2012-11-05 11:52:58

Imzot Guido Pozzo emërohet Lëmoshtar i Papës


Imzot Guido Pozzo u emërua Lëmoshtar i Shenjtërisë së Tij: zëvendëson imzot Felix del Blanco Prieto, që doli në pension. Imzot Pozzo, trieshtin, 61 vjeç, që nga viti 2009 e deri tani ishte sekretar i Komisionit Papnor Ecclesia Dei.
Kujtojmë se Lëmoshtaria Papnore është organizëm i Selisë së Shenjtë, që ka për detyrë t’i ndihmojë të varfërit, në emër të Papës. Është fjala për gjeste të vogla, të përditshme, kryer në heshtje të plotë e me takt, në ndihmë të nevojtarëve e të vuajturve, nga të katër anët e botës. Këtë detyrë ka Lëmoshtaria Apostolike, themeluar në shekullin XIII nga i Lumi Gregori X. Më pas, Aleksandri V, me bulën e vitit 1409, hartoi formalitetet dhe normat, që kanë të bëjnë me këtë institucion; ndërsa Leoni XIII, që të favorizonte mbledhjen e fondeve për veprat e dashurisë së krishterë, i njohu Lëmoshtarit edhe të drejtën për të dhënë bekimet apostolike. Kjo e drejtë vijon edhe sot e kësaj dite, me bekimet në pergamenë.
Çdo vit në Lëmoshtarinë e Papës arrijnë kërkesa për lëmoshë nga familje, emigrantë, studentë, të papunë, që kërkojnë një ndihmë sado të vogël për të përballuar nevojat urgjente, si pagesa e qirasë, e faturave, studimeve, ilaçeve. Ndihma, që zakonisht shkon nga 100 deri në 500 euro, jepet me ndërmjetësinë e famullitarit, mbi bazë të gjendjes së njeriut, që e kërkon. Kujtojmë se çdo vit shuma e përgjithshme e ndihmave, që jep Lëmoshtaria Apostolike e kalon një milion euro. Janë para, që organizmi papnor i jep me përkushtim shembullor, takt, durim e dashuri, me qëllim që të çojë gëzim, atje ku ka shqetësim; lehtësim, atje ku ka ankth, duke u dëshmuar nevojtarëve se Kisha është gjithnjë pranë çdo njeriu.







All the contents on this site are copyrighted ©.