2012-11-01 12:59:02

Atë Gjuzepe Pati: “Gjak në Shkodër”


Në atmosferën e solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve, kur kremtohen jo vetëm Shenjtorët e njohur, por edhe të panjohurit, ata që flijuan jetë e emër për Krishtin, po i kujtojmë përmes shkrimit të Atë Gjuseppe Patti-t, titulluar: “Gjak në Shkodër”, që përmbledh gjithë tragjedinë, por edhe epopenë, shkruar nga besimtarët në Krishtin gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.

Me të vërtetë, o Zot, ti ishte këtu, me ne,
e na ndihmove ta vuajmë mbi korpin tonë
mëkatin e vëllezërve.
Na rrahën e na mbytën,
vezë të valuara na vunë nën sqetulla,
e kështu na lidhën,
na dogjën mish e kocka;
për muaj na lanë lakuriq;
lidhur për drurët e kuvendit
në dimrin e acartë.
Na ftohën ngrohtësinë e frymës,
u dogjëm pa flakë për fenë tonë!
Për ditë e ditë na i lanë vashat
lidhur me hekura,
natën i varën për krahësh.
Na shkarkuan korrent ndër veshë
e shumë nga ne vdiqën kështu, në tortura!
Na i ngulën ku s’thuhet,
bajonetat e pushkëve të tyre,
i zhveshën meshtarët lakuriq;
e mbyllën në thes njërën nga bijat tona,
me një maçok të tërbuar,
i ranë sa mundën thesit
der’sa u bë mish e gjak.
Na mbajtën për javë e muaj
në nevojtoret e qelbura të burgut,
nën shkallët që të shtypnin.
Na munduan, e shumë,
në korp e në shpirt.
Na lanë për çlodhje
një rrip çimento, prej 39 centimetrash,
i lagën me ujë qelitë tona
që të kalbeshim për së gjalli
e ashtu të mohonim
çka ne s’e mohuam.
Çka s’mund ta mohonim
për të mos mohuar vetveten
për të mos mohuar vetë jetën!
Na i kripën plagët, atëherë,
e vashat tona i mbyllën
në një qeli me djem myslimanë
e vashën myslimane,
në qeli e vunë me fratin.
E mbytën Marinë,
pasi e lanë të kalbej për së gjalli
pa ngrënë e pa pirë,
mbuluar me lecka të përgjakura.
E mbytën vashën,
rininë nuk e gëzoi.
Na i thyen dhëmbët me shkelma e grushta;
na i copëtuan gishtrinjtë
s’u ngopën kur thonjtë
të nxirë nga dhimbja, u këputën e ranë.
Na e mbushën trupin me miza
me pleshta, me çimka, me morra.
Pastaj dizinfektuan qelitë,
e na e zunë frymën me helme
si të ishim insekte.
Na varën për këmbësh
si mishin te kasapi.
Shqipëri e gjakosur!
Vërtet Zoti ishte këtu, me ne,
e na kërkoi të pranonim mbi korpin tonë
mëkatin e vëllezërve!
U kalbëm kanalesh
që i hapëm në pranga
e shumë prej nesh u kallën në baltë.
Na morën fytyrë e korp;
e mbetëm pa formë e pa jetë.
Na bënë të zvarritemi, si krimbat
ndër galeritë e minierave,
nën tokë.
Me të vërtetë, o Zot, ti ishte këtu, me ne,
e na kërkove ta marrim mbi mishin e gjakun tonë
mëkatin e vëllezërve.
Na donin femohues,
spiunë të vëllezërve na donin,
Fëmijët tanë nuk guxuan
të bëjnë as shenjën e kryqit,
për të mos na parë në pranga.
Na shtrënguan të jepnim dëshmi të rreme
të tradhtonim mëmë e atë
të burgosnim mik e shok.
As lot nuk mund të derdhnim
për vëllezërit e vrarë,
në burgjet e errëta.
Me të vërtetë, o Zot, ti ishte këtu, me ne,
e na ndihmove ta vuajmë mbi korpin tonë
mëkatin e vëllezërve.
Na vodhën veprat, artin, kulturën
na hoqën librin e pendën,
ngjyrat, format e tingujt.
Me të vërtetë, o Zot, ti ishte këtu, me ne,
e na ndihmove ta vuajmë mbi korpin tonë
mëkatin e vëllezërve.
Fatlumët tanë, brohoritën
para plotonit “Rroftë Krishti Mbret!”
E ranë pas murit të Rrëmajit.
E qentë rrëmuan në gropat
vetëm një pëllëmbë nën dhe.
I nxorrën gjymtyrët e bekuara.
Por as me kaq nuk u ngopën:
e dogjën Kapelën,
rrënuan dhe varret.
Me të vërtetë, o Zot, ti ishte këtu, me ne,
e na ndihmove ta vuajmë mbi korpin tonë
mëkatin e vëllezërve.
Dogjën, rrënuan gjithçka,
por fenë nuk mundën ta preknin.
Mbeti pishtar në errësirë
në eklips të arsyes, t’humanizmit, të vlerave,
kur gjithçka, gjithçka u shkatërrua.
Po të mundnin
dhe shpirtin do të na e kishin shkulur.
Po këtë jo, nuk mundën ta bëjnë.
Se ne ta falëm ty, o Zot
shpirtin tonë.
Veç britmat lamë pas,
melodi përvëlimi mushkërish
coptuar në tortura.
E ty t’i besuam trupat e ligështuar,
e trupat e vrarë që presin
t’i kthesh në korpe të lumnuar.
Zot, na ndihmo të mos marrim hak,
se s’duam që feja
dëshmuar me jetë,
të shkojë kot e shpirtin të humbasim
tani që u zgjuam të dërmuar
pas ëndrrash përlyer
me djersë e me gjak.
Errësirën në mes të dritës
më s’e duron njeri!
Shqipëria dalë nga varri,
hakmarrjen s’e duron!
Shpëtonae, Zot, shpirtin
mbuluar me plagë.
E jepna paqë e pajtim.
Këto fjalë janë erë temjani
na hapin buzën në lutje:
O Zot, Ti rri prap me ne
e na ndihmo ta vuajmë në korpin tonë,
mëkatin e vëllezërve!







All the contents on this site are copyrighted ©.