2012-11-08 12:16:19

Atë Lombardi: dhurata e Papës dhe e Sinodit në favor të populsisë siriane.


Për thirjen e Papës ndërhyn, përmes një note, drejtori i sallës ë Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
Që nga fillimi i krizës siriane, Selia e Shenjtë ka ndërhyrë disa herë për zgjidhjen paqësore të konfliktit. Ati i Shenjtë ka kërkuar vazhdimisht që të marrë fund spiralja e dhunës e të hapet rruga e dialogut dhe e pajtimit. Në Sinodin e Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, kohët e fundit, u njoftua, me dëshirën e vetë Papës, misioni i një grupi përfaqësuesish të Etërve Sinodalë, që dëshironin t’i shprehnin solidaritetin dhe afërsinë shpirtërore të Atit të Shenjtë e të mbarë Kishës, popullsive të Sirisë e, sidomos, bashkësive të krishtera të vendit, duke inkurajuar, njëherësh, edhe të gjithë ata, të cilët impenjohen në kërkim të rrugëzgjidhjes, që respekton të drejtat dhe detyrat e të gjithëve. Rrethana e zhvillime të ndryshme nuk i krijuan kushtet për kryerjen e misionit, sipas parashikimeve. Prandaj Ati i Shenjtë, i frymëzuar nga dëshira për ta nxitur nismën, zgjodhi për këtë mision të posaçëm, kardinalin Robert Sarah, Kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum. Hirësisë së Tij iu besua detyra t’u shprehë popullsive, të vëna në provë të rëndë, afërsinë e Selisë së Shenjtë dhe të mbarë Kishës universale si dhe impenjimin humanitar të Kishës katolike në Rajon. Me këtë synim kardinali Sarah po viziton Libanin, duke nisur që sot e deri më 10 nëntor. Prelati i lartë do të takohet me përfaqësuesit e Kishave të ritve të ndryshme, posaçërisht me barinjtë dhe besimtarët e Kishës greko-katolike të Sirisë e të Libanit dhe me grupe refugjatësh sirianë. Më 9 nëntor, në Beirut, nën drejtimin e Cor Unum, do të mbahet takimi i koordinimit me agjencitë katolike, që kryejnë misionin në Siri e në vendet fqinje, posaçërisht për të mbështetut refugjatët. Gjatë takimit, do të vihet theksi mbi zonat, që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe do të bashkërendohet impenjimi i institucioneve katolike në Rajon, për të mbështetur popullsinë siriane.
Për këtë qëllim do të përdoret dhurata e Sinodit të Ipeshkvijve, së cilës Ati i Shenjtë i shtoi edhe kontributin e tij personal. Pas tij, shuma e përgjithshme arriti në një milion dollarë amerikanë.
Selia e Shenjtë ka besim se kjo nismë, me natyrë humanitare dhe kishtare, do të ndihmojë për lehtësimin e gjendjes së të gjithë atyre, që vuajnë nga kriza aktuale. Do të nxisë edhe palët e interesuara si dhe të gjithë ata, që e kanë për zemër të mirën e Sirisë, në kërkim të rrugëzgjidhjes së drejtë e paqësore të konfliktit.










All the contents on this site are copyrighted ©.