2012-11-09 17:19:29

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: Dom Kaçorri në Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë, sipas dëshmive.


Në sa shkruante Historinë e Shqipërisë në gjuhën gjermane, për të sensibilizuar botën për çështjen shqiptare, Atë Paulini, prof Margjokaj, historian i mohuar edhe ky, që po del në dritë kohët e fundit, përveç dokumenteve të mbledhura në arkivat më në zë të Evropës e të botës, shkëmbeu biseda e letra edhe me pjesëmarrësit e drejtpërdrejt në ngjarjet me rëndësi jetike për Shqipërinë. Ndërmjet tyre, letërkëmbimi me Mustafë Merlikën, nga i cili po shkëpusim këtë dëshmi:
Në letrën e 29-të që i dërgon atë Paulinit nga Ramlehu (Aleksandrí), datuar 11. 10. 51, duke iu përgjigjur pyetjes së tij mbi fillimet e veprimtarisë atdhetare të Dom Kaçorrit, Merlika shkruan:
“Ishem tashmâ i njohun në gjithë prefekturën e Durrsit, Kruja m’adhuronte, ndonëse djalë 23- vjeçar. I a hyna propagandës e nji organizimi të fshehtë. Formova, në bashkëpunim me dom Nikoll Kaçorrin, nji komitet revolucjonar me qêndër në Durrës me elementa intelektualë të rij. ..
Ishem 25 vjeç. Si muer fund kuvêndi u emnuesh nënprefekt i... kryeqytetit ase në dash thuej prefekt e në dash guvernor, se krejt Shteti aso kohe ishte vetëm ajo nënprefekturë. Mbas nja tre muejsh, Ismail Kemali më muer si sekretar të kshillit ministruer. Ishem edhe “senator” ndër 12 qi zgjodh kuvêndi me funkcjon konsultativ pranë qeverís së përkohshme, të kryesueme prej Ismail Kemalit vetë e ku Kaçorri ishte nënkryetar”.
Vjen pastaj letra e 24-t e Margjokajt, nisur nga Graci, datuar 29 fruer 1952, me një pyetje për personalitetin e Kaçorrit: “5) Mons. Kaçorri, me të cilin - si më ké shkrue perpara - keni pasë punë sa heresh, a âsht kenë mâ fort italofil apor austrofil a por âsht kênë shqyptar i saktë si Ti e Luigji, qi mendojn kryekrejet të mirën e atdheut pa u fiksue në nji idé: jo Italí; jo Austrí, jo Francë e jo Gjermaní!”.
Më pas, përgjigjja e Merlikës, nga Ramleh (Aleksandrí), shkruar më 21.02. 1952:
“Kaçorri ka mendue thjesht e vetëm si mâ i kullueti Shqiptar idealist, e ashtu edhe ka veprue”.
Ndërsa në letrën e 53-të, shkruar më 21.1. 55 në Ramleh, Merlika shkruan:
“Për Janinën un nuk dij kurrgjâ të sigurtë, madje nuk dij veçse çança qi vijshin rrotull aso kohe e që ishin në gojë të gjithë kundrështarë të Ismail-Kemalit. Dij qi ky ka dekun pa ovull në xhep e qi në Vlonë pranë tij kanë qênë Luigj Gurakuqi, D. Nikoll Kaçorri e sa patrijotë tjerë të panjollë”.
Në letrën e nisur nga Grazi, me 25 fruer 1955, frati-historian i drejton politikanit, të pranishëm personalisht në të gjitha ngjarjet vendimtare për historinë e Shqipërisë, një pyetje tjetër, vërtetë të rëndësishme: “A ka pasun përnjimênd patrijotë shqiptarë në perjodën risorgjimentale (1878-1912)”.
Nga Ramlehu arrin përgjigjja, letra 55, datuar 15. 03. 1955:
I dashuni miku im,
A ka pasun përnjimênd patrijotë shqiptarë në perjodën risorgjimentale (1878-1912) - kështu po e quejmë atë perjodë, nemose sa për t’u marrë vesht-, apor ato shfaqje konkrete qi na përgjithsisht quejmë patrijotizëm shqiptare kanë qênë efekt ndiesije fetare ase propagande të përjashtme e manovrash të Shtetevet qi kishin interesë me krijuem nji nacjonalizëm shqiptare? Kështu po e formuloj un këtë pjesë të letrës s’ate. Tý po të shoh tepër shqeptik e pesimist për sa i përket ksaj pike. E nuk jam në nji mendin me tý. Pra nuk besoj se mund të më marrin për zêmërbutë e optimist për të mêtat t’ona ata qi më njohin. Un dij qi ka pasun shqiptarë myslimanë n’atë perjodë qi kanë vepruem për të drejtat e kombit të tyne të shkeluna