2012-10-25 14:13:32

Vepra “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”


“Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”, i autorit Gjon Marku, një përmbledhje librash të stilit të intervistave që autori nxjerr prej vitesh ku përfshihen 61 intervista me personalitete të kulturës, shkencëtarë, historianë, personalitete fetare, artistë, politikanë, pedagogë, profesorë të degëve të ndryshme të dijes e të ekonomisë, ushtarakë, punonjës të mediave shqiptare dhe autorë të shquar të huaj. Një pjesë e madhe e të intervistuarve, personalitete të spikatura të kulturës dhe fushës së studimit në zonat e Veriut ishin pjesëmarrës në këtë promovim, ashtu si dhe shkrimtarë, poetë, gazetarë, punonjës të artit e kulturës si dhe autoritete e personalitete vendore. Mirdita e meriton këtë libër,dhe aq më tepër nga një autor si Gjon Marku që vjen me librin e 14-të të tij, duke sjellë një material në nivel të lartë profesional. Shumë prej të intervistuarve nuk jetojnë më, por kjo vepër do të jetë si pasaportë me vlerë për pasardhësit. Përmes gojës së këtyre intelektualëve, Mirdita, vjen si një minierë e madhe e dëshmive historike. Autori na ka dhënë një vepër dinjitoze për Mirditën të llojit të veçantë, po më hollësisht të dëgjojmë bisedën e dom David Gjugjës me vet autorin Gjon Marku...RealAudioMP3
Prof. Willy Kamsi, studiuesi i njohur shkodran theksoi se kur përmendet emri Mirditë nuk ka shqiptar që të mos ndiej diçka që i dridhet në zemër e të mos i përsëritet në mendje. Pyetjes se cili ishte mendimi i djeshëm dhe i sotshëm për Mirditën është përpjekë t’i japë përgjigje autori përmes gojës së personaliteteve e dijetarëve të fushave të ndryshme. Po të merreshin me radhë do të delshin faqe bukur të shumta me njoftime dore së parë, të gjitha lëndë për një histori të Mirditës, ndër doke e zakone të saja, pasqyruese të karakterit e pse jo të inteligjencies së mirditorit që kurdoherë ka spikatë dhe kurdoherë e kanë dallue gjithë ata që i janë afrue dhe që kanë pas të bëjnë me ta.
Studiuesi i njohur shkodran Mentor Cuku tha se tri janë çastet që të bien në sy në këtë vepër: Së pari Mirdita përbën një emër të madh,një krahinë zëmadhe që bëri historinë e saj, që nxori njerëz të shquar, të dalluar për temperamentin, karakterin dhe personalitetin e tyre. Së dyti, për nga metodika, është përdor një metodikë novatore duke nxjerrë në pah historinë dhe realitetin e kësaj krahine. Së treti, autori që na vjen në një pozicion krejt të veçantë, një zë premtues në radhët e zërave të rinj të letrave shqipe, duke ndërtuar një enciklopedi për Mirditën.
Gjon Marku, autori i këtij libri “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” ia arrin të pasqyrojë në mënyrë mjaft të mirë vlerat, që karakterizojnë Mirditën dhe popullsinë e saj.
Kjo vepër, “Antologjia e mendimit të sotëm për Mirditën”, është një begati e punës përkushtuese për një trevë shqiptare siç është krahina e Mirditës. Për të eksploruar çështje të caktuara përmes intervistës, sikurse janë vlerat brilante të popullit të krahinës së Mirditës, vërtet duhet pasur njohuri të thelluara tematike edhe një qasje të kujdesshme metodologjike. Kjo qasje njohëse dhe metodologjike nuk i mungoi, por mjeshtërisht i shkoi për dore autorit të librit “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”. Përmes metodologjisë së intervistave, me personalitete nga sferave të ndryshme të dijes, në nivel kombëtar dhe të huaj, autori i këtij libri ia arrin që të pasqyrojë në mënyrë të mjaft të mirë vlerat, që karakterizojnë Mirditën dhe popullsinë e saj
