2 nëntor, përkujtimi i të gjithë besimtarëve të vdekur
Derisa Dita e të Gjithë Shenjtorëve perëndon, përgatitemi për nesër 2 nëntor, dita
e përkujtimit të të vdekurve, kur do të nisemi simbolikisht për një shtegtim,
sa të dhimbshëm, aq festiv: shtegtim drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe
drejt varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve
të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona. Me këto ndjenja përulemi realisht e
simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të
reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur,
nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në
sy për të dashurit që më s'janë. Por, duke u ndodhur në vendet që të ngjallin një
trishtim të thellë, nuk duhet të harrojmë se kjo ditë për Kishën është një ditë e
madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, që pushojnë në paqe nën kryqat simbolikë,
na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është fara që Krishti erdhi për ta
hedhur në tokë. E në këto ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi
dridhet për të sotmen e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se
kurrë, se bota nuk është në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit!Nder vorre ! Po
shkoj sot ndër vorre, Jezus, s’është vend i këndshëm, e di, më rrënqeth ky vend
i heshtur, ky vend ku ka veç zi.
E zëri i tmerrshëm i vdekjes frymon
këtu nga çdo plasë, pëshpërit nga çdo gëmushë, nga çdo kurorë e çdo rrasë.
Po
shkoj për njerëzit që më deshën, që ishin, por që shkuan, po shkoj t’u shpreh
mirënjohjen për gjithçka më dhuruan.
Mirënjohje për kë më dha jetën, për
kë më dha bujarinë, mirënjohje për kë më fali fenë, për kë m’ dha për ditë dashurinë.
Një
krah më dha, ku u mbështeta, një fjalë të urtë, ku udhën rigjeta, më mësoi Lajmin
e mirë, ku gjeta shpresë e hir.
Po shkoj t’u pëshpëris shpresën time. Po
shkoj t’u përsëris se besoj, në atë jetë mbi të cilën vdekja askurrë nuk triumfoi.
Se
nuk është sëmundja, as morti që fjalën e fundit e thonë. Jo unë nuk mund të
besoj se i humba përgjithmonë.
Po shkoj t’u çoj një lule simbol bukurie
që duhet. Po shkoj të ndez një qiri simbol i zjarrit që s’ shuhet.
Po
shkoj të prek një fytyrë mes kryqave pa fund, po shkoj të të takoj Ty, Jezus
që vdekjen mund.