2012-11-06 15:28:42

Imzot Luigj Bumçi, në përvjetorin e lindjes.


Më 6 nëntor kujtojmë përvjetorin e lindjes së imzot Luigj Bumçit, ipeshkvit të madh shqiptar që punoi për unitetin e Kishës e të Kombit Shqiptar.
Imzot Bumçi lindi më 6 nëntor 1872 në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në shkollën e jezuitëve, ku shpejt ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë. Hyri, prandaj, në Seminarin Papnor, ku mësoi në Kolegjin Saverian dhe njëkohësisht filloi përgatitjen filozofike e teologjike për rrugën e priftit dioqezan, që kishte zgjedhur. Shpejt u shqua për një mençuri të jashtëzakonshme, që e vuri në krye të shumë veprimtarive të Seminarit e të Kolegjin Saverian. U bë shumë i njohur edhe për humorin e tij tejet të hollë, që e bëri të shkëlqejë në vise e rrethana të ndryshme. Në garën e satirës - shkruan imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë" - mund të hahej vetëm me një atë Fishtë. E ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të ndiqje një garë të tillë ndërmjet dy njerëzve, që veç shumë cilësive të mëdha, kishin edhe humor të spikatur”.
Mësimet e larta imzot Luigj Bumçi i kreu në Itali, ku edhe u shugurua meshtar. Mbas shugurimit, shërbeu për pak kohë si famullitar në fshatra të ndryshme të Veriut. Ndërkaq filloi edhe veprimtarinë atdhetare. Qe atë shpirtëror i kryengritësve të Malësisë së Madhe, që rrokën armët për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke;
Imzot Luigj Bumçi kryesoi delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku mbajti një fjalim, që pati jehonë të jashtëzakonshme e që meriton të zërë vend në të gjitha antologjitë e letërsisë shqiptare, si një nga prozat oratorike, me karakter të fuqishëm atdhetar.
Në Konferencë delegacioni shqiptar u ndodh para një problemi jetik për tërësinë e tokave shqiptare: Korça e Gjirokastra rrezikoheshin të shkëputeshin nga Shqipëria, sipas marrëveshjes së fshehtë ndërmjet Titonit e Venizelosit, nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Rusisë. Delegacioni shqiptar nuk u mjaftua ta mbronte çështjen shqiptare në Konferencë, por duke përfituar nga fakti se në të bënin pjesë dy klerikë, të cilët tashmë kishin fituar emër kudo në botën katolike, e pikërisht Imzot Bumçi e sekretari i tij, Atë Gjegj Fishta, u ndal në Romë, ku kërkoi audiencë te Papa.
Papa Benedikti XV i priti imzot Bumçin menjëherë dhe u premtoi se do të ndërmjetësonte pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e Shqipërisë.
Diplomat i spikatun, me natyrën e qetë të shtresave qytetare shkodrane, me stil plot gjallni jete, me prirje të theksueme për jetën politike, i guximshëm e i stërvitun, i peshuem e modern, ai punoi me zell për një Shqipni të çlirueme nga feudalizmi e mbrapambetja. Na kujton së largu figurën e kardinalit francez Richelieu” - kështu shkruan për të imzot Zef Simoni, në sa ia pikturon portretin në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë"
Si u shugurua ipeshkëv, u emëruar prelat i Lezhës. Selinë e tij, sipas traditës, e pati në Kallmet, ku ndërtoi edhe Kishën që sot i është rikthyer besimtarëve.
Kongresi i Lushnjës e vuri në krye të Këshillit të Lartë të Shqipërisë. Nga kjo tribunë, u bë i njohur nga të gjithë si njeri me mënçuri të jashtëzakonshme; që njihte në mënyrë të përkryer gjuhët kryesore evropiane. Me kulturën e tij të gjërë, e linte me gojë hapur çdo njeri që komunikonte me të.
Nuk la vepra të shkruara, sepse nga natyra ishte më shumë njeri i jetës praktike sesa i penës. E në se dikush pyet: ç'vepër të madhe i la Shqipërisë - mund të përgjigjeshim pa menduar dy herë: I la Korçën e Gjirokastrën!Vdiq në vitin ogurzi 1945 në selinë e dioqezës së tij, ndërsa mbi Shqipërinë ndehej terri e terrori.







All the contents on this site are copyrighted ©.