2012-11-08 14:57:00

Dhimbja e Papës për viktimat e tërmetit në Guatemalë: ndihmat qofshin të frytshme e bujare


Me një mesazh, Papa Benedikti XVI shprehu sot dhimbjen e tij të thellë për viktimat e tërmetit, që goditi dje rajonet veriperëndimore të Guatemalës. Deri tani, të vdekurit kanë kaluar shifrën 50, mëse 20 nuk gjenden akoma, ndërsa të shpërngulurit i kalojnë 17 mijë vetët, për të mos llogaritur dëmet materiale, si shembja e shtëpive dhe shkatërrimi i infrastrukturave. Tërmeti prej 7,4 ballësh të shkallës Rihter u ndje sidomos në zonën e San Markos, ndër më të mëdhatë e vendit, në kufi me Meksikën. Benedikti XVI u shfaq popullsive afërsinë e tij shpirtërore në këtë fatkeqësi të jashtëzakonshme natyrore. Papa bën thirrje për solidaritet vëllazëror, duke inkurajuar të gjitha bashkësitë e krishtera, institucionet civile dhe njerëzit vullnetmirë t’i ndihmojnë viktimat me bujari, sa më shpejt të jetë e mundur. Së fundi, Ati i Shenjtë i lutet Zojës Rruzare, për të cilën ka devocion të veçantë populli i Guatemalës, t’i mbrojë me dashuri të gjithë ata, që ndjejnë nevojën për ngushëllim në këtë çast të vështirë e të trishtuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.