2012-11-02 11:01:26

Shkodra shënon 55 vjetorin e Universitetit “Luigj Gurakuqi!


Aktivitetet dyditore të kushtuar 55 vjetorit të Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës janë mbyllur me një konferencë shkencore, ku u mbajtën kumtesa të shumta nga drejtues, pedagoge dhe historianë të këtij institucioni e më gjërë. Ne kuadrin e aktiviteteve u hap ekspozita "Biblioteka e dyerve të hapura", ku në qendër të vëmendjes ka qenë sidomos paraqitja e Antikuarit të Bibliotekës, në arkivin e të ciles bëjnë pjesë vepra mbi 500 vjeçare, një pjesë e të cilave ekspozohen për herë të parë për publikun.
Drejtorja e bibliotekës, Alida Luka, theksoi se biblioteka shkencore është angazhuar vazhdimisht në aktivitete të shumta të karakterit akademik, si dhe ka qenë pjesë e projekteve të rëndësishme. Ajo evidentoi edhe projektet e zbatuara në aktivitetin e kësaj biblioteke, ku tërheqin vëmendjen pasurimi i fondit dhe blerjet e reja, përcaktimi i një hapësire për punën në grup të studentëve etj.
Për Fatmir Vadahin, prof. as. Dr. zv/rektor i Universitetit, vlerat e kësaj biblioteke i kalojnë kufijtë e institucionit të tyre duke dhënë kontributin e saj edhe në traditën dhe historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. "Sot biblioteka funksionon me parametrat bashkëkohore të shërbimit, kërkimit dhe informacionit", tha ai.
Ndërkohë, u organizua edhe konferenca "55 vjet bibliotekë universitare", ku u fol për historikun e bibliotekës universitare. Ish-drejtues dhe punonjës të bibliotekës sollën përmes kujtimeve eksperiencat dhe kontributet e tyre ndër vite.
Biblioteka e Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës ka filluar veprimtarinë e saj me krijimin e Institutit Pedagogjik në vitin 1957, me një fond prej rreth 1 000 librash, kryesisht në shqip, ndërkohë që sot kjo bibliotekë ka një fond shumë të pasur që mbulojnë kryesisht fushat e pedagogjisë, psikologjisë, didaktikës, ekonomisë, jurisprudencës, letërsisë, gjuhës etj. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.