E zbét mbí fâng mjerije—n’ket bukrin muej të Prillit Trishtueshëm âsht tue ramun—e
mbramja rreze e diellit, Nepër t’zymt’ qiparisa—qi mbí kto vorre t’qeta N’heshtim
të përfrigueshëm—mprojtuese deg’t e veta Kan shtrî, prej flladit t’mbramjes—puth’,
ndîhet lét fërshllima, N’gjasim t’njaj lut’s s’trishtueshme—mrrîn n’vesh e uj’t
gurg’llima; E dielli tash n’e fikun—përshndet’ për t’mbramen herë, Prej majeve
mâ t’largta—kta kryqa t’zez e t’mjerë... Dhe ty t’përshndet’ sot dielli—n’ket qoshe
kaq t’harrueme Tue t’falë, o rrasë e vogël—nji rreze t’vet t’prarueme; Ku ty
tash sà motmote—kurr peng dashtnije s’t’mrriti, Ku ty kurrkush nji lule—pik’lodje
kurr s’t’a qiti; E ktu, krejt e braktisun,—ti shndritë, o rras’, n’heshtim Nën
tuba t’shërmashekut —qi ndien për ty përdlim, Qi t’rrokë, e me nji triskull —njat
vend o rras’, stolisë Ku gjindet emni i bukur—i nji vash’s s’ré ravisë. N’mâ
t’bukrën mosh’ të jetës—q’at her’ kúr gjaku vlon, E bukur ishe, o vash’—qi nën
ket rras’ pushon; E bukur ishe e e kandshme—e plot me shpres’, haré Nji rrug’
shtrue krejt me lule—ty t’prîte n’jet’ të ré, Prej syve t’ú qi shndritshin me njyre
t’fjordalizit I dlírt t’shkëlqente shpirti—ambël vegim Parrizit!... Shkëlqente
besa e zemrës—të cilën ên’ mashtrimi S’e kishte prek’ me t’ftoftin—aft t’vet porsi
akullimi. Kshtu ti besove, e i ambël—porsi armoní qiellore T’tinglloi, o vash’,
ty zâni—i atij qi nji dashtnore Bes’ të pat dhân’ me fjalë!...—O e lumja vashë,
e lume! Qi kurr ty gnjimi t’pastrat—s’ká për t’trazuemun gjume, As kurr mâ s’ké
me pámun—si n’gjire t’jet’s kujtime Hupin t’shêjtnueshme, e s’mbahen—as besa mâ,
as prêmtime; E si n’ket jet’ shum hera—besa s’ká t’gjatun n’veti, Msá ‘i gjurmë
e léht mjes pellgut—qi fshin me shkulme deti!... E prá kúr ti mâ s’parit—nise,
heu vaj! m’u kullë, E kúr prej syve lodja—t’rigote tue bâ qullë Kultrën e dhimbës
s’ate—o vashë, a thue, n’mend t’bín
Fjal’t qi t’pat folë aq t’ambëla?—E kúr,
mizore t’rín Deka me kos’ t’a kputi—prej dhimbe ‘i zêmër ajë, U duk se mbí trup
t’andin—dote m’u shkrî krejt n’vajë. Ai kjé qi kúr ty trupin—t’a mbloi e dekës
mardha, Mbí tê nji tub’ t’ erandshme—lshoi drandofillesh t’bardha. Me at t’puthun
t’mram qi ty—t’u duk si vul dashtnijet, T’ndezun e t’ pashlyeshme—t’mnîshme nuk
t’erdhën hijet E vorrit t’ngritë e t’terrshëm,—e ndoshta n’mende t’ande, Në
vorr i dekës gjumi—s’ t’u duk, vashë, aq i rândë; Pse sakt ty djali i zemërs—kishte
për t’lyp’ der’ vonë, Me t’kjámun kish përhera—kishte për t’ dasht’ gjithmon’... Jo!
