2012-11-09 17:19:09

Jetëshkrim i Dom Nikollë Kaçorrit


“Dom Nikolla shqipe mali/ Krahu i djathtë i Ismail Qemalit". (Popullore)
Kaçorri Nikollë ka lindur në Krej të Lurës në vitin 1862. Pas mësimeve të para në Seminarin e Troshanit në Lezhë, përfundoi shkollën e Propagandës Fide-s për Teologji në Itali. Me përfundimin e studimeve u shugurua prift. Në vitin 1894 u emërua famullitar në kishën katolike të Durrësit. Me fillimin e detyrës si prift shërbeu edhe si mësues i shkollës fillore që çelen Austro-Hungarezët në këtë qytet. Ish nxënësit e kësaj shkolle kujtonin “Na, nxanësit Dom Nikollën e kemi dash fort dhe e ndigjojshim me dëshirë. Ai i pari na ka shti në zemër atdhedashuninë. Gjithnji, tue na spiegue mësimin e fesë, na fliste për historinë e vendit tonë, për begatinë e natyrës…”
1) Në vitet 1905 – 1907 ishte ndër drejtuesit kryesorë të Kryengritjes antiosmane të Kurbinit (Krujë), ku thirren edhe kuvendin e Delbinishtit. Ndihmoi kryengritjen duke grumbulluar edhe armë, në hanin e Mustë Ali Brahimit. Sipas revistës “Leka”, ushtria turke zuri në Shijak rrogëtarin e Imzot Kaçorrit me armë e municione, të cilat i dërgonte në Delbinisht tek Arqipeshkvi Imzot Bianki. Dom N. Kaçorri doli në gjyqin ushtarak, ku u dënua me burg “Pse jepte udhëzime për kryengritjen”.
2) Sipas gazetës “Dielli”, edhe pse u dënua me burg, ai vazhdoi me punue për lëvizjen kombëtare”
3) Ndihmoi në organizimin e shoqërisë “Bashkimi” të Durrësit bashkë me dr. Neki Libohovën dhe atdhetarët durrsakë. Pranë këtij klubi çeli kursin për mësimin e gjuhës shqipe. Bëri përpjekje për krijimin e shoqërisë “ Vllaznia”, e cila punoi për përhapjen e ndjenjave kombëtare. Pranë kësaj shoqërie u krijua edhe teatri, i cili drejtohej prej mikut të tij Stef Kaçulini. Në nëntor 1908 u zgjodh delegat i Durrësit në Kongresin e Manastirit. Atje u takua me Hilë Mosin, Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin e Fehim Zavalanin, me të cilët në vitet më vonë, kishte korespondencë. Në vitin 1909 ishte delegat në Kongresin e Elbasanit. Pushtuesit osmanë, duke ndjekur veprimtarinë e tij kombëtare e arrestuan përsëri. Në kujtimet e tij një bashkëkohës shkruan: “Një ditë të qershorit 1910, kur dy katundarë ishin tue ngarkue mbi kuaj pushkë dhe municione midis plaçkave e rrethuan hanin zaptimet. Unë ngava vrapë në kishë dhe lajmërova Dom Nikollën, për çka kishte ndodhë. Dom Nikolla nxitoi në han dhe u briti zaptijeve mos t’i prekin katundarët. Por zaptiet kthyen pushkët drejt katundarëve dhe Dom Nikollës që ishte bashkue me ta. Zaptiet i muerr përpara dhe i mbyllen në nji dhomë të xhandërmarisë”.
4) Për arrestimin e tij protestuan mëmëdhetarët në SHBA, Bukuresht dhe Egjipt. Gazeta “Liria” e Selanikut shkruante: “Në një letër që muarrëm nga Durrës na lajmëron se, Dom Nikollë Kaçorri, delegati i këtij qyteti në Kongres të Alfabetit në Manastir dhe në Kongres të Elbasanit është burgosur, nga shkaku se shërbëtorit të tij i kanë gjetur një letër të shkruar për një prift të Malcisë, në të cilën i kërkohet të jenë gati me armë se erdhi dita…”.
5) Me 23 tetor 1910 shqiptarët e Bostonit në Amerikë protestuan kundër politikës antishqiptare të xhonturqve, dhe dolën në mbrojtje të Dom Nikollës. Kjo protestë është firmosur nga Fan S. Noli.
6) Në vitet 1911 – 1912 ishte në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në nëntor 1912 priti e strehoi në Durrës, Ismail Qemalin dhe atdhetarët e tjerë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Shkoi në Vlorë, ku firmosi aktin e Shpalljes së Pavarësisë, si delegat Arqipeshkvit Imzot Biankit. Konsulli Vencel Lejhanec i Austrisë në relacionin e tij, datë 29 nëntor 1912 shënon: “Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, famulltari i Durrësit, Emzot Kaçorri që kryesonte Kuvendin Kombëtar në krahë të Ismail Qemalit, u zgjodh me brohoritje zëvendësi i tij …”
3) Në vitin 1914 u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Vjenë. Dom Nikollë Kaçorri vdiq me 29 maj 1917. Gazeta “Vllazëria” në artikujt e saj shënon: “Emzot Nikollë Kaçorri vdiq”, “Prej jetës së Emzot Kaçorrit” shkruhet për kontributin e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kjo gazetë nënvizon: “Emzoti ynë i përmblidhte në vedi vetitë ma të mira qi ka populli shqiptar. Ai ishte trim e besnik. Dashtëninë për kombësinë e vetë e tregoi jo vetëm me fjalë, por edhe me të bame tuj u përpjekë me gjithë fuqitë e veta për pritmjen dhe fatbardhësinë e popullit të vet. Me një gjakftohtësi të pashoqe, gjithmonë gadi me ju ba ballë trimnisht anmiqve, u mundue që sa mot për të mirë të popullit shqiptar. As salvimi, as të këqiat që hoq, e as burgu që bani nuk ia ndërruen mendjen qi mos me i mbrojt ma të drejtat e popullit të vet, por si luftëtar trim deri ne ma të mbramin sahat të jetës, e mbajti nalt flamurin e kombit e vdiq si bir besnik i popullit të vet…”
7) Varrimi i tij u bë nën kujdesin e kolonisë shqiptare të Vjenës. Me 2 qershor 1917 u dha meshë për në kishën e njohur të “Shën Maria e Treut”.
----------
1. Zef Vlashi “ Lufta për çlirimin Kombëtar 1878 – 1912” fq. 419 Tiranë 1962
2. Revista “Leka”, fq 395, nr.8-12, viti 1937.
3. Gazeta “Dielli”, nr.83, 89, Boston viti 1911.
4. Augustin Serreqi “Lufta për çlirimin Kombëtar 1878 – 1912”, fq. 421, Tiranë 1962.
5. Gazeta “Liria”, Selanik, nr. 94, datë 10 korrik 1910; Gazeta “ Tomorri”, nr. 10 datë 23 qershor 1910.
6. Gazeta “Dielli”, Boston, datë 23 tetor 1910.
7. Gazeta “Vllaznia”, Vjenë, nr. 60, datë 5 qershor 1917.

Jetëshkrimi u shkëput nga libri i Bardhosh Gaçes, “Ata që shpallen Pavarësinë Kombëtare, Shtëpia Botuese Naim Frashëri”, Tiranë, 1997, fq 84-86







All the contents on this site are copyrighted ©.