2012-10-28 15:58:49

Papa kryeson Meshën e mbylljes së Sinodit. Në Engjëllin e Tënzot nënvizon: ungjillëzimi i ri është bir i Koncilit


“Drita e fesë është pasuri e çmuar për jetën e njeriut”: kështu u shpreh Benedikti XVI në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë Meshës, me të cilën u mbyllën punimet e Sinodit të 13-të të përgjithshëm, kushtuar ungjillëzimit të ri. Në homeli, Papa ripohoi se Kisha e ka për detyrë të ungjillëzojë e se është edhe detyrë e gjithë të krishterëve ta kumtojnë Ungjillin me gëzim. Ndërmjet lutjeve të besimtarëve, edhe një lutje në arabisht, për paqen në Siri e në mbarë Lindjen e Mesme.

Ishte Bartimeu, modeli, që Benedikti XVI u tregoi bashkëkohasve. Njeriu, që ka humbur shpresën dhe kuptimin e jetës. I verbëri, për të cilin flet Ungjilli i Markut, ai, që humbi dritën e syve, apo dritën e fesë e, duke qenë i vetëdijshëm për këtë humbje të madhe, ia besoi vetveten Zotit. Rifitoi, kështu, plotësisht dinjitetin njerëzor e u bë dishepull i Jezu Krishtit:
Bartimeu përfaqëson njeriun, i cili ka nevojë për dritën e Hyjit, dritën e fesë, që ta njohë me të vërtetë realitetin e të ecë në rrugën e jetës. Themelore është të pranosh se je i verbër, se ke nevojë për këtë dritë, përndryshe mbetesh përgjithnjë në errësirë”.
Por Bartimeu nuk është vetëm i verbër; është edhe lypës, njeri që i ka humbur të gjitha pasuritë. Gjendja e tij të bën të mendosh, tha Papa, të fton të reflektosh se ka pasuri tejet të çmuara për jetën tonë, jo materiale, që edhe mund t’i humbasim:
“Bartimeu mund të përfaqësojë ata, që jetojnë në viset e ungjillëzimit të lashtë, ku drita e fesë u mek, njerëzit u larguan nga Zoti e nuk besojnë më se është i domosdoshëm për jetën: janë këta, njerëzit, që humbën pasurinë e madhe, ranë nga dinjiteti i lartë – jo ai ekonomik, e as i pushtetit tokësor, por ai i krishterë – humbën orientimin e sigurtë e të patundur të jetës e u bënë, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, lypës, njerëz, që shtrijnë dorën në kërkim të kuptimit e jetës. Njerëz që kanë nevojë për ugjillëzimin e ri”.
Ungjillëzimi i ri përfshin gjithë jetën e Kishës, theksoi Benedikti XVI, duke pasur parasysh Sinodin e sapopërfunduar. Tri, janë vijat kryesore baritore, theksoi Papa: e para ka të bëjë me rëndësinë e sakramenteve dhe thirrjen për të ecur në rrugën e shenjtërisë:
“Protagonistët e vërtetë të ungjillëzimit të ri janë shenjtorët; ata flasin një gjuhë të kuptueshme për të gjithë me shembullin e jetës e me veprat e dashurisë së krishterë”.
Në rend të dytë, ungjillëzimi i ri duhet të lidhet ngushtë me missio ad gentes, të shoqërohet me një hov të ri misionar, me protagonistë veprimtarët baritorë dhe besimtarët shekullarë:
“Gjithë njerëzit kanë të drejtë ta njohin Jezusin e Ungjillin e tij; e me këtë përkon edhe detyra e të krishterëve, e mbarë të krishterëve: priftërinj, rregulltarë e laikë, për ta kumtuar Lajmin e Mirë”.
Së fundi, nëvizoi Papa, Kisha tregon vëmendje të veçantë për të pagëzuarit jo praktikantë, me dëshirën e madhe që t’i ndihmojë për ta rizbuluar gëzimin dhe bukurinë e fesë:
“Kisha përpiqet të përdorë dhe metoda të reja, duke u kujdesur edhe për gjuhën e re, në përshtatje me kulturat e ndryshme të botës e duke e propozuar të vërtetën e Krishtit me frymë dialogu e miqësie, me themel në Zotin, që është dashuri”.
Nga ana tjetër, përfundoi Ati i Shenjtë, ungjillëzuesit e rinj kanë një karakteristikë të veçantë: gëzimin e zemrës, që buron nga takimi me Krishtin. Prej këndej, ftesa, në gjurmët e Shën Klementit të Aleksandrisë, për ta shlyer harresën e së vërtetës; injorancën, e për ta kundruar Zotin e njëmendtë.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa reflektoi përsëri për Sinodin, duke e cilësuar si çast të fuqishëm bashkimi kishtar, që krijon kushtet për të soditur bukurinë e vetë Kishës, me vështirësitë e shpresat e saj, në botën e sotme.
Duke ripohuar kërkesën për kumtimin e ri të Ungjillit në shoqëritë e shekullarizuara dhe impenjimin për risimin shpirtëror të vetë Kishës, Papa shpjegoi se do të përpiqet të hartojë një sintezë organike dhe do të japë udhëzime për të gjitha propozimet e Sinodit.
E në përfundim, Ati i Shenjtë kujtoi edhe Vitin e Fesë, përuruar më 11 tetor, pesëdhjetë vjet pas Koncilit II të Vatikanit:
Rikujtimi i stinës konciliare ishte tejet i favorshëm; na ndihmoi të ripranojmë se ungjllëzimi i ri nuk është shpikja jonë, por është lëvizje, që u zhvillua në Kishë, në mënyrë të veçantë duke nisur nga vitet ’50 të shekullit të kaluar, kur u duk qartë se edhe vendet e traditës së lashtë kristiane qenë bërë tokë misioni”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në fund, Papa iu drejtua me përzemërsi të posaçme një mijë besimtarëve të Perusë, mbledhur në Sivëllazërinë “Señor de los Milagros”, të cilët e mbartën me procesion figurën e Krishtit nga Rruga e Pajtimit në Sheshin e Shën Pjetrit, të shoqëruar nga tingujt muzikorë të fanfarës, që gjallëruan besimtarët e mbledhur në Shesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.