Hilari Klinton në Tiranë më 1 nëntor, fjalim në Kuvend të Shqipërisë
Sekretarja amerikane e Shtetit konfirmon vizitën në Shqipëri. “Nevojë kritike për
bashkëpunim politik dhe sundim i ligjit”. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton,
më 1 nëntor do të zhvillojë një vizitë disaorëshe në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga
Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka bërë publike agjendën e sekretares së Shtetit
për ditët e fundit të muajit tetor. Mësohet se Klinton do të jetë në Tiranë më 1 nëntor,
pasi të ketë zhvilluar më parë takime në Beograd dhe Prishtinë. Departamenti bën të
ditur gjithashtu edhe detaje të vizitës së zyrtares së lartë amerikane në vendin tonë.
Sipas DASH, Klinton do të ndalet te bashkëpunimi me Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s
dhe do t’i drejtohet Parlamentit me një fjalim ku do të fokusohet te zbatimi i ligjit
dhe bashkëpunimi mes forcave politike. “Në Tiranë, sekretarja do të theksojë solidaritetin
me aleaten e NATO-s, Shqipërinë, dhe do të ndihmojë shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë
së Shqipërisë me një fjalim në Parlament, ndërkohë që kujton edhe nevojën kritike
për bashkëpunim më të madh politik dhe sundimin e ligjit”, thuhet në njoftimin për
shtyp të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në fund të muajit prill, Kryeministri
Sali Berisha u takua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me sekretaren e Shtetit, ku
pas një takimi rreth 60 minuta, e ftoi atë të vizitojë Shqipërinë. “Është një nder
të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë këtu, në Departamentin e Shtetit. Kryeministri
dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në
NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë
e të thellë që e vlerësojmë maksimalisht. Mezi pres të diskutoj me Kryeministrin Berisha
për shumë çështje, për të cilat ne po punojmë, si në aspektin bilateral, rajonal,
ashtu dhe atë global. Zoti Kryeministër, mirëserdhët!”, tha Kliton pas takimit me
Kryeministrin Berisha. Rajoni Sekretarja amerikane e Shtetit do të jetë
edhe në Sarajevë, ku së bashku me Përfaqësuesen e Lartë, Ashton, do të theksojnë
nevojën urgjente për udhëheqësit partiakë për t’u shërbyer interesave të popullit
të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe për të realizuar reforma të nevojshme, si dhe do të
theksojnë pandryshueshmërinë e angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare për të Marrëveshjet
e Dejtonit për Paqen. “Në Beograd dhe Prishtinë, përveç diskutimit të çështjeve
të interesit dypalësh, sekretarja e Shtetit, Klinton dhe Përfaqësuesja e Lartë, Ashton,
do të përsërisin zgjidhjen e SHBA-BE për Serbinë dhe Kosovën, për të ndërtuar më tej
mbi marrëveshjet e mëparshme, për të avancuar dialogun e tyre, si dhe për të inkurajuar
hapat konkretë që do t’i lejojnë këto vende të përparojnë në udhët e tyre përkatëse
për anëtarësim në BE. Në Zagreb, sekretarja e Shtetit Klinton do të diskutojë
rolin e Kroacisë si një aleate e NATO-s, hyrjen e saj të ardhshme në Bashkimin Europian
në vitin 2013 dhe situatën e saj ekonomike”, thuhet në njoftimin për shtyp të Departamentit
të Shtetit.