2012-11-06 14:17:05

Kisha katolike për Pavarësinë e Shqipërisë: sipas dokumenteve


Në emisionin e dytë kushtuar ndihmesës së Kishës Katolike për Pavarësinë e Shqipërisë, pa hyrë në hollësitë e ngjarjeve, po merremi së pari me Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës (Marrë nga ‘Përlindja e Shqipniës’; Vlorë. 'Organ për me mprojtur të drejtat kombëtare'. 24 gusht 1913 - 1914. 4-8 ff. Drejtuar i përgjegjshëm: D. Beratti).
Shfletojmë procesverbalet e mbledhjes së parë të Kuvendit Kombëtar të Përgjithshëm 15/28 të Vjeshtës së tretë 1912. Në këtë dokument tejet të rëndësishëm, lexojmë emrat e delegatëve ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, duke nisur nga delegatët e Beratit. Por këtu ne na interesojnë kryesisht delegatët e Kishës Katolike. I pari vjen nga Durrësi: është dom Nikollë Kaçorri, asokohe Protonoter apostolik dhe Stadtpharrers (Famullitar) i Durrësit.
Duke shfletuar Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, lexojmë një jetëshkrim mjaft të plotë të Priftit të madh atdhedashës, zëvendës-kryeministrit të parë të Qeverisë së parë shqiptare Po flasim, prandaj, me gojën e Fjalorit, domethënë të Akademisë:
Për dom Nikollën shkruhet:
Kaçorri Nikollë(1862-1913) Klerik atdhetar. Mori pjesë në Rilindjen Kombëtare. Kreu shkollën katolike në Shkodër (nuk sasktësohet se është fjala për shkollën e jezuitëve, [shënimi ynë). Studioi teologji në Itali(në Universitetin Urbanian). Në vitin 1893 ishte famullitar në Durrës, ku shërbeu 20 vjet. Mori pjesë në lëvizjen politike kulturore kombëtare. Me Gjeçovin në vitet 1899-1901 shërbente në Laç Sebaste të Kurbinit. Nën ndikimin e Gjeçovit mblodhi këngë popullore të Shqipërisë së mesme, të veriut e të Kosovës, të cilat i botoi në vëllimin “Canti albanesi popolari”. Janë 49 këngë popullore epike me tematikë të larmishme.
Gjatë kryengritjes së Kurbinit(1903-1907) për të shmangur gjakderdhjen, hyri si ndërmjetësues ndërmjet kryengritësve dhe administratës osmane. Krijoi lidhje bashkëpunimi me rrethet atdhetare të Tiranës, Matit, Dibrës, Durrësit, Malësisë së Mbishkodrës e Kosovës. Kishte letërkëmbim të rregullt me Ismail Qemalin, A. Toptanin, S. Nivicën.
Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit(1908) dhe në Kongresin e Elbasanit(1909). Më 1909, nismëtar i krijimit të Klubit patriotik “Bashkimi” në Durrës. Mori pjesë në Kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912. Një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit kryengritës në Krujë (me pseudonimin Kunora). Bashkëpunoi me lëvizjen kryengritëse në rrethet katolike të Kosovës, të Malësisë së Mbishkodrës dhe të zonës së Mirditës. U arrestua nga autoritetet osmane dhe u dënua me burgim. Përfaqësues (delegat) i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë....”(Akademia e Shkencave të Shqipërisë; Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008, fq 1086).
Në emisionin e ardhshëm do të ndalohemi, për të sqaruar mirë e një herë e përgjithmonë vendin e Kishës Katolike në këtë faqe kaq të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.