2012-10-26 16:32:27

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të ‘B’


Feja që shpëton. Ecja dhe besimi! Një i verbër bëhet mësues i atyre që shohin dhe dëshmon se feja shpëton.
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të së dielës së 30-të gjatë vitit kishtare, sipas kalendarit liturgjik.
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, takojmë një të verbër të varfër, Bartimeun, që lutet: “Ki mëshirë për mua! Bë që të shoh!”. Përgjigjja e Jezusit është e menjëhershme dhe plotëson, madje shkon përtej kërkesës sepse thotë: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Atë që Jezusi vlerëson e lëvdon është feja e përvujtë dhe e qëndrueshme e të verbrit të varfër që i ofron rastin për t’i dhuruar jo vetëm shërimin e syve, por edhe shpëtimin e plotë të cilin Ai vjen për ta sjell në botë. Dhurata e pamjes së syve është shenjë e shëlbimit. Lutja: “O Zot, bënë që unë të shoh përsëri!”, është lutje e Kishës mbarë, që kërkon t’i përgjigjemi planit të Tij Hyjnor, zëri i çdonjërit që pret të ndritët për t’i njohur udhët e Zotit, për ta ndjekur me besnikërinë e dishepullit.
Jezusi është ndërmjetësues i vetëm ndërmjet njerëzimit mëkatar e Hyjit Atë. Nëse Zoti në kohërat e lashta ia ka lehtësuar vuajtjet popullit të vet, Jezusi, siç dëshmon shembulli i shërbimit të një njeriu të verbër, për çka flet ungjilli i kësaj së diele, i liron të gjithë njerëzit nga e keqja më e thellë që është mëkati.
Leximi i parë nga Jeremia profet dhe psalmi 125/126 e lavdërojnë e i brohorasin Hyjit për shpëtimin e popullit, vepër e Mesisë, ndërsa leximi i dytë nga Letra e Hebrenjve e kumtojnë Krishtin “kryeprift”, i deklaruar i tillë nga Ati Qiellor. Si i verbri, ta përsërisim edhe ne lutjen tonë që lartohet tek Ati në Krishtin prift e të drejtë e të mëshirshëm, drita e të verbërve e gëzimi i të munduarve.
Porosia e pjesë ungjillore të kësaj së diele është kjo: si të verbrit të Jerihonit, Bartimeu, Jezusi i dhuron çdo njeriu dritën e vërtetë të jetës. Kështu, Krishti na bënë të aftë ta pranojmë misterin e tij në fe dhe Atë ta ndjekim në rrugën e jetës. Bartimeu i verbër për të cilin flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele (nga Marku 10,46-52), është simbol i njeriut që hapet ndaj fesë dhe është i gatshëm të ndjek Jezusin. Të ngriturit e tij në këmbë me thirrjen drejtuar Jezusit, shpërblehet me dritën e syve. Të shohësh, e sidomos të shohësh Zotin, kjo është shpresa e mbrame e fesë.
Përshkrimi profetik i kthimit të të mërguarve në atdheun e tyre lexohet nga liturgjia nga një këndvështrim ungjillor. Jezu Krishti është Ai që i thërret të gjithë njerëzit, të dobëtit, të gjymtuarit, të verbrit, drejt kthimit të madh duke i mbushur me ngushëllim dhe me gëzim.
Mes rreshtave të leximit të parë kuptohet lehtë se ato rreshta mund të jenë tiparet e kthimit kah Zoti, drejt të cilit jemi të thirrur edhe ne të gjithë dhe vazhdimisht. Besimi është kthim: duhet të përshkojmë edhe një herë prapakthehu rrugëtimin që ndërmorëm kur u larguam nga Hyji i gjallë dhe i vërtetë. Feja është çlirim i skllavërimit përulës, zbulim i një gëzimi të harruar më parë, do të thotë perceptim i krahëve të Atit që të përqafojnë dhe të bëjnë ta ndiesh rishtas dashurinë e Tij.
Leximi i parë vë në dukje një aspekt të udhës së kthimit të njeriut tek Hyji, me nismën që vet Zoti ka ndërmarr për t’i parapri njeriut, duke ia afruar atij falas këtë mundësi. Ungjilli i kësaj së diele nënvizon pjesëmarrjen dhe përgjigjen aktive të njeriut në planin e shëlbimit hyjnor, me përshkrimin e shërimit të të verbrit në kuadrin e një udhe katekumenale.
Kjo udhë fillon me shfaqje të Jezusit në horizontin e njeriut; është e rëndësishme që Jezusi të kaloj andej (krah. Mt. 20, 30). Por një shfaqje apo dukje e tillë është e mistershme: i verbëri që simbolizon njeriun në rrugëtimin e vet të besimit, që nuk e sheh Jezusin, por vetëm e percepton atë nëpërmjet intuitës së tij (rreshti 47), por në të njëjtën kohë, ai shpreh besimin e vet, në nismën shpëtimprurëse të Zotit. Kjo hapje ndaj pranisë së Zotit, kundërshtohet me forcë nga bota që e rrethon dhe është i nevojshëm një guxim i madh i një qëndrese të patundur në vendimin e marrë.
Kandidati është në qendër të vëmendjes të atyre që e ftojnë dhe i zbulojnë, e njoftojnë me thirrjen e Zotit dhe së fundi dialogu final: Çfarë dëshiron?
Sot, të ndjekësh Zotin, nuk është punë e lehtë, dhe nëse deri dje kjo ka qenë më e lehtë, sot falë progresit teknologjik, qarkullimit të ideve jo qëndrueshme shoqërore, ekonomike dhe kulturore bëjnë që feja e qëndrueshme të vihet në rrezik.
Një fushë e madhe veprimi hapet për të gjithë ne, dhe thirrja e leximeve biblike, në njëfarë mënyre na bënë që ta jetojmë besimin në Zotin si një marrëdhënie personale dhe shpëtimprurëse me Hyjin e gjallë, që na është zbuluar në Jezu Krishtin, e vdekur e të ngjallur, për shpëtimin tonë.
Le t’i bëjmë të tonat fjalët e psalmit të liturgjisë së kësaj të diele, duke besuar me ngulm se në këtë risi njerëzore, Zoti do të bëjë që të lulëzojë mbretëria e Tij. “Vepra të mëdha bëri Zoti për ne!”
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës së 30-të ‘B’, mund të dëgjoni edhe këtu....RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Jer 31, 7-9

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 126

Punë të mëdha bëri Zoti për ne
----------
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
----------
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
----------
Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e Negebit!
Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
----------
Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.
----------

Leximi i dytë Heb 5, 1-6

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni.
Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.”
Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 10, 46-53

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”
Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.
Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.
Fjala e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.