Më 27 tetor kalendari përkujton shën Frumencin, ungjillëzuesin e parë të Etiopisë
Emri i shën Frumencit na kujton një fakt historik të shekujve të Mesjetës, me interes
të veçantë: lajmin që sollën në Evropë kryqtarët, në sa ktheheshin nga Toka Shenjte.
Në Jerusalem kishin takuar disa shtegtarë zezakë, të ardhur nga një vend i largët
afrikan me një qytetërim të panjohur, por që dalloheshin menjëherë se ishin të krishterë.
Ishte një fakt i jashtëzakonshëm, sepse qëkur zonat e krishtera ishin zhdukur nga
trojet afrikane, pas pushtimeve të arabëve myslimanë në shekullin VII, Afrika nuk
i përkiste më gjeografisë së krishterimit. Kuptohet, prandaj, sa u mrekulluan kryqtarët,
kur morën vesh se në viset e egra të Afrikës së panjohur, jetonin njerëz tepër të
zinj e me pamje të çuditshme, që mbanin lart flamurin e Krishtit përtej kufijve të
pushtimeve myslimane. Këta njerëz ishin etiopë, vinin nga Etiopia, ku krishtenimi
kishte arritur që në shekullin IV, njëherësh me një djalosh të quajtur Frumenci, i
cili shtegtonte me qëllim studimi, së bashku me një shok tjetër, Edesin, si shoqërues
i një filozofi. Anija me të cilën shtegtonin u ndalua në Abdulis, në Detin e Kuq,
ku u sulmua nga etiopët, të cilët e masakruan gjithë ekuipazhin, duke përfshirë edhe
filozofin. Ndërsa dy të rinjtë, që kishin zbritur në tokë, i kapën e ia dhuruan mbretit
të tyre. Ishin të dy të rinj të shkathët e të zgjuar, prandaj edhe i pëlqyen shumë
sovranit, që e zgjodhi Frumencin si sekretar, ndërsa Edesin, si kopist. Si vdiq mbreti,
të rinjtë u zgjodhën këshilltarë të pasardhësit, ende të mitur. Mbreti i ri, Ezana
e pranoi i pari mesazhin ungjillor dhe i lejoi këshilltarët e vet të ndërtonin kisha
për tregtarët e krishterë që ndaloheshin ndër këto brigje. E në se shtegton në
rrafshnaltat që rrethojnë Axumin, do të vëresh menjëherë kudo kapela të vogla kushtuar
Shën Frumencit. Etiopia, e cila në botën e lashtë njihej si India e përtejme, e nderon
jashtëzakonisht shenjtin, të cilin e quan Abba Salama, që do të thotë "Atë Paqësori"
ose "mbartësi i dritës". E kjo dritë që morën nga djaloshi ndriçon edhe sot mendjen
dhe zemrën e banorëve të këtyre viseve të largëta, mbi të cilat më se një herë u dynd
stuhia e persekutimit. Shën Frumenci vijoi këtu misionin e tij ipeshkvnor deri
në vdekje, rreth vitit 380, duke përhapur kudo fjalën e Ungjillit. Model tepër modern
Shenjti i lashtë, në një kohë kur bota vijon përhumbjen dhe ka aq nevojë për "njerëz
paqësorë", "rrezatues të dritës".