2012-11-07 11:54:25

Obama rizgjidhet president i SHBA-ve. Romnej pranon humbjen


Barak Obama u zgjodh sërish president i SHBA-ve. “Faleminderit që patët besim tek unë – u tha përkrahësve të tij në festë – tani, do të punoj së bashku me Romnejn për të mirën e Vendit; kundërshtitë ndërmjet nesh janë shenjë e demokracisë. Ne besojmë në një Amerikë bujare dhe tolerante e në të ardhmen do të bëhet edhe më mirë. Ekonomia po e merr veten e mund të kemi më shumë vende pune. Nuk kam pasur kurrë kaq shumë shpresa për të ardhmen”.
Telefonata e urimit e kandidatit republikan mbërriti pak para orës 7.00, sipas asaj shqiptare. “Lutem që presidenti të ketë sukses në udhëheqjen e kombit”, u tha mbështetësve të vet Mit Romnej, duke pranuar humbjen. Sipas sistemit amerikan, për Obamën kanë votuar 303 zgjedhës të mëdhenj, ndërsa për Romnejn, vetëm 206. Presidenti aktual, kandidat i demokratëve, arriti ta bëjë për vete shtetin kyç në këto zgjedhje, Ohajon, ku fitoi me 50,1% të votave në krahasim me 48,2% të kundërshtarit të tij. Në gjendjen aktuale, Kongresi mbetet i ndarë: republikanët kanë kontrollin e Dhomës së Deputetëve, ndërsa demokratët atë të Senatit.
Për një koment mbi rizgjedhjen e Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë, iu drejtuam amerikanistit të gazetës italiane “La Stampa”, Alberto Simoni:
Nëse shohim hartën zgjedhore të paradites së sotme, e kuptojmë se fitorja e Obamës është jo shumë e madhe nga pikpamja numerike, por tepër e rëndësishme nga pikpamja e kolegjeve zgjedhore. Praktikisht, ai ka fituar në të gjitha shtetet e pavendosura, duke i lënë Romnejt vetëm Karolinën e Veriut. Në fund të fundit, Obama fitoi, sepse shumë amerikanë nuk ishin aspak të bindur për kandidatin republikan. Vërtet që presidenti mbërriti në votime me popullaritet të rënë, me ekonominë në vështirësi, që mezi po e merr veten e, Romnej ishte më i besueshmi ndër ata që paraqitën republikanët, por sigurisht, nuk e pati dhe nuk e ka peshën që pritej. Prandaj, fitorja e Obamës është pjesërisht e lidhur me dobësinë e kundërshtarit të tij.
Ndërhyrjet e fundit në industrinë e makinave, për ta ndihmuar këtë sektor, ndikuan në zgjedhje, apo jo?
Po, mendoj se ndikuan, pasi shtetet, që në përgjithësi mund të ishin në favor të Romnejt e të republikanëve, faktikisht, votuan për Obamën. Të mendojmë për Miçiganin, ku Obama fitoi bindshëm; por edhe për Uiskonsin, shtet i përfaqësuar në parlament nga Pol Rajan, që Romnej e kishte caktuar si zv.president nëse do të fitonte: edhe aty fitoi Obama; të mendojmë për Ohajon, ku gara ishte pothuaj e barabartë, por që gjithsesi përfundoi me mbizotërimin e Obamës. Janë tri shtete shumë të rëndësishme, ku “General Motors” dhe “Chrysler” kanë shtabet e tyre të përgjithshme, ku ka jashtëzakonisht shumë punëtorë, që jetojnë në sajë të industrisë automobilistike. Politika e Obamës për ta shpëtuar këtë industri, është e qartë se u ka pëlqyer zgjedhësve.
Është folur edhe për peshën e votës së katolikëve, të shqetësuar për temat etike, sidomos për vendimet e Barak Obamës mbi abortin. Sa mendoni se ka ndikuar vota katolike në këto zgjedhje?
Temat etike mbetën jashtë fushatës zgjedhore e, pjesërisht, edhe politika e jashtme, prandaj nuk mendoj se bota katolike ka pasur ndonjë rol vendimtar kësaj radhe. Siç ndodh historikisht, katolikët janë të ndarë: ndokush shqetësohet për çështjet etike si aborti, apo reforma e shëndetësisë, që nuk i pëlqen Kishës, por të tjerët duket se kanë preferuar të ndjekin çështjet e lidhura me politikat shoqërore, që me Obamën do të kenë me siguri përparësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.