prej zotnuesit tyrk, orthodoks qi kanë punuem kundra pretendimeve greke mbi toka shqiptare e për autoqefalín’ e kishës orthodokse shqiptare. Jam i bindun se edhe katholiqt shqiptarë - flas për klasën e stërvitun, në të gjitha këto pohime - s’kanë punuem vetëm si katholiq kundra nji sundimi mysliman, por mâ par’ e mâ dalë si Shqiptarë. Për këtë bindje më ka ramë me pasun nji provë tejet të bukur personalisht: Imzot Nikoll Kaçorri, pak kohë para kuvêndit të Vlonës qi shpalli pavarsinë e kombit, në nji diskutim të fortë ndërmjet nji tube patrijotësh ku merrsha pjesë edhe un e qi kishte për subjekt me kërkuem protekcjonin e Austro-Hungarisë mbi nji Shqipní të shkëputun nga Tyrqija, i kundrështoi me tânë fuqin’ e djalektikës e afshin e patrijotizmës së tij ksaj these, të parashtrueme prej nji myslimani, tue shtuem edhe se nji protekcjon i Tyrqisë së dobët e të dënueme me e lëshuem, heret a vonë, tokën e saj n’Evropë, i dukej mâ pak i rrezikshëm se ai i nji Austrije të fortë, nga thonjt e së cilës ishte vështirë me shpëtuem mâ.
Ka shtete të hueja qi i kanë ndihun propagandës nacjonaliste shqiptare: Austro-Hungarija, Italija, Rumenija, Bullgarija, Amerika e deri Egjypti, aktivisht ose pasivisht. Por do t’ishte nji padrejtsí kundra vetes s’onë me besuem e me thânë se kanë qênë ato shtete krijuesat e asaj propagande, t’asaj veprimtarije. Po edhe sikur të kenë qênë ato - qi për mue s’kanë qênë- , duhet me pohuem se kanë gjetun ndër Shqiptarët tokë të butë për t’a mbjellë propagandën e tyne. Nji mysliman besimtar, sikur mos t’ ishte edhe nji nacjonalist i mirë, jo vetëm s’do t’i a kishte vûmë veshin propagandës së nji Shteti të krishtênë, por do të kishte bâmë të kundërtën e këshilleve të tija. Sa për me u thyem me pare a interesa tjetër faret, jo, se njihen njerëz qi do t’ishin gjindun shumë mâ mirë me interesat e tyne tue i shërbyem Sulltanit babë, se tue i ramë ndesh e mohit. Sa për Lidhjen e Prizrenit, nuk dij me të thânë mâ tepër sa ka shkruem Ippen-i në Ill.- alb. Forschungen. Po shtoj vetëm nji komentim të vogël: myslimanët mâ fanatikë të Shqipnisë, qi kanë qênë ata të qytetit të Shkodrës, u vranë me vllaznit myslimanë t’ushtrisë së Dervish pashës për vllaznit shqiptarë t’Ulqinit”.
Besojmë se këto rreshta do t’i shërbejnë Historisë së ardhme të Shqipërisë e edhe asaj dore, që do të marrë pendën për të hartuar një monografi të re të Imzot Kaçorrit, i cili na foli prekshëm edhe me kthimin e tij të pazakontë në Atdhe, mbas një shekulli.
____
Bibliografi:
Për më shumë, kërko në internet në adresën “Nikollë Kaçorri”; shih Don Pren Kola “Imzot Nikollë Kaçorri për mëvetësinë e Shqipërisë”, botuar tek revista “Shpresa e Prishtinës” dhe tek “Zëri i Shën Nikollës”, në Velezhë të Prizrendit; lexo Bardhosh Gaqe, “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare”; SH.B. Naim Frashëri, Tiranë, 1977, Në faqen 84-86 është jetëshkrimi i Imzot Nikollë Kaçorrit, ku si datë lindjeje shënohet viti 1862 e jo 1868, dhe bibliografia, mbi të cilën u mbështet autori për jetëshkrimin. Shiko, sidomos, Revistën ‘LEKA’ nr. 8-12, viti 1937, fq 395.Mund të shfletosh librin “Letërkëmbim”-Merlika-Margjokaj-1947-1958. Botuar nga Camaj-Pipa në Shkodër, në vitin 2006, përgatitur nga Bashkim Merlika e Daniela Dukagjini. Libri përmbledh 123 letra shkëmbyer ndërmjet Mustafë Merlikës e Atë Paulin Margjokajt. Shkas i lindjes së këtij letërkëmbimi është interesimi i Fratit për dëshmi e hollësira të jetuara, në sa shkruante historinë e Shqipërisë, në gjuhën gjermane, dorëshkrimi i së cilës ruhet në Arkivin françeskan në Shkodër.







All the contents on this site are copyrighted ©.