2012-11-02 15:34:43

Kardinali André Vënt-Trua politikanëve francezë: punoni me liri e guxim.


Përballë temave të mëdha të jetës shoqërore, politikani është i thirrur të veprojë në përkim me ndërgjegjen e vet personale dhe të ecë në rrugët, që i zgjedh me liri e guxim. Është ftesë për lirinë e votës, kjo që u bëri dje kryeipeshkvi i Parisit, kardinali André Vënt-Trua, parlamentarëve francezë gjatë një Meshe, kremtuar në bazilikën pariziane të Shën Klotildës për senatorët dhe deputetët. Gjatë homelisë, sipas agjencisë Sir, kardinali kujtoi debatin e sotëm politik mbi projekt-ligjin, propozuar nga qeveria, për ligjërimin e çifteve homoseksuale, duke u krijuar edhe mundësinë e bijësimit të fëmijëve.
Në jetën e një vendi, theksoi Hirësia e Tij, ka tema që kanë të bëjnë me jetën personale të të gjithë nënshtetasve e nuk varen thjesht nga një shumicë elektorale, sado e rëndësishme të jetë. Familja, jeta, fëmijët, janë çështje, kujtoi akoma, që ndikojnë fuqimisht mbi ardhmërinë e shoqërisë. Nuk mund të jenë, prandaj, pasojë automatike e zgjedhjeve. Prej këndej, nënvizoi kardinali Vënt-Trua, do të ishte diçka tronditëse për demokracinë, në se në diskutimet parlamentare mbi martesën, mbi fundin e jetës ose mbi rishikimin e ligjeve të bioetikës, parlamentarët nuk do të kishin liri të plotë vote. E shtoi: “Liria duhet t’i bëjë ballë konformizmit të mendimit “prêt à porter”, mendimit të gatshëm, që duhet pranuar e votuar ashtu siç është, pa bërë shumë pyetje”. Kardinali Vënt-Trua, kryetar i Konferencës ipeshkvnore franceze, u kërkoi parlamentarëve të kenë guximin e duhur për t’u distancuar nga mjedisi ideologjik, edhe nga vetë partia e tyre e për të vepruar në përkim me ndërgjegjen, në shërbim të asaj që është rruga më e mirë për mbarë shoqërinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.