2012-10-26 15:44:12

Papa për dokufilmin kushtuar “Rrugës së bukurisë”: binomi art-fe, që prej dymijë vjetësh, në zemër të Kishës.


“Art e fe. Udha e Bukurisë”. Ky është titulli i filmit dokumentar, që u shfaq dje pasdite në Sallën e Palit VI, në Vatikan, në praninë e Benediktit XVI, me rastin e kremtimeve të Vitit të Fesë e të 500-vjetorit të përfundimit të Kapelës Sikstine. Filmi, prodhim shumëgjuhësh i Edicioneve të Muzeve të Vatikanit, u realizua nga televizioni polak TBA për Governatoratin e Qytet-Shtetit papnor e, duke nisur nga nëntori, do të shpërndahet në nivel botëror.

“Kontribut i posaçëm e cilësor i Muzeve të Vatikanit në Vitin e Fesë”. Kështu u shpreh Papa për filmin, duke folur menjëherë pas projektimit. Shtatëdhjetë minuta rrëfimi, kushtuar kryeveprave, krijuar gjatë dymijë vjetëve të historisë së Kishës e të artit të saj. Vizita në Muzetë e Vatikanit, për shumë njerëz, që vijnë në Romë, përfaqëson një kontakt të madh, nganjëherë të pashembullt, me Selinë e Shenjtë. Prej këndej, tha Papa, jemi para një rasti të privilegjuar për njohjen e mesazhit të krishterë:
“Mund të thuhet se pasuria artistike e Qytetit të Vatikanit përbën një lloj shembëlltyre të madhe, përmes së cilës vetë Papa u flet burrave e grave nga të katër anët e botës, prej këndej, me kultura e fe të ndryshme, njerëz që ndoshta nuk ia lexojnë kurrë fjalimet, nuk ia dëgjojnë kurrë homelitë”.
Në fjalën e mbajtur në përfundim të filmit, duke folur edhe polonisht, për nder të delegacionit të Polonisë, i pranishëm në projektim, Papa e quajti gjuhën e artit “gjuhë shembëlltyre, pajisur me një aftësi të veçantë për t’u kuptuar nga njerëz, të cilët flasin gjuhë të ndryshme, por bëhen një para gjuhës së bukurisë, që kuptohet pa fjalë:
“... Udha e bukurisë është e aftë t’i udhëheqë mendjet e zemrat kah i Amshuari e t’i ngrejë deri në lartësitë e Zotit”.
Papa kujtoi edhe impenjimin e Gjon Palit II për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë artistike, duke e parë edhe si ndihmesë jo të paktë për risimin e dialogut të Kishës me artistët. Dialogu, shpjegoi akoma, gjen plotësisht shprehjen e vet në koleksionin e Muzeve të Vatikanit, përmasa e të cilëve mund të quhet ungjillëzuese:
“Jam i kënaqur posaçërisht, që më jepet rasti të çmoj ndjeshmërinë e madhe të paraardhësit tim të dashur, të Lumit Gjon Pali II, për dialogun ndërmjet artit e fesë: roli që Polonia ka në këtë prodhim, dëshmon meritat e tij në këtë fushë”.“Art e fe: binom që e shoqëron Kishën e Selinë e Shenjtë në një udhë dymijëvjeçare, përfundoi Papa, binon që duhet ta vlerësojmë më shumë edhe sot, në përpjekjen për t’u çuar burrave e grave të kohëve moderne, kumtimin e Ungjillit, Zotin, që është Bukuri e dashuri e pasosur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.