2012-11-07 15:05:52

Papa përshëndet presidentin e rizgjedhur amerikan e lutet për përgjegjësinë, që Obama duhet të marrë para kombit e botës


I lutem Zotit t’ju ndihmojë në përgjegjësitë shumë të rënda, që keni përpara vendit e bashkësisë ndërkombëtare: kështu i shkruan Papa Benedikti XVI, presidentit të SHBA-ve, Barak Obama, pas rizgjedhjes së tij në Shtëpinë e Bardhë. Në tekstin e dërguar përmes Nunciaturës Apostolike në Uashington, Papa uron edhe që “idealet e lirisë e të drejtësisë, të cilat udhëhoqën themeluesit e SHBA-ve, të vazhdojnë të ndriçojnë udhën e kombit”. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Siç e dimë të gjithë, detyra e presidentit të SHBA-ve kërkon përgjegjësi të jashtëzakonshme jo vetëm për vendin e tij të madh, por për të gjithë botën, duke pasur parasysh rolin e SHBA-ve në skenën ndërkombëtare. Prandaj, të gjithë i urojmë presidentit Obama t’u përgjigjet aspiratave të bashkëqytetarëve të tij, t’i shërbejë së drejtës dhe drejtësisë për të mirën e çdo njeriu, duke respektuar vlerat themelore njerëzore e shpirtërore e duke promovuar kulturën e jetës e lirinë fetare – gjithnjë shumë të çmuara në traditën e popullit amerikan e në kulturën e tij. Lutemi gjithashtu të gjejë rrugët më të mira për të rritur mirëqënien materiale e shpirtërore të të gjithëve e për të nxitur zhvillimin e plotë të njeriut, si edhe drejtësinë e paqen në botë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.