2012-11-02 17:20:14

Atë Lombardi: “Jeta e amshuar” të kundrojmë qiellin përmbi kokat tona


“Jeta e amshuar” e titullon Atë Federiko Lombardi editorialin për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit, në atmosferën e kremtimit të të Gjithë Shenjtorëve dhe të përkujtimit të besimtarëve të vdekur. RealAudioMP3
“Ditët e para të nëntorit Kisha na fton t’i ngrejmë sytë, ta çajmë qiellin e mbyllur përmbi kokat tona e të shikojmë përtej tij. Të kundrojmë bashkësinë e të shëlbuarve, të shenjtorëve, të gjallë me Zotin; t’a ndjejmë praninë e tyre e bashkimine tyre me ne, në shtegtim. Ta shprehim lidhjen tonë shpirtërore me të vdekurit, me kujtim, lutje, shpresë.
Kohët e fundit, në Mesazhin përfundimtar të Sinodit, drejtuar popullit të Zotit, kujtohet se gruas samaritane Jezusi nuk i paraqitet thjesht si ai, që jep jetë, por si ai, që jep jetë të amshuar(Gjn 4, 14). Dhurata e Zotit nuk është thjesht premtimi për jetë më të mirë në këtë botë, por kumti se kuptimi i fundit i jetës sonë është përtej kufijve të kësaj bote, në bashkimin e plotë me Zotin, që e presim në fundin e kohëve.
E mesazhi vijon, duke na kujtuar se në Kishë njerëzit që i kushtohen plotësisht Zotit në varfëri, pastri e dëgjesë, duhet të jenë pikërisht dëshmitarë të këtij horizonti të jetës njerëzore, që shkon përtej vdekjes; dëshmitarë të pritjes së përkryerjes, e cila gjindet vetëm përtej asaj, që provojmë mbi këtë tokë. Thirrje e shkëlqyer, por sa kërkuese!
Impenjimi në këtë botë është i detyrueshëm e i nevojshëm, por duhet të ushqehet nga një shpresë, që është e aftë ta motivojë, që ia drejton hapat kah “qielli i ri e toka e re”. Pa këtë shpresë nuk ishte i mundur ungjillëzimi i parë e nuk do të jetë i mundur as i riu. Ta ngrejmë, prandaj, kokën lart, për të parë Zotin që vjen, i shoqëruar nga shenjtorët e tij!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.