2012-11-07 16:08:06

Thirrje e Papës për Sirinë: “Të bëhet ç’është e mundur për paqen, sepse një ditë mund të jetë tepër vonë!”.


Sot, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa bëri përsëri thirrje për paqe në Siri.
Benedikti XVI vijon të ndjekë me vëmendje të veçantë situatën tragjike të dhunës në Siri, ku nuk pushon vringëllima e armëve e vijon të shtohet numri i viktimave dhe vuajtja çnjerëzore e popullsisë, posaçërisht e atyre, që detyrohen të braktisin vatrat. Pikërisht për t’i shprehur solidaritetin e tij e të mbarë Kishës popullsisë së Sirisë dhe afërsinë shpirtërore bashkësisë së krishterë në vend, Papa pati dëshirë të dërgonte një delegacion të Etërve Sinodalë në Damask:RealAudioMP3
Për fat të keq rrethana e zhvillime të ndryshme nuk krijuan mundësi për realizimin e nismës sipas dëshirës, e prandaj vendosa t’i besoj një mision të posaçëm kardinalit Sarah, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum”.
Që sot Hirësia e Tij ndodhet në Liban, ku do të qëndrojë deri më 10 nëntor, për t’u takuar me barinjtë dhe besimtarët e Kishave të pranishme në Siri. Kardinali do të vizitojë edhe disa refugjatë, ardhur nga ky vend e do të kryesojë takimin për koordinimin e veprimtarisë së institucioneve bamirëse katolike, të cilave Selia e Shenjtë u ka kërkuar të impenjohen me të gjitha forcat në ndihmë të popullsisë siriane, brenda e jashtë vendit:
Ndërsa i lartoj lutjen time Zotit, përsëris ftesën drejtuar palëve në konflikt dhe të gjithë atyre, që e kanë për zemër të mirën e Sirisë, të mos kursejnë asnjë përpjekje në kërkim të paqes dhe të vijojnë, përmes dialogut, ecjen në rrugët, që çojnë drejt bashkëjetesës paqësore, në pritje të zgjidhjes së përshtatshme politike të konfliktit. Duhet të bëjmë ç’është e mundur, sepse një ditë mund të jetë tepër vonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.