2012-11-05 18:44:02

Papa na fton të lutemi për ipeshkvijtë e meshtarët, që të jenë dëshmitarë besnikë e guximtarë të Krishtit.


Të lutemi, “që ipeshkvijtë, meshtarët dhe të gjithë ata, që i shërbejnë Ungjillit, ta dëshmojnë me guxim besnikërinë ndaj Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur”. Ky është ndjeti i lutjes i Papës për muajin nëntor. Në shumë raste, Benedikti XVI e ka vënë theksin mbi guximin e besnikërinë, si cilësi themelore për njeriun, që vihet në shërbim të Ungjillit.
Besnikëria: për shumëkënd, sot, kjo është një monedhë e dalë jashtë përdorimi. Një herë e një kohë, premtimi për besnikëri ndaj ndonjë njeriu tjetër a ndonjë ideali, kishte me vete edhe pengun e mbrojtjes me të gjitha mundësitë, me të gjitha forcat. Më pas, kjo pëlhurë, endur me fijen e vlerave të forta, duke nisur nga feja, nisi të shthurej. U bë e brishtë, brishtësi që kushtëzoi edhe ata të cilët, në vijë parimore, duhet ta shikojnë besnikërinë si oksigjen për thirrjen e tyre: meshtarët. Jemi përballë një situate, e cila jo shumë kohë më parë, e pati nxitur Papën t’u drejtojë të gjithë besimtarëve të krishterë thirrjen:
“Sot, më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për besnikëri! Jetojmë në një shoqëri, që e ka humbur këtë vlerë. Lavdërohet shumë prirja për ndryshime, për lëvizje, për shkathtësi, e kjo, për shkaqe ekonomike e organizative, edhe të ligjshme. Por cilësia e lidhjes ndërmjet njerëzve varet pikërisht nga besnikëria (Fjalim Shoqatës së Shenjtorëve Pjetër e Pal, 25 qershor 2011).
Në se lidhja e vërtetë ndërmjet njerëzve matet me besnikërinë, aq më tepër matet me të lidhja me vlerat hyjnore. Kryesisht lidhja e të krishterit e posaçërisht, e meshtarit me Zotin. Nga Fatima, në vitin 2010, Benedikti XVI pohonte: “Besnikëria, që i bën ballë kohës, quhet dashuri. Dashuri e patundur, e vërtetë, e thellë për Krishtin meshtar”. E në këtë rast, besnikëria duhet shartuar me guximin:
“Meshtaria, e kujtojmë gjithnjë, bazohet mbi guximin për t’i thënë ‘po’ një vullneti tjetër, me vetëdijen, që duhet thelluar çdo ditë, se pikërisht duke u përputhur me vullnetin e Zotit, të zhytur në këtë vullnet, jo vetëm që nuk do të shlyhet origjinaliteti ynë, por, përkundrazi, do të hyjmë gjithnjë më thellë në të vërtetën e qenies sonë e të shërbimit tonë”(Mesha e shugurimeve meshtarake, 20 qershor 2010).
E, në një kremtim tjetër, Benedikti XVI pati vërejtur se meshtari, kur mendon, kur flet e kur gjykon faktet e botës, duhet të thithë forcë nga përkatësia sakramentore, e po prej këndej, kujdes për t’u shmangur nga mendësia sunduese, e cila priret ta lidhë figurën e meshtarit me funksionin që kryen, e jo me vlerat e tij të vërteta meshtarake:
“Besnikëria e Shërbëtorit të Jezusit duket pikërisht në faktin, se ai nuk përpiqet t’ua përshtasë fenë modave të kohës. Vetëm Krishti ka fjalët e jetës së pasosur, e janë pikërisht këto fjalë, që duhet t’ua çojmë njerëzve. Janë pasuria më e çmuar, që na është besuar. Një besnikëri si kjo, aspak e shterpë, e as e amullt, është thellësisht krijuese” (Mesha e shugurimit të ipeshkvijve, 12 shtator 2009).
Besnikëri, që Ungjilli të arrijë i plotë; e guxim, që të arrijë kudo! Edhe atje ku rrezikohesh, po të kujtosh emrin e Krishtit. Besnikëri, që Benediktit XVI, të sapo zgjedhur Papë, i pati frymëzuar fjalë të zjarrta:
“Guxo të afrohesh me Zotin! Provoje! Mos kij frikë prej Tij! Guxo të rrezikohesh me fe! Guxo të rrezikohesh me mirësi. Guxo të rrezikohesh me zemër të pastër! Merru vesh me Zotin, atëherë do ta shikosh se pikërisht kështu jeta jote bëhet e madhe, e ndritur, pa kurrfarë mërzie, plot me të papritura, sepse mirësia e pafundme e Zotit nuk shterron kurrë!”(Mesha me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të Koncilit, 8 dhjetor 2005).









All the contents on this site are copyrighted ©.