2012-11-07 16:07:54

Papa në audiencën e përgjithshme: jemi shokë udhe edhe me atë, që nuk beson, por kërkon të vërtetën e të mirën.


“Njeriu është në kërkim të Zotit, edhe në se nuk e di”. Ky ishte mendimi kryesor, që përshkoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit. Në këtë kërkim të Zotit, vijoi Papa, do të ishte e nevojshme të promovohej “pedagogjia e dëshirës”, duke e ndjerë veten shok udhe edhe me ata, që nuk besojnë.
Ta pohosh sot këtë të vërtetë, përballë njeriut perëndimor të shekullarizuar, tingëllon si provokim. Benedikti XVI e di mirë këtë e, megjithatë, pohon se, i vetëdijshëm ose jo, njeriu e ka gjithnjë në shpirt dëshirën misterioze për Zotin:RealAudioMP3
“Shumë nga bashkëkohësit tanë mund të kundërshtojnë e të thonë se nuk e ndjejnë fare këtë dëshirë për Zotin. Për sektorë të tërë të shoqërisë, Ai nuk është më i prituri, i dëshiruari, por, për fat të keq, një realitet, që të lë krejt indiferent, të cilin nuk duhet të marrësh mundimin as ta kujtosh. Në të vërtetë, ajo që e quajtëm “dëshira për Zotin” nuk është shuar plotësisht. Duket edhe sot në njëmijë mënyra, në zemrën e njeriut”.
Për ta shpjeguar këtë dinamizëm, Papa u nis nga një shembull i thjeshtë: nga ajo që ndodh në zemrën e njeriut, kur dashuron. Perceptimi i parë i dashurisë është një gjendje ekstaze, një shtytje për të dalë nga vetvetja. E në se dashuria nuk është e rreme, por e vërtetë, të nxit t’ia duash tjetrit të mirën, t’i shërbesh, deri në flijim. Ndonëse edhe kjo shtytje ka kufizimet e veta:
As njeriu i dashur nuk është në gjendje ta shuajë etjen e zemrës, madje, sa më e vërtetë të jetë dashuria, aq më shumë dëshiron të zgjasë përgjithmonë. Prej këndej, përvoja njerëzore e dashurisë ka në shpirt një forcë, që të çon përtej vetvetes, është përvojë e një të mire, e cila të nxit të vihesh ballë për ballë me misterin, që përshkon mbarë jetën”.
Duke qenë mister, vijoi Benedikti XVI, do të thotë se njeriu e njeh mirë sidomos atë, që nuk ia shuan etjen, ndërsa nuk e përfytyron e as e përcakton dot, atë që, mund ta bëjë të provojë lumturinë, për të cilën ka mall zemra e tij. E këtu Papa kujtoi se edhe në epokën tonë, në dukje kundërshtare e përmasës së mbinatyrshme, mund të hapet një shteg, që çon kah ndjenjat e vërteta fetare të jetës e që tregon se dhurata e fesë nuk është absurde, jashtë çdo arsyeje të mirë:
“Do të ishte shumë e nevojshme, për arritjen e këtij qëllimi, një lloj pedagogjie e dëshirës, si për udhën e atij, që nuk beson akoma, ashtu edhe të atij, që e ka marrë dhuratën e fesë. Një pedagogji, që përbëhet, së paku, nga dy aspekte. Në radhë të parë, kërkon të mësohesh ose të rimësohesh me shijen e gëzimeve të vërteta të jetës”.
Atyre, mendon Benedikti XVI, që mund të shijohen në familje, ndërmjet miqve, në vepra solidariteti me të vuajturit, duke pasur parasysh se ndjenja të tilla duhen edukuar që në moshë të njomë:
Gjithë kjo do të thotë ta ushtrosh shijen shpirtërore e të prodhosh antitrupa, të aftë për t’iu kundërvënë banalizimit e rrafshimit, sot aq shumë të përhapura. Edhe të rriturit kanë nevojë t’i zbulojnë këto gëzime, të dëshirojnë realitete të vërteta, të pastrohen nga mediokriteti, me të cilin mund të jenë ngatërruar. Bëhet, atëherë, më e lehtë mundësia për t’u çliruar e për t’iu kundërvënë gjërave, që mund të duken tërheqëse, por në të vërtetë janë të shpëlara, të imponuara nga forca e zakonit, e jo nga liria. Prej këndej buron dëshira për Zotin, për të cilën jemi duke folur”.
Ana e kundërt e medaljes, vërejti Papa, është dredhimi i rrugës, largimi nga e mira e vërtetë dhe kërkimi i parajsave artificiale. Nuk duhet të harrojmë kurrë, prandaj, vijoi Ati i Shenjtë, se dinamizmi i dëshirës hap gjithnjë rrugën kah shëlbimi. Këtu nuk është fjala për ta mbytur dëshirën, që zjen në zemrën e njeriut, por për ta çliruar, me vetëdijen se të gjithë jemi shtegtarë, për udhë kah e mira e përkryer, e amshuar, që askush nuk mund të na e rrëmbejë më:
Në këtë shtegtim, të ndjehemi vëllezër me të gjithë njerëzit, shokë udhe edhe me ata, që nuk besojnë, me ata, që janë në kërkim, që bëjnë pyetje të sinqerta, të nxitur pikërisht nga dëshira për të vërtetën e për të mirën. Të lutemi në këtë Vit të Fesë, që Zoti t’ua dëftojë Fytyrën e tij të gjithë atyre, që e kërkojnë me zemër të sinqertë”.
Në përfundim të katekizmit në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI përshëndeti, pastaj posaçërisht, besimtarët kroatë, duke kujtuar vizitën e tij në Zagreb, vitin e kaluar e duke nënvizuar përsëri rëndësinë e familjes, si burim vendimtar për edukimin në fe. Papa përshëndeti edhe një grup prej 500 mijë shtegtarësh polakë, dëgjues të rregullt të Radio Marisë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me ipeshkvijtë e tyre. Pas audiencës, shtegtarët morën pjesë në një kremtim eukaristik, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone.







All the contents on this site are copyrighted ©.