2012-10-27 11:59:47

Shenjtorët e javës 28 tetor - 4 nëntor


E diel 28 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtare, ciklit të dytë. E gjithnjë më 28 tetor sipas kalendarit kishtar kremtohet edhe festa e shenjtorëve Simoni e Juda Tadeu, Apostuj, zëri i të cilëve vijon të përhapet në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit.

Të hënën më 29 tetor kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Në këtë ditë liturgjia na kujton sa të mëdha janë veprat e Zotit e na fton t’i kundrojmë në jetën tonë të përditshme

Të martën më 30 tetor, kalendari kishtar do të përkujtojë shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.

Të mërkurën më 31 tetor, sipas kalendarit kishtar bie përkujtimi i shën Alfonsit Rodriguez, rregulltar Jezuit e i shën Kuirinit. Liturgjia e ditës na kujton se Mbretëria e Zotit nuk i ngjet organizmave që rregullojnë jetën tonë tokësore. Mbretëria e Zotit është si fara e vogël e si tharmi që, ndonëse nuk duket, e tharm gjithë brumin. E tillë është edhe forca e dashurisë ndërmjet njerëzve.

Të enjten më 1 nëntor, Kisha kremton solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve. Kjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.

Të premten më 2 nëntor bie Përkujtimi i besimtarëve të vdekur – apo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”. Liturgjia na kujton se njeriu asgjë nuk do të humbasë në historinë, që e ka jetuar duke ecur pas Krishtit: të gjithë jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.

Të shtunën më 3 nëntor, përkujtohen shën Martini i Porres e shën Silvia, nëna e shën Gregorit të madh. Ata na kujtojnë se nuk e zgjedhim ne vendin ku do të rrimë në mbretërinë qiellore. Na e zgjedh vetë Hyji Atë. Është Ai, që na ka thirrur, që na jep një vend, një dhuratë. E natyrisht, sa më shumë t’ia besojmë vetveten, aq më e madhe do të jetë dhurata e Tij, të cilën sot për sot nuk jemi në gjendje as ta përfytyrojmë.

Të dielën që vjen më 4 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 4 nëntor kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.







All the contents on this site are copyrighted ©.