Liturgjia e Fjalës e Festës të të Gjithë Shenjtorëve. 'Drejt atdheut të përbashkët,
ne shtegtarë mbi tokë..' sepse Shenjtorët na mbrojnë e udhëheqin në udhën tonë drejt
Zotit. Ja pra, përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit, kësaj here do të dëgjojmë
e meditojmë së bashku leximet biblike të festës të të Gjithë Shenjtorëve, që Kisha
kremton më 1 nëntor. Kjo festë na kujton idealin e krishterë të shenjtërimit e
kremton aradhen e atyre vëllezërve e motrave tona, që gjatë shekujsh e deri në ditët
tona, janë dalluar në mënyrë të posaçme për një jetë të jetuar në përkim me vullnetin
e Fjalët e Zotit e që pas vdekjes gëzojnë lumturinë e jetës në Zotin. Pra, festa
e të Gjithë Shenjtorëve është festa e atyre që gëzojnë lumturinë Hyjnore por që nuk
janë shpallur zyrtarisht e kanonikisht shenjtorë nga Kisha. Kjo festë na fton të shikojmë
drejt atdheut të përbashkët, drejt lumturisë qiellore në Jetën e pavdekshme në Krishtin
e Gjallë në bashkim me të Gjithë Shenjtorët. Kur flasim për shenjtorët, nuk duhet
ti mendojmë si heronj, sepse ata janë njerëz si ne, por e kanë marrë seriozisht Ungjillin
e Krishtin në jetën e përditshme, e kanë jetuar thellësisht, e dëshmuar, e duke vepruar
kështu, u bënë vërtetë të jashtëzakonshëm, u bënë shenjtorë. Po duhet thënë se shenjtorët
janë njerëz të zakonshëm, normalë, madje edhe me gabime e me të meta. Po këto gabime
e të meta arritën t’i ndreqnin, të ndriçuar nga drita e Ungjillit, duke e Biblën fjalë
për fjalë e duke e dëshmuar ditë për ditë me besnikëri të jashtëzakonshme. Shenjtëria,
sipas kuptimit biblik, nuk është tjetër veçse përsosuri, pra mund të themi se shenjt
është njeriu i mirë, njeriu që ka arritur të bëhet NJE me Zotin, i cili është i përkryer. Kështu,
me 1 nëntor kremtojmë ditën e të gjithë shenjtorëve, Festa e të Gjithë Shenjtorëve
u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të
krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë
e të kenë si ideal, përsosurinë. E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim
me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e* lartë e jetës
për çdo të krishterë. Në fillimet e krishterimit, anëtarët e Kishës me tjerash,
quheshin edhe ‘shenjtorë’ dhe i krishteri, si i tillë, është tashmë shenjt, sepse
pagëzimi e bashkon atë me Jezusin e me misterin e Pashkëve të Tij, por njëkohësisht
edhe duhet të shenjtërohet, duke u njësuar gjithnjë më shumë me Krishtin gjatë jetën
tokësore. Kur flitet për shenjtërinë dhe shenjtorët, shpesh mendohet se shenjtëria
është privilegj që u përket vetëm pak të zgjedhurve. Në të vërtetë, të bëhesh shenjt
është detyrë e çdo të krishteri, madje mund të themi, e çdo njeriu! Shkruan shën Pali
Apostull se Zoti na bekoi me çdo bekim shpirtëror e na zgjodhi në Krishtin, që të
jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri” (Ef.1, 3-4). Prandaj të gjithë
njerëzit janë të thirrur për shenjtëri, gjë që në fund të fundit do të thotë të jetosh
si Bir i Hyjit, në shëmbëllim me të, ashtu siç u krijuam. Të gjitha qeniet njerëzore
janë bij të Hyjit, e të gjithë duhet të bëhen atë çka janë, përmes rrugës së dashurisë
e të shenjtërimit, bijë të dashur të Zotit e vëllezër njëri me tjetrin. Prandaj Hyji
i fton të gjithë të bëjnë pjesëtar në radhët e popullit të tij të shenjt. Rruga për
këtë është Krishti, Biri, Shenjti i Hyjit: “askush nuk shkon tek Ati, posë nëpër Të”. Për
këtë arsye Kisha i ka vënë, me urti, njëra pas tjetrës festën e Gjithë Shenjtorëve
dhe Përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur: pikërisht “atyre do t’ia kushtojmë
posaçërisht lutjen tonë më 2 nëntor e për të vdekurit do të kremtojmë Flijen Eukaristike.
Në të vërtetë, çdo ditë e në çdo meshë, Kisha na fton të lutemi për ta, duke ofruar
edhe vuajtjet e mundimin e përditshëm, me qëllim që, plotësisht të pastruar, besimtarët
e vdekur të mund të pranohen për të gëzuar në amshim dritën dhe paqen e Zotit”. “Duke
shtrënguar dorën tonë në të sajën, e ndjejmë se mund të ecim më me zell në rrugën
e shenjtërisë. Në këto dy festa t’ia besojmë jetën tonë përdëllimit të Zotit e Atij
ti lutemi edhe për të dashurit tanë të vdekur, me shpresën se një ditë do të jemi
të gjithë së bashku, në shoqërinë e lumnueshme të shenjtorëve”. Mos të harrojmë se
“shenjtëria nuk është privilegj për pak të krishterë, por detyrë e mundësi për të
gjithë njerëzit”. Liturgjia e Fjalës së
Zotit Leximi i parë (Zbul 7,2-4.9-14)) Lexim prej Zbulesës së
shën Gjonit apostull Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër që ngrihej nga
lindja. Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt
që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin: “Mos i bëni dëm as tokës, as
detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!” Atëherë
dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind dyzet e katër mijë nga të gjitha
fiset e bijve të Izraelit. Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte,
prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para
Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë:
“Shëlbimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!” Të gjithë engjëjt që
ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër gjallorëve, ranë përmbys
dhe adhuruan Hyjin. Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet
dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!” Atëherë njëri nga udhëheqësit
mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe
nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!” Dhe ai më tha: “Këta janë ata
që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit.” Fjala
e Zotit
Psalmi 23, 1-6 Lum ata që janë të pastër më zemër,
sepse ata do ta shohin Hyjin ---- E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, rruzulli
mbarë e të gjithë banorët e tij. Ai vetë e themeloi mbi dete, dhe e bëri të
qëndrueshme mbi lumenj. ---- Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit, e kush
do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Ai që ka duart e pafajshme e zemrën
e pastër, ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, ai që nuk përbehet në
rrenë. ----- Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit
të vet. E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, e atyre që kërkojnë
fytyrën e Hyjit të Jakobit
Leximi i dytë (1 Gjn 3, 1-3) Lexim
prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull Fort të dashur, shikoni ç’ dashuri
të madhe na dhuroi Ati, sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse
nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk
u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim
ashtu siç është. Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër.
Fjala e Zotit! --- Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut (Mt
5,1-12a) Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit
e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë: “Lum skamnorët në shpirt, sepse
e tyre është Mbretëria e qiejve! Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen! Lum
ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën! Lum ata që kanë uri e etje
për drejtësi, sepse do të ngihen! Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë! Lum
ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin! Lum pajtuesit, sepse
do të quhen bijtë e Hyjit! Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse
e tyre është Mbretëria e qiejve! Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe
kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni
e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Fjala e Zotit! Më
shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të festës së Gjithë Shenjtërve, mund të dëgjoni
edhe këtu.....