2012-10-31 18:04:54

Papa kryesoi Lutjet Mbrëmësore në Kapelën Sikstine me rastin e 500-vjetorit të përurimit të tavanit, pikturuar nga Mikelanxhelo.


Sot, në orën 18.00, Benedikti XVI kryesoi, në Kapelën Sikstine, kremtimin e Mbrëmësoreve, me rastin e 500-vjetorit të përurimit, nga Papa Juli II, të qemerit, pikturuar nga Mikelanxhelo. Ishte data 31 tetor e vitit 1512. Sot, 31 tetor 2012.Pesëqind vjet, që na kujtojnë veprën mahnitëse të artistit i cili, në më pak se katër vjet, ndërmjet 1508-tës e 1512-tës, kreu këtë kryevepër të papërsëritshme, afreskoi një sipërfaqe prej më se një mijë metrash katrore.
Sot, pesë milionë vizitues në vit, njëzet mijë në ditë, në periudhat më të përshtatshme, vizitojnë Kapelën Sikstine.
Pak ditë më parë, duke ndjekur shfaqjen e filmit “Art e fe. Udha e Bukurisë”, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, me rastin e kremtimeve të Vitit të Fesë e të 500-vjetorit të përfundimit të Kapelës Sikstine, Benedikti XVI, i pranishëm, theksoi:
“Mund të thuhet se pasuria artistike e Qytetit të Vatikanit përbën një lloj shembëlltyre të madhe, përmes së cilës vetë Papa u flet burrave e grave nga të katër anët e botës, prej këndej, me kultura e fe të ndryshme, njerëz që ndoshta nuk ia lexojnë kurrë fjalimet, nuk ia dëgjojnë kurrë homelitë”.
E shtoi:
“... Udha e bukurisë është e aftë t’i udhëheqë mendjet e zemrat kah i Amshuari e t’i ngrejë deri në lartësitë e Zotit”.
Papa kujtoi edhe impenjimin e Gjon Palit II për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë artistike, duke e parë edhe si ndihmesë jo të paktë për risimin e dialogut të Kishës.
Kapela Sikstine, shkruan sot në Osservatore Romano profesor Antonio Paolucci, drejtor i Muzeve të Vatikanit, e cila i tërheq me një forcë të pakundërshtueshme njerëzit, mbetet objekt i dëshiruar, nga i cili populli i muzeve e shtegtarë, të ardhur nga të katër anët e botës, nuk mund të heqin dorë. Nga dita, pikërisht pesëqind vjet më parë, kur Mikelanxhelo përuroi qemerin e afreskuar, historia e artit në Itali e në Evropë ndryshoi rrënjësisht. Asgjë nuk ishte si më parë.
E pikërisht Papa i kërkoi profesor Paolucci-t të mos i kufizojë në asnjë mënyrë hyrjet në Sikstinë. Ndonëse, siç mendon me të drejtë Drejtori i Muzeve të Vatikanit, mund edhe ta dëmtojnë kryeveprën e papërsëritshme, që në kushte moderne mbrohet nga pluhurat e ndotjet e tjera me mjetet më të përparuara të teknikës, që ndërrojnë ajrin, rregullojnë temperaturën dhe lagështirën, krijojnë kushtet që kryevepra, ardhur deri në shekullin tonë, të jetojë edhe në shekujt që do të vijnë, dhuratë për breznitë e ardhshme, me urimin të pasohet nga kryevepra të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.