Mendimi i sotëm për Mirditën, i pasqyruar në libër nga intervistues të ndryshëm të dijeve interdisiplinare, është një begati që e zgjeron mendimin e njohurit, jo vetëm në rrafshin rajonal, por edhe në atë kombëtar. Mirëdita është një rajon, i cili, po t’i mungonte etnikumit shqiptar begatia e tërësisë së tij, do të ishte e paplotësuar. Kjo krahinë, që nga në zanafillë e jetoi jetën në mënyrën e vet më autentike, duke ruajtur identitetin e mëvetësishëm, qoftë atë etnik, shpirtëror, kulturor dhe kombëtar dhe duke e begatuar me vlera të reja, krahas ecurisë së rrjedhave te kohës Sa herë që kohërat ishin të mynxyrshme, dhe të tillat ishin jo të pakta, populli i kësaj krahine i kthehej vetvetes dhe kaliste mbijetesën në rrugëtimin autentik të vazhdimësisë së jetës. Kur populli shqiptar jetonte në errësirën e pllakosur nga pushtuesit e ndryshëm, Mirdita bënte përpjekje që ta sfidonte këtë dhe të jetonte e përndritur në entitetin e identitetin e saj. Kjo na nxit të mendojmë se një çështje e tillë mund të jetë një prej arsyeve se kjo krahinë dhe njerëzit e saj ishin mjaft tërheqës për studiuesit e ndryshëm që të hulumtonin një vend ku njerëzit e ruajtën substancën e mëvetësisë së tyre të pandryshueshme në ndryshime.
Në këtë vepër, përmes mendimit të autorëve vendas dhe te huaj, shpalosen fakte të rëndësishme historike, si për shembull e dhëna se në fund të shekullit XII në Mirditë e kishte epiqendrën Shteti i Arbrit, në Mirditë vepronte Abacia Kishtare e Oroshit si qendër shpirtërore e kulturore, me shtrirje në sferën edukativo-arsimore . Kjo Abaci, për kohën ishte fije lidhëse mes botës shqiptare me boten perëndimore. Kjo krahinë gjatë pushtimit shumëshekullor otoman, prezantohet se kishte një Princ autonom si Kapidani i Mirditës, kishte një Kushtetutë vetëqeverisëse si Kanuni i Lekë Dukagjinit. Mirditorët, vëllezërit Gazulli ishin këshilltarë dhe ambasadorë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe përfaqësues të humanizmit evropian. Mirdita, në bazë të të dhënave, është e njohur edhe për kuvende të shumta, në të cilat përmes fjalës dhe debatit, sheshoheshin çështje të jetës dhe të sfidave të saj, si dhe të momenteve kyçe të historisë kombëtare. Andaj kjo mënyrë e kuvendimit sikur anticipojnë fillet e parlamentarizmit shqiptar. Në Mirditë ishte themeluar dhe vepronte Shoqëria letrare dhe kulturore “Bashkimi” në krye me imzot Preng Doçin, Abat dhe me përbërje nga figura të shquara si Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Fishta, shoqëri, e cila hartoi projektin e shkronjave shqipe, që u pranua në Kongresin e Manastirit si bazament i alfabetit të gjuhës shqipe. Në lëmin e dijeve humane theksohet figura erudite mirditore, doktorit të filozofisë atë Ambroz Marlaskaj, françeskan. Ndërsa me rastin e pavarësisë së Shqipërisë, përkrah Ismajl Qemajlit, ishe edhe figura e njohur patriotike nga Mirdita dom Nikollë Kaçorri, figurë e cila meritonte që të përjetësohej në ditën e përndritjes së Atdheut Shqiptar.
Mirditori, i prezantuar në këtë libër, vlerësohet si inteligjent, trim dhe i besës që ishte në gjendje të mbrojë jo vetëm rajonin ku jetonte, por ishte i përkushtuar gjithherë në mbrojte të tërësisë dhe të lirisë së Shqipërisë. Dhe studiuesit e ndryshëm shfaqin mendime për relievin gjeografik si dhe për pasuritë nëntokësore të Mirditës.
Duke e lexuar librin e Gjon Markut “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”, ngjallet reminishenca e rrëfimeve të dëgjuara, për Mirditën, nga njerëzit e moshuar të regjionit të Lugut të Drinit dhe të trevave tjera të kësaj ane të Dukagjinit dhe me gjerë. Përmenda trevën e Lugut të Drinit dhe një theks i tillë meriton pasqyrim, sepse në këtë anë, përpos lidhjeve tjera , në rajonin e Lugut te Drinit ka punuar dhe vepruar njohësi i mirë i botës së mirditorëve, kodifikuesi i Kanunit të Lekë Dukagjinit françeskani atë Shtjefën Gjeçovi, i cili në vitin l897 në Qelën e Kishës së Zllakuqanit hapi për herë të parë shkollën shqipe për fëmijët e kësaj ane. Ndërsa mësuesi mirditor Ndrec Ndue Gjoka, i emëruar nga Ernest Koliqi, për katër vite me radhë shërbeu në detyrën e mësuesit në shkollën e Zllakuqanit. Libri,” Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” i autorit Gjon Marku, me vlerat e tij përmbajtjesore, meriton vëmendjen jo vetëm të lexuesit kureshtar, por edhe të botës akademike dhe të mendimit shkencor, nga shkaku se ky libër prezanton të dhëna me vlera të rëndësishme për Mirditën si një rajon shqiptar me histori të spikatur e vlerë të veçantë.







All the contents on this site are copyrighted ©.