2012-11-05 18:18:25

Muzeu i shpalljes së Pavarësisë në godinën ku qendërzoi qeveria e parë e Vlorës


Fotoja e rrallë që shoqëron këtë shkrim, është realizuar në vitin 1913, nga një fotograf i panjohur italian. Në të paraqitet godina ku u vendos për 6 muaj Qeveria e Pavarësisë, pas largimit nga mjediset e sarajeve të familjes Vlora ku u realizua akti më i madh i historisë kombëtare shqiptare, ngritja e Flamurit në 28 nëntor të vitit 1912. Në këtë foto godina paraqitet në pamjen e saj origjinale të kohës, me fasadë nga deti dhe me elementë të tjerë arkitekturorë që sot mungojnë. Kjo godinë, që dikur ka shërbyer edhe si një mjedis për doganën e portit të Vlorës, ishte e vetmja që plotësonte kushtet në atë kohë në qytet për të zhvilluar aktivitetin Qeveria e Pavarësisë, e kryesuar nga Ismail Qemali. Madje, sipas drejtorit të Muzeut të Pavarësisë, Agron Shehu, në këtë godinë është realizuar edhe fotoja zyrtare e Qeverisë së Ismail Qemalit. "Ajo përkon me përvjetorin e parë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare dhe në kushtet e mungesës së një fotoje që fiksonte këtë akt madhor të historisë së Shqipërisë, u realizua në ballkonin e saj ku ishin të gjithë anëtarët e Qeverisë së Përkohshme", thotë Shehu. Fotoja që u realizua nga fotografi i famshëm shkodran, Marubi, tashmë evokon këtë moment të historisë. Godina është një ndërtesë dy katëshe dhe ndodhet në afërsi të portit. Për rreth 6 muaj në vitin 1913, ajo shërbeu si rezidencë për qeverinë e parë shqiptare të drejtuar nga Ismail Qemali. Godina ka 8 dhoma dhe është pajisur me mobilje të shekullit kur është ndërtuar. Në mjediset brenda saj, veçohen zyra e Kryetarit të Qeverisë, Ismail Qemalit, salla e mbledhjeve të kësaj qeverie etj. Në 28 Nëntor të vitit 1913, aty u përkujtua përvjetori i parë i shpalljes së pavarësisë. Për vlerat e saj, arkitektonike e historike, ndërtesa është shpallur monument kulture. Në vitin 1936 në të u vendos Muzeu Arkeologjik Kombëtar, i pari në vendin tonë, me drejtor arkeologun e parë shqiptar, Yzeir Ismailin. Ndërkohë, me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në të u vendos Muzeu që përkujton këtë moment historik.. Në janar të vitit 2006, Muzeu i Shpalljes së Pavarësisë, u shpall objekt muzeal kombëtar në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.