Më 5 nëntor kalendari kujton Shenjtorët Domninin e Teotimin, martirë
Më 5 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shenjtorët Domninin e Teotimin, martirë.
Për Shën Domninin, që u kremtua sot nga Kisha katolike, kemi njoftime tepër të
pakta, që mund të përmblidhen në fjalët: “Derdhi gjakun për Krishtin në Çezare të
Palestinës”. Disa studiues besojnë se Shën Domnini u martirizua nën perandorin
Maksimian, së bashku me Teotimin, Filoteun e Silvanin. Të tjerë përpiqen të vërtetojnë
shkencërisht se Shenjti e pësoi martirizimin nën perandorin Dioklecian (shek IV). Çka
dimë me siguri, është se Euzebi i Çezaresë, historian i martirizimit të të krishterëve
të parë, e kujton si një nga martirët më të njohur të Palestinës. Sipas këtij burimi
të sigurt, Domnini ishte një djalosh i krishterë tepër i ditur. Madje historiani i
bashkësive të para të krishtera shpreh mendimin se mund të ketë qenë mjek i cili,
në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit, e shkriu jetën e tij të shkurtër, duke shëruar
sëmundjet e korpit e të shpirtit. Po sot përkujtohen edhe shenjtorët Teotimi,
Filoteu e Timoteu, martirë, që u mbyten gjatë lojërave të cirkut, organizuar për dëfrimin
e popullit, si dhe Shën Ausencin i cili, në moshë të shtyrë, u hodh në arenë mes bishave
të egra, që e copëtuan.