2012-10-30 08:45:32

Imzot Fizikela: Sinodi na nxit t’i japim përsëri gjallëri një feje, shpesh të venitur e të lodhur


Me Meshën e kremtuar të dielën e kaluar nga Papa në Bazilikën e Vatikanit, përfunduan, pas tri javësh, punimet e Sinodit, te ipeshkëvijve kushtuar ungjillëzimit të ri. Benedikti XVI kujtoi se “Protagonistët e vërtetë të ungjillëzimit të ri janë shenjtorët; ata flasin një gjuhë të kuptueshme për të gjithë me shembullin e jetës dhe me veprat e dashurisë së krishterë”. Skicoi edhe tri vija baritore, që dolën nga Sinodi: rilindjen e jetës sakramentore, misionin pranë atyre, që nuk e njohin ende mesazhin e shëlbimit të Krishtit dhe kumtimin e ri me të pagëzuarit e larguar nga feja. Për një bilanc të Sinodit, intervistuam imzot Rino Fizikelën, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e ri:

Përgjigje: - Mendoj se doli në mënyrë shumë të saktë e të qartë se Kisha dëshiron ta rimarrë këtë rrugë, rrugën e ungjillëzimit të ri, me vendosmëri të madhe, ashtu si e kërkoi vetë Ati i Shenjtë.

Pyetje: - Parë në këtë këndvështrim, si do ta drejtoni Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, duhet të jemi të aftë për të bërë një analizë serioze e të thellë të të gjithë asaj që doli e që nuk doli nga Sinodi. Fakti që Papa tani njoftoi se katekizmi kalon në kompetencën e Këshillit Papnor, do të thotë se jo vetëm që shtohet përgjegjësia jonë, por sidomos, bëhet më cilësor vetë ungjillëzimi dhe krijohen kushtet për të verifikuar lidhjen gjithnjë më të thellë ndërmjet ungjillëzimit e katekizmit.

Pyetje: - Papa i nxit të krishterët ta çojnë Krishtin në shkretëtirat e kohëve tona. Sinodi përdori figurën e samaritanes pranë pusit, me kovë bosh. Cila është simbolika e kovave bosh pranë puseve të kohëve tona?

Përgjigje: - Do të thosha se dolën shumë prej tyre, gjatë diskutimeve sinodale. Mendoj, sidomos, për atë që ndodh brenda disa shtresave të botës rinore, ku alkoolizmi, droga, depresioni shkaktojnë shumë viktima; mendoj për temën tronditëse të papunësisë, për shqetësimet e mëdha të të rinjve, mendoj edhe për prirjet, që rriten gjithnjë më shumë e që nuk çojnë tek ajo perspektivë e rëndësishme, që është vënia e familjes në qendër të vëmendjes, në shoqëri e në jetën e njerëzve. Është interesante të kujtojmë se në skenën, që na e tregon Ungjilli i Shën Gjonit, vetë Jezusi i drejtohet samaritanes e nuk pret t’i drejtohet ajo e para. Mendoj, prandaj, se është pikërisht Kisha ajo, që duhet t’i drejtohet bashkëkohasve për t’i pyetur në se ndjehen vërtet mirë në këtë situatë shkretëtire. E në qoftë se kanë etje, t’i ofrojë atë ujë, që ta shuan etjen përgjithnjë.

Pyetje: - Ungjillëzimi i ri konceptohet kryesisht në lidhje me vendet e traditës së krishterë. Por në Sinod ne dëgjuam dëshmi të ardhura nga të katër anët e botës...

Përgjigje: - Në një periudhë globalizimi, si kjo që po jetojmë, na duket vërtet e vështirë të përcaktojmë kush ka më shumë nevojë për ungjillëzimin e ri. Sigurisht Perëndimi ka urgjencë për të, sepse sundohet nga shekullarizmi, jeton në përmasën e shkretëtirës, ravgon në një eklips, ku e ka vështirë ta dallojë fytyrën e Zotit. Situatë kjo, vërtet dramatike. Por është e natyrshme që në transmetimin e fesë janë të rinjtë ata, që na sjellin entuziazmin: mjafton të mendojmë se vetëm në Afrikë kemi më se 270 mijë katekistë.

Pyetje: - Sinodi ishte edhe rast i përshtatshëm për rrëmimin e ndërgjegjes. A niset edhe prej këndej ungjillëzimi i ri?

Përgjigje: - Ungjillëzimi i ri, si i tillë, është rrëmin serioz i ndërgjegjes. Natyrisht, në se kemi arritur në një situatë krize fetare, si kjo që po shikojmë, do të thotë se në të kaluarën disa gjëra nuk kanë funksionuar si duhet.

Pyetje: - Viti i Fesë, që sapo filloi, do të jetë edhe terren verifikimi? Do ta forcojë këtë impenjim?

Përgjigje: - Medoemos, në mënyrë që feja, shpesh e lodhur, e nganjëherë përtace, të mund të gjallërohet, duke e rifituar plotësisht zjarrin dhe guximin, për të cilët ka aq shumë nevojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.