2012-10-29 13:11:43

Kriza ekonomike e integrimi evropian temat e takimit të Benediktit XVI me kryeministrin kroat Milanoviç


Sot paradite Papa Benedikti XVI priti në Vatikan kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë, zotin Zoran Milanoviç. Pas audiencës te Ati i Shenjtë, kryeministri kroat u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertobe, që shoqërohej nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi imzot Dominque Mamberti.
Bisedimet e përzemërta mundësuan një shkëmbim të frytshëm opinionesh mbi sfidat me të cilat Vendi duhet të ballafaqohet në krizën aktuale ekonomike, si dhe mbi tema me interes të përbashkët në kuadrin e marrëdhënieve bilaterale. Lidhur me këtë u përmend në mënyrë të veçantë Konferenca e promovuar me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike, që mbahet sot pasdite. Për sa i përket rastit të njohur Dajla, dy Palët ranë dakord që çështja të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur, në frymën e miqësisë tradicionale ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës së Kroacisë.
Së fundi, u ripohua mbështetja e Selisë së Shenjtë ndaj aspiratave të ligjshme të Kroacisë për integrimin e plot evropian dhe u fol mbi rrethanat rajonale, me një referim të veçantë te situata e Kroatëve në Bosnje e Hercegovinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.