2012-10-26 16:34:02

Miliona myslimanë, drejt Mekës: nisi shtegtimi i madh


Nisi zyrtarisht dje, në ditën e tetë të muajit Dhul’Hijjah, për dy milionë shtegtarë, ardhur nga 180 vende të botës, shtegtimi ritual në Mekë të cilin, brenda mundësive, e ka për detyrë ta bëjë çdo mysliman i mirë, të paktën një herë në jetë. Si çdo vit, njofton agjencia Misna, një sistem vigan sigurie është në gatishmëri të plotë për të garantuar që shtegtimi i madh (Hajji) të kremtohet pa aksidente, në një periudhë tensionesh të veçanta në rajon. Sirianët, refugjatë në Jordani, Turqi e Liban u pajisen me viza speciale, shoqëruar edhe me një ndihmë financiare, ndërsa autorizimet për shtegtarët iranianë, sipas kanalit të internetit të Ministrisë së Brendshme të Riad (الرياض‎), iu nënshtruan kufizimeve, për shkak të sigurisë.
Shtegtarët iranianë e dëshmojnë çdo vit fenë edhe përmes ritit, që njihet si “mohim i politeistëve”, rit i krijuar nga Khomeini kundër Perëndimit e Izraelit.
Për myslimanët e Republikës Demokratike të Kongos e të Ugandës, këtë vit u arrit deri në atë pikë, sa të ndalohet fare shtegtimi: të tepërta, sipas drejtuesve sauditë, rreziqet e infektimit me virusin Ebola, që është dukur përsëri në dy vatra, në të dy vendet.
Haxhiu, domethënë shtegtari që ecën drejt Mekës, vishet me të bardha, simbol i pastërtisë dhe i barazisë ndërmjet të gjithë njerëzve, që i nënshtrohen Zotit (në arabisht, ihram, siç quhet në përgjithësi gjendja e pastërtisë, që duhet ta synojë çdo mysliman i mirë).
Miliona myslimanë e nisën shtegtimin, duke u ngjitur në Malin e Mëshirës, në Arafat, 19 kilometra jashtë Mekës, ku besohet se Profeti shqiptoi predikimin e lamtumirës. Riti, që duhet të zgjatë katër ditë, mbyllet me Eid al Adha, Festën e Flijimit. Drejtësia islamike e lejon besimtarin, që pengohet për të qenë i pranishëm fizikisht, por ka mundësi ekonomike, të delegojë ndonjë tjetër për kryerjen e këtij detyrimi fetar. Në këtë rast, përfitimet shpirtërore shkojnë në dobi të atij, që paguan udhëtimin dhe shpenzimet e tjera të zëvendësuesit. Në testament mund të lihen edhe fonde, që riti të kryhet në emër e për shpëtimin e shpirtit të të vdekurit.
Në shoqëritë islamike, ai që shtegton kah Meka, gëzon respekt të veçantë. Ka të drejtë të përdorë një çallmë të posaçme, që i kujton të gjithëve se ka qenë në Mekë dhe të quhet me emrin e nderuar Haxhi(shtegtar).
Monarkia saudite ka dërguar në vend 320 mjekë, 135. 000 vetë të forcave të sigurisë e 1500 videokamera të vendosura rreth Xhamisë së Madhe, teatër i fazës përfundimtare të shtegtimit. Çdo vit në kasat e Arabisë Saudite hyjnë 4 miliardë euro, fryt i këtij rituali.







All the contents on this site are copyrighted ©.