2012-10-26 17:00:09

Benedikti XVI do të krijojë 6 kardinaj të rinj në Koncistorin e 24 nëntorit.


Gjatë Sinodit të Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, Papa Benedikti XVI njoftoi se më 24 nëntor, në vigjilje të Solemnitetit të Krishtit Mbret, do të mblidhet Koncistori për krijimin e 6 kardinajve të rinj. Ata përfaqësojnë tre kontinente: Amerika, Afrika e Azia. Janë imzot Xhejms Harvej, prefekt i Shtëpisë Papnore, që Papa dëshiron ta emërojë kryeprift të Bazilikës Papnore të Shën Palit jashtë Mureve; Fortlumturia e Tij, Bekara Butros Raji, patrik i Antiokisë së Maronitëve në Liban; Fortlumturia e Tij, Bazelios Kleemis Totunkal, kryeipeshkëv i Trivandrumit të Siro-Malankarezëve në Indi; imzot Xhon Olorunfemi Onajekan, kryeipeshkëv i Abuxhës në Nigeri; imzot Rubén Salazar Gòmez, kryeipeshkëv i Bogotasë në Kolumbi; imzot Luis Antonio Tegëll, kryeipeshkëv i Manilës në Filipine.
Duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve, Benedikti XVI i porositi:
“I ftoj të gjithë të luten për të zgjedhurit e rinj, duke kërkuar ndërhyrjen amnore të së Lumes Mari Virgjër, që të dinë ta duan gjithmonë me guxim e përkushtim Krishtin dhe Kishën e tij”.
Por të dëgjojmë përshtypjet e para të disa kardinajve. Ja ç’na tha kryeipeshkvi i Manilës, imzot Luis Antonio Tegëll:
Nuk jam i përgatitur për të pranuar këtë nder të madh nga Ati i Shenjtë! Është shenjë besimi, por edhe përvojë shpirtërore. Kur Sekretari i Shtetit më thirri për të më komunikuar vendimin e Papës, desha t’i përgjigjesha me fjalët e lutjes para Kungimit: “nuk jam i denjë të marr pjesë në tryezën tënde…”. Mendimi im i parë qe për misionin e Kishës në Filipine, në veçanti për Kishën e Manilës. Kjo Kishë ka detyra e impenjime për të gjithë Azinë. Gjysma e të krishterëve aziatikë jetojnë në Filipine. Ndoshta, kjo dhuratë që më bëhet, është për nxitjen e misionit të Kishës filipinase në ungjillëzimin e Azisë.
Ç’thonë njerëzit në Abuxha të Nigerisë, ku është kryeipeshkëv, imzot Xhon Olorunfemi Onajekan?
Lajmi u dha nga CNN e gjysëm ore pasi u njoftua në Vatikan, të gjithë e dinin. Prandaj, s’pata nevojë t’i informoj. Të krishterë, myslimanë, të gjithë thonë se ky është nder për vendin. Është lajm i mirë për Nigerinë, pas shumë lajmeve të këqia. Shpresojmë të jetë shenjë e bekimit të Zotit për atdheun tonë.
Ndërkaq, patriku i Antiokisë së Maronitëve në Liban, Bekara Butros Raji është ndër kardinajtë më të shqetësuar për situatën, në të cilën ndodhet vendi i tij:
Gjendja është vërtet shumë kritike për shkak të Sirisë: gjithçka ndikon mbi Libanin, sidomos fakti që Siria po shkon drejt një konflikti edhe më të përgjakshëm ndërmjet sunitëve, që janë shumica, dhe alauitëve, që janë pakica. Në Liban kemi si sunitë, ashtu edhe alauitë, prandaj problemet siriane ndjehen edhe këtu. Përveç kësaj, libanezët janë të ndarë ndërmjet tyre: sunitët janë kundër regjimit; shiitët, me regjimin. Konflikti është me natyrë politike. Nëse do të mbetet brenda këtij kuadri, gjithçka do të kthehet në normalitet, por nëse do të kalohet ky kufi gjendja do të degjenerojë. Gjithsesi, besoj se jo.







All the contents on this site are copyrighted ©.