2012-11-05 18:31:07

Mesazh i Benediktit XVI për Patrikun e ri kopto-ortodoks: miqësia jonë u shtoftë gjithnjë e më shumë


Me një mesazh, Papa Benedikti XVI shpreh sot urimet e tij për Patrikun e ri kopto-ortodoks, Tauadros II, që u zgjodh dje në Kajro. Papa ka besim se, ashtu si paraardhësi i tij, Shenuda III, edhe Tauadros do të dijë të jetë një “atë i vërtetë shpirtëror” për bashkësinë e vet, të cilën do ta ndihmojë për të ndërtuar një Egjipt të ri në paqe e në harmoni, në shërbim të së mirës së përbashkët për të gjithë Lindjen e Mesme.
“Në këto kohë të vështira – shkruan Ati i Shenjtë – është e rëndësishme që të gjithë të krishterët të dëshmojnë dashurinë dhe miqësinë që i lidh, duke kujtuar lutjen e Jezusit në Darkën e Mbrame: të gjithë të jenë një gjë e vetme, që bota të besojë”. Benedikti XVI falenderon Zotin për hapat e bëra nën udhëheqjen e Shenudës III, përsa u përket marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike e asaj Kopto-Ortodokse dhe uron që kjo udhë të vazhdojë me solidaritet e pajtim më të madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.