966, fq 138 – 421). Në rast se diktatura e masakroi dhe ia errësoi emrin këtij
njeriu të shquar, demokracia ka për detyrë t'ia nxjerrë në dritë veprën e tij. Për
hatër të Zotit të bëhet kjo, ngase mjaft është lënë në heshtje ky dijetar i martirizuar.
Për këtë shprehim kërkesën se Z. Muçi, në qoftë se do ta ribotojë veprën, ose po të
vazhdojë vëllimet e tjera të librit "Përralla shqiptare për 100 + 1 natë", po të marrë
përralla nga D. Kurti, është e udhës që t'i përcaktojë këto me tituj e me numër faqesh,
duke shkoqitur qartë se cilat janë djersa e Atë Donatit, e cilat janë të tjetërkujt.(Përmendja
e emrin në përgjithësi në bibliografinë e veprës është e mangët dhe e pamjaftueshme).
Vetëm po të veprojmë kështu, haku shkon tek i zoti, aq më tepër kur të zotit i është
hangër haku gjithë jetën…Edhe më keq ngjet kur për përrallat e marruna fjalë për fjalë
nga D.Kurti, shënohet "Të drejtat janë të autorit Virgjil Muçajt" (?!) Atë Donat
Kurti vdiq më 10 nëntor 1983. Edhe vdekja e tij, ashtu si dhe jeta, qe e varfër
dhe e frikshme. E mbesa, Riti Radovani (Toska), duke sjellë ndërmend atë ditë të dhimbshme,
me lot në sy e më një zë që i dridhet thekson: "Mua më paraqitet si një film
bardh e zi dita e 11 nëntorit 1983. Shumë njerëz dëshironin të merrnin pjesë në ceremoninë
mortore të tij, t'ia shihnin për herë të fundit atë fytyrë fisnike t'ia puthnin atë
dotë që kishte shkruar aq shumë për kulturën shqiptare, por …shumë pak erdhën. Frika
e persekutimit, kjo ndjenjë e keqe që e shkatërroi këtë komb, bëri që të mohohej njeriu
i zemrës dhe i shpirtit" (shih, Florenca Jakova (Radovani), Atë Donat Kurti, jeta
e vepra, temë diplome, Universiteti "Luigj Gurakuqi", Departamenti i Letërsisë, 1999). Për
vdekjen e këtij dijetari nuk u shkrua asnjë rresht. Atij, siç iu mohua jeta, iu mohua
edhe vdekja. Si datë vdekjeje merret viti 1969, pra, bëhet i vdekur 14 vjet përpara
(shih Robert Elsie, "Historia e letërsisë shqiptare", Tiranë – Pejë, 1997, fq.378). Por,
fatmirësisht, atë që nuk e bëri shqiptari e bëri i huaji. Para 3-4 vitesh në Gjermani
u zhvillua një Simpozium i gjerë në shkallë ndërkombëtare, për Epikën heroike. Karrigia,
ku ishte shkruar emri i Atë Donatit, e zbukuruar me një tubë lule shumëngjyrëshe,
ndejti e pazënë në të gjitha ditët e tubimit…Kjo shenjë nderimi ishte mirënjohja dhe
respekti që kishte bota e qytetëruar për të. Kjo ishte njëkohësisht dhe një qortim
për ne, duke vërtetuar më së miri thënien lapidar të prof. Skënder Luarasit, se: "E
gjithë bota i ndërton heronjtë prej balte, ne i kemi dhe i hedhim në baltë". Në
sa po jepte shpirt ky njeri i bekuar, la amanet vetëm tri fjalë: Dashuri!,
Vëllazëri !, Mëshirë ! Ishte mesazhi i fundit i shpirtit të tij fisnik,
mesazhi i një dijetari të martirizuar, që e deshi aq shumë popullin dhe atdheun e
vet e që për ta arriti deri në flijim… 16 settembre 2010 nga Prof. Dr. Simon
Pepa