2012-11-06 15:12:25

Vdiq në Bullgari Patriku ortodoks Maksim. Ngushëllimet e Papës Benedikti XVI


Pak para orës 4 të mëngjesit vdiq në Sofie, Patriku i Kishës Ortodokse Bullgare, Maksim. Ai ishte 98 vjeç dhe që prej një muaji ishte shtruar në spital. Sinodi, i mbledhur për të caktuar kush do të udhëheqë Kishën derisa të zgjidhet Patriku i ri, vendosi që kreu “ad interim” do të jetë Shkëlqesia e Tij Grigorij i Veliko Trnovo. Atij i drejtohet Papa Benedikti XVI me një mesazh ngushëllimi, me të cilin i siguron besimtarët ortodoksë dhe gjithë Kishën bullgare se bashkohet me ta në lutje që Patriku Maksim të pushojë në paqe në shtëpinë e Atit Qiellor. Benedikti XVI kujton pritjen e ngrohtë, që iu bë Papës Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Bullgari, në maj 2002 dhe, falenderon Zotin për marrëdhëniet e mira që Patriku pati krijuar me Kishën Katolike në vend, duke uruar të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Kujtojmë se Patriku Maksim lindi më 29 tetor 1914 në Oreshak. E quajtën Marin Minkov. Në vitin 1938 filloi Fakultetin e Teologjisë në Universitetin e Sofies e në dhjetor 1941 u shugurua murg me emrin Maksim. Më 4 korrik 1971 u zgjodh Patrik i Kishës Ortodokse Bullgare e Mitropolit i Sofies.







All the contents on this site are copyrighted ©.