Mbi domethënien e këtij solemnitetit të te Gjithë Shenjtorëve. Kisha
na mëson se ‘Shoqëria e Shenjtorëve’ është bashkimi i të gjithë atyre që besojnë
në Krishtin: të atyre që tashmë kanë arritur në shtëpinë qiellore; të atyre që janë
ende në Purgator e atyre që vijojnë shtegtimin mbi tokë. Është Kisha e parë në tri
stinë: në stinën e shtegtarëve mbi tokë; të atyre që kanë arritur në Purgator e që,
edhe pse tani për tani vuajnë, janë të sigurtë se do të shkojnë më pas në qiell; e
në stinën e fatlumëve, të cilët tashmë janë në shtëpinë qiellore. Kremtimi i 1 nëntorit
na kujton vëllezërit e motrat tona që kanë arritur në qiell, që janë me Zotin e mund
ta shikojnë jetën në Hyjin, ashtu si Hyji është e përgjithmonë. Po ç’ duhet
të kuptojmë me shprehjen ‘me ndërmjetësinë e shenjtorëve? Shenjtorët në qiell
mund të luten për ne. Në se, për shembull, Shën Atë Pio nga Pietralçina mund të lutej
për ne kur ishte në tokë, aq më tepër mund ta bëjë këtë tani që është në qiell. E
këtë mund ta themi për të Lumen Nënë Terezë e të gjithë ata që gëzojnë pamjen e Hyjit,
duke nisur pikërisht nga Zoja e Bekuar e duke vijuar me engjëjt e shenjtorët. Ata,
pra, luten për ne, ndërmjetësojnë për ne, për besimtarët, për famullitë, për dioqezat,
për mbarë Kishën. E në këtë kuptim, themi se shenjtorët luten për ne e se secili nga
ne ka shenjtin e vet pajtor qiellor. E është punë e mirë të merret emri i ndokujt
që është në qiell, si pajtor i shenjtë. Kjo festë na thotë se të gjithë jemi
të thirrur të bëhemi shenjtorë, po si mund ta kuptojmë këtë thirrje universale për
shenjtëri? Shenjtëria është përmbushja e dashurisë. Kush ka më shumë dashuri
për Hyjin e për të afërmin, ai është shenjt. Kështu e përkufizon Koncili II i Vatikanit.
Thirrja për shenjtëri nuk u përket vetëm të zgjedhurve; është thirrje universale,
që u drejtohet të gjithëve. Kështu na mëson Koncili në Dokumentin ‘Lumen Gentium’,
e kështu propozon Kisha: t’u përngjasim shenjtorëve në situata, kohë e fusha të ndryshme
të jetës. Ndërmjet tyre ka klerikë, e ne e dimë se janë të shumtë, si Toma i Akuinit,
Gjon Bosko, Gjon Vianei; pastaj rregulltarë si Shën Benedikti, Shën Bernardi e tri
Terezat ( Tereza e Avilës, Tereza e Krishtit Fëmijë e Tereza Bojaxhiu e Kalkutës).
Por ka edhe laikë: mjafton të mendojmë për Tomas Moron, Karlo Luangën, Maria Goretin
(martire në moshën 11 vjeçe), Luigj e Maria Beltramin Quatroki (bashkëshortë të lumnuar),
Berta Molën e sa e sa të tjerë. Libri i Besëlidhjes së Re, ‘Zbulesa’ e Shën Gjonit
Apostull na kujton 144 mijë; një numër që nuk mund të përcaktohet më: njerëz të çdo
populli, të çdo kulture e të çdo kombi, që këndojnë këngën e re të Qengjit të Hyjit,
të Krishtit shpërblyes. Është kjo thirrje për të gjithë neve.