mos u ço prej gjumit,—vashë e trathtueme e shkretë! Syt mos i çil me pámun—mâ ket
t’ zezueme jetë; Tepër shkretnim rreth vorrit—t’and kishe me pá sot, Ku ‘i dit’
me lule t’bukra—vjollca e anemona plot, Fala e erkande bijshin,—ku pá ia dá prej
dyllit Të bekuem, nji drit’ shkelqente—si e pastra rreze e hyllit, Natën tue
t’ ruejtë, o vash’...—Tash shiu tue rá pik’ pikë, Mbar’ lulet i ká kalbun—e dritën
t’a ká fikë; T’a fiku n’nji nat’ t’ terrshme—duhija kúr pat krisë, E t’shndritshmin
shpirt me ‘i hera—pat dhânun tue lëvisë... U fik n’gjasim t’ jet’s s’ate—t’jetës
kaq vrik t’kalueme, O vash’, qi të kan qitun—në ket vorrez’ t’harrueme, Ku,
kur deg’t qiparisave—ká me u a rrahun veri; Ká me t’u ngrîmun shtati—tash t’dridhet
krejt i mjeri; Ku kan me qên’ kaq t’shpeshta—errsinat, qi shkëlqim Diellit kurrher’
s’i shkyen—e nata pá mbarim!... Oh! ndoshta prap ti kishe—me i dhânun shfrim lakmimit, Me
e pamun edhe ‘i hera—dritën e kuq’t t’agimit, Atje mbí balkue t’andin—ku ti ‘i
dit’ nadje Prilli, Nsá rrijshe në mjes t’lulevet—vet’ lule drandofilli, Nga
‘i sy ti qé soditun—Mù ty me përmallim Falat e para t’mrrîtne—t’mrrîni mâ i pari
urim. Po tash për ç’pun’ do t’çohesh,—me pá ket vend mbet shkret? Pse, vashë
e mjer’, me kthye—aty ku kush mâ s’ t’ pret? Pse pré, fantazm’ vorreze—me dasht’
me turbullue Pagjën e atij qi t’tana—ka nji ka nji harrue Ká t’koh’s qi shkoi
kujtimet—e der’ mbas shpinet qitë Ká t’folunat mâ t’parat—qi t’prû n’balkue nji
ditë? Pse prá m’i a prishun zemrën—t’pá bes’, por plot haré Me t’cilën i a ká
mbushun—tash nji dashtni mâ e ré?... Shif, vashë e shkret’, nji hera!—Sodìt, si
pá pik’ vshtírit, Ah! tepër shpejt po u terka—lodja prej syvet t’nirit! N’lulishta
lag’ prej vese—teret krejt kshtu brazimi Sá nadje veç t’a preke—i rrezes s’xét
shkëlqimi. Jo, mos u ço prej gjumit,—vashë e trathtueme, e mjerë! Flêj’ t’fortat
t’jet’s mashtrime—prap mos i zên nji herë! Kso dore s’ká pikllimi—mâ zêmrën me
t’përshkue Tu’ e pámun ktu tash vehten—për jetë e mot harrue; E kshtu mâ s’ké
me qamun—idhnueshëm me kujtime T’zêmrës kaq t’ambla e t’dashtuna—qi t’shpejtat
mblojn harrime, E qi kalojn’ me ‘i hera—pá pas’ qindres’ n’vetveti, Msá ‘i gjurmë
e leht’ mjes pellgut—qi fshin me shkulma deti? Pushò nën rras’ të vorrit—o e mjera
vasha e ime, Porsi nji ditë, e vogël,—t’nan’s s’ate nën shikime, N’djep u përkundshe,
e mjer’!—Pushò n’ket vorr pá droje: Ké n’shêj t’dashtnís, t’përdlimit—krygjën e
Zotit n’roje... E me t’përshndetun dielli—ty rrezet prej prendimi Ká për t’i
lshue në koh’ t’mbramjes—përmbî ket vorr harrimi; Ndërsá ty prej bajamavet—qi vesh’
kaq bukur vera, Me mija fûza lulesh—tash ká me t’shkundun era! Të cilat si buz’
foshnjesh—të pastra leht’ tash ulen N’vorr t’and, e t’bukrin êmën—me puthun tash
përkulen. Ty lulet tuba tuba—(ndërsá kúr t’bije nata, Prej majes s’qiparisavet—fërshllon
n’trishim urata) Tash t’bijn’, tash t’bijn si topa—bore kryekput s’kullueme, E
tash t’vallojn’ krejt vorrin—ku ti pusho’ e harrueme!...