2012-11-06 14:18:19

Viti i Fesë: Sudani i Jugut kremton 100-vjetorin e arritjes së misionarëve.


Do të jenë shumë të ndjera, në Sudanin e Jugut, kremtimet për Vitin e Fesë, në vijim. E kjo, sepse vendi kremton këto ditë edhe njëqind vjetorin e arritjes së misionarëve të parë katolikë. Gjatë një shekulli historie, Kisha ka jetuar çaste dramatike, persekutime, martirizim. Sot, pak më shumë se një vit nga deklarata e pavarësisë nga Kartumi, Juba ecën drejt stinës së stabilitetit e të paqes. E pohon, në mikrofonin tonë, imzot Hiiboro Kussala, ipeshkëv i dioqezës jugore të Tombura Yambios, në të kaluarën, teatër i sulmeve të vazhdueshme kundër të krishterëve.

Përgjigje: - Ky ndryshim ishte dhuratë për ne, dhuratë e Zotit, sepse në të kaluarën provuam shumë vuajtje, ishim përballë shumë problemeve e tani mund të ndjehemi gati-gati të qetë. Ndonëse mbeten shumë gjëra për të bërë: kufiri nuk është përcaktuar ende, nuk janë nënshkruar të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy vendeve; shumë banorë të Jugut vijojnë të jetojnë në Veri, ndërsa duhet të ishin kthyer prej kohe. Qeveria jonë vijon akoma punën për sigurimin e shërbimeve të domosdoshme, si uji, drita elektrike, ndriçimi i rrugëve, i shkollave, i spitaleve. Mbetet, pra, shumë për të bërë!

Pyetje: - Në vitin 2009 ju denoncuat se sudanezët martirizoheshin për shkak të fesë, duke pohuar edhe se disa të krishterë të dioqezit tuaj ishin kryqëzuar. Besoj se kjo, e të tjera, dëshmi të ndritura të Kishës suaj, janë pasuri edhe për Kishën universale...

Përgjigje: - Në këtë vit kushtuar fesë, vendi im kremton njëqind vjetorin e ungjillëzimit: në dhjetorin e ardhshëm do të kujtojmë njëqind vjetorin e arritjes së misionarëve të parë në trojet tona. E këto njëqind vjet, nuk ishin vjet paqeje: të krishterët u vranë vetëm për shkak të fesë. Mjafton të mendosh atë që ndodhi në vitin 2009, kur u mbytën mizorisht 19 besimtarë, disa prej të cilëve, të kryqëzuar në dyshemenë e një kishe; të tjerë, të mbërthyer mbi degë pemësh. Kujtimi i tyre është i pavdekshëm në shpirtin tonë. Njerëzit tanë kanë besim të patundur e ky besim vijon të përhapet, e vijon të shtohet edhe numri i rregulltarëve. Mund të them edhe se Sudani i Jugut ka një numër të madh seminaristësh.

Pyetje: - Sot besojmë se të krishterët janë shumë më të lirë?
Përgjigje: - Po, ka më shumë liri. Por ushtarët janë akoma në zonë; e në pyje, rebelët: prej këndej, kemi ende frikë. Prandaj lutemi e i lypim Zotit ndihmë e forcë. Në famullinë, ku ka ndodhur ngjarja, që kujtuam, ndërtuam një shenjtërore në emër të të gjithë të kryqëzuarve, e tani njerëzit shkojnë atje për t’u lutur. Ne vijojmë të lutemi për ta, por edhe ata, jam i sigurtë, luten për ne!







All the contents on this site are copyrighted ©.