2012-10-28 15:59:04

Engjëlli i Tënzot: Papa kërkon solidaritetet për viktimat e uraganit në Karaibe dhe kujton të dëmtuarit nga tërmeti në Italinë jugore.


T’i ndihmojmë banorët e Karaibeve, viktima të një uragani të ri shkatrrimtar. Me këtë thirrje e përfundoi sot Papa lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar kryesisht reflektimit mbi Sinodin e sapopërfunduar. Papa u shprehu afërsinë edhe popullsive të Bazilikatës e të Kalabrisë, dëmtuar këto ditë nga tërmeti.
Fushatat elektorale, ndërprerë brutalisht dhe një hapësirë pa fund, përballë sulmit të tërbuar të “Sandy”. Ky ishte kuadri i krijuar nga uragani i ri, që në orën e lutjes së Engjëllit të Tënzot, drejtohej kah bregdeti lindor i SHBA. Presidenti Barak Obama i anuloi mitingjet në Virgjinia, ndërsa guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, shpalli gjendjen e emergjencës, në sa afrohej ai, që meteorologët, për shkak edhe të erërave të veriut, druhen se mund të kthehet në një super-stuhi. Por ndërkaq uragani “Sandy” ka lënë pas gjurmë të frikshme vdekjesh e shkatërrimesh, duke rrënuar, në shfrimin e tij të tërbuar me shpejtësi prej 175 km në orë, zona të tëra të Kubës, ku humbën jetën rreth 20 vetë, e pastaj Haitin e Xhamajkën, me 40 të vdekur. Për ta, familjarët e tyre e qindra-mijëra njerëzit, që shpëtuan gjallë, ndonëse të dërmuar, nga tërbimi i uraganit, ngriti zërin Papa, duke u bërë zëdhënës i tyre në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke u lutur e duke i bërë thirrje për solidaritet pjesës tjetër të botës:
Dëshiroj t’i siguroj për afërsinë time dhe kujtimin tim ata, që u dëmtuan nga kjo fatkeqësi natyrore, ndërsa i ftoj të gjithë të luten e të jenë solidarë, për të lehtësuar dhimbjen e familjarëve të viktimave e për t’u dhënë ndihmën e nevojshme mijëra të dëmtuarve”.
Në përfundim të përshëndetjeve pas lutjes mariane, në shtatë gjuhë, Benedikti XVI kujtoi edhe banorët e lokaliteteve kalabreze e lukane, pranë masivit të Polinos, të dëmtuar, të premten e kaluar, nga një lëkundje e fortë tërmeti, që shkaktoi dëme të ndjeshme. E lëkundja e parë u pasua nga një sërë lëkundjesh të pandërprera që, sipas Institutit të Gjeofizikës, edhe mbrëmë arritën deri në 3,2 ballë, duke shkaktuar frikë e tmerr. Edhe për këtë rast, Papa premtoi solidaritetin e tij shpirtëror:
Siguroj se i kujtoj në lutje popullsitë e Bazilikatës e të Kalabrisë, që u dëmtuan këto ditë nga tërmeti .Të gjithëve ju uroj: gëzuar të dielën dhe Festën e Gjithë Shenjtorëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.