2012-11-08 15:16:28

Papa: universi nuk është fryt i kaosit, shkenca dhe feja të bashkëpunojnë për të mirën e njerëzimit


Shkenca dhe feja janë të nevojshme për të krijuar një “kulturë, që respekton njeriun”. Është një nga frazat më domethënëse të fjalës së Papës Benedikti XVI para anëtarëve të Akademisë Papnore të Shkencave, të cilët i priti sot paradite në audiencë. Ata janë të pranishëm në Romë për sesionin e tyre të përgjithshëm me temë “Kompleksiteti dhe analogjia në shkencë: aspekte teorike, metodologjike dhe epistemologjike”. Papa theksoi se universi nuk është fryt i kaosit, por ndërlikimet e kompleksiteti, që hasim në të, është i menduar, ndjek një rend të caktuar. Benedikti XVI përmendi veçanërisht ato përpjekje të teknologjisë e të shkencës, që synojnë unifikimin e forcave, bashkimin e formave të ndryshme të energjisë në një forcë elementare të vetme e themelore:
“Një qasje e tillë ndërdisiplinore tregon se shkencat nuk janë botë intelektuale të ndara nga njëra-tjetra e nga realiteti, por janë të ndërlidhura, priren ta studiojnë natyrën si një realitet i vetëm, i kuptueshëm dhe i harmonishëm”.
Pavarësisht se çasti i parë i jetës së universit nuk është i qartë për shkencën, gjithsesi, ajo ka zbuluar një sërë dinamikash, që vënë në dukje një rend të qartë të sendeve, që ka ekzistuar gjithnjë:
“Një këndvështrim i tillë përputhet frytshëm me pikpamjen filozofike e teologjike të krishterë mbi universin… Është pikërisht ky organizim logjik dhe analogjik i natyrës, që e nxit punën kërkimore-shkencore ta çojë mendjen e njeriut drejt zbulimit të bashkëpunimit horizontal ndërmjet njerëzve dhe të pjesëmarrjes transhendetale të Zotit”.
Kompleksiteti i shkencave dhe zbulimet e tyre, vazhdoi Ati i Shenjtë, ndikojnë drejtpërdrejt mbi shoqërinë njerëzore. E në këtë Vit të Fesë, që sapo ka filluar, Papa bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet njerëzve të shkencës dhe atyre të fesë:
“Jam i bindur për nevojën urgjente të dialogut të vazhdueshëm e të bashkëpunimit të përhershëm ndërmjet botës së shkencës dhe asaj të fesë, për të krijuar një kulturë, që respekton njeriun, dinjitetin dhe lirinë e tij”.
Ky dialog, sipas Benediktit XVI, është i rëndësishëm për të ardhmen e familjes njerëzore e për zhvillimin e planetit:
“Pa këtë bashkëveprim të nevojshëm, çështjet e mëdha të njerëzimit largohen nga terreni i arsyes dhe i së vërtetës e lihen në mëshirën e irracionales, të mitit apo të indiferencës, me dëme të mëdha për njerëzimin, për paqen e së fundi, edhe për fatin tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.