2012-11-05 11:52:43

Zgjedhjet presidenciale në SHBA: katolikët, shigjeta e peshores ndërmjet Obam-ës e Romney-t.


Në SHBA, Çastet përfundimtarw të garës së kandidatëve kah Shtëpia e Bardhë. Sipas sondazheve të fundit, presidenti aktual, Obama, gjykohet pozitivisht për veprimtarinë e suksesshme në përballimin e emergjencës së uraganit “Sandy”, bilanci i viktimave të të cilit ka arritur në më se 98 njerëz. Obama ka fituar edhe mbështetjen e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg si dhe lëvdatat e guvernatorit të New Jersey-t, republikanit Chris Christie.
Këto ditë u botuan edhe të dhënat mbi papunësinë në muajin tetor: ekonomia amerikane ka krijuar 171 mijë vende pune vetëm në muajin e fundit, por megjithëkëtë, përqindja e papunësisë është rritur nga 7,8%, në 7,9%. Ndërkaq ka shumë që pyesin se cili nga dy kandidatët, Romney apo Obama, do të ketë me vete elektoratin katolik. Në dhjetë zgjedhjet e fundit presidenciale, vetëm një herë një kandidat ia doli të shkelë në Shtëpinë e Bardhë, pa pasur shumicën e votave të zgjedhësve katolikë. Prej këndej, pyetja: “Sa peshojnë sot votat e katolikëve mbi zgjedhjet presidenciale e, më gjerë, mbi politikën amerikane?
Pyetëm profesorin Robert Royal, teolog e politolog katolik, kryetar i Institutit “Faith and Reason” të Uashingtonit:

Përgjigje: - Peshojnë, si gjithmonë. Nuk është votë e thjeshtë, e tyrja. Sepse katolikët amerikanë janë të ndarë ndërmjet Partisë demokratike, që dikur ishte partia e emigrantëve, dhe Republikanëve, që përfaqësojnë pak a shumë vlerat katolike, në kuptimin se janë kundër abortit, kundër bashkimeve gay etj. etj. E kështu votat ndahen ndërmjet të dyja partive. Kur u zgjodh, Obama fitoi 54% të votave të katolikëve; tani votat e katolikëve janë të ndara pikërisht 50% për secilin nga të dy kandidatët. Katolikët, kështu thuhet këtu në Amerikë, janë qendra e qendrës e votës amerikane.

Pyetje: - Ekonomia është tema e madhe e këtyre zgjedhjeve presidenciale. Por, edhe disa tema, që njihen si tema morale, kanë pasur e kanë gjithnjë rol të veçantë. Të mendojmë vetëm për abortin, domethënë, për mbrojtjen e jetës, por edhe për varfërinë dhe përjashtimin nga radhët e shoqërisë.... Sa do të peshojnë këto tema në kandarin e 6 nëntorit?

Përgjigje: - Të gjitha do të peshojnë; por do të peshojë edhe indiferenca e atyre, që anojnë më shumë nga Partia demokratike si dhe e atyre, që thonë se republikanët i përfaqësojnë më mirë vlerat katolike. Duhet theksuar edhe një faktor tjetër, e është ky: Obama, në Obamacare – apo në reformën shëndetësore, miratoi një sërë dispozitash, sipas të cilave, institucionet katolike, universitetet, spitalet, shkollat, duhet të paguajnë, përmes sigurimit shëndetësor, për ndërprerjen e shatzanisë, për sterilizimin e, në disa raste, deri për abortin. Që këtu buron qëndrimi kundër Obamës, sepse po të vijojë të jetë ai kreu i Shtëpisë së Bardhë, dispozitat e miratuara do të hyjnë në fuqi dhe institucionet katolike do të detyrohen ta përballojë këtë sfidë, që u bëhet vlerave morale. Kur dispozitat u miratuan, 56% e katolikëve ishin kundër Obamës; tani, kur çështjet ekonomike janë bërë edhe më të theksuara, ky problem, ky qëndrim kundër Obamacare, ka dalë në shesh edhe më shumë, duke tërhequr vëmendjen e opinionit publik; e nuk dihet do të jetë apo jo, faktor me rëndësi në zgjedhjet.

Pyetje: - Besoj se shumë katolikë shqetësohen për qëndrimet abortiste të Partisë demokratike; nga ana tjetër, shumë nga katolikët shqetësohen, e me të drejtë, edhe për qëndrimet pak solidare të Partisë republikane ndaj njerëzve më të ligshtë, sidomos, ndaj emigrantëve. Është kështu?

Përgjigje: - Po, keni të drejtë. Por përsa i përket solidaritetit, mund të diskutohet; mund të flitet për nevojën e sigurimit shoqëror... Është diskutim, që bëhet në çdo vend. Ndërsa ipeshkvijtë tanë e pohuan shumë qartë se aborti është çështje, që nuk mund të diskutohet, sepse ka të bëjë me moralin. E kjo duhet kuptuar mirë! Çështjet që kanë bëjnë me mbrojtjen e jetës nuk mund të vihen në të njëjtin kandar me çështje të tjera: peshojnë tepër rëndë! S’i mbart kandari!







All the contents on this site are copyrighted ©.