2012-10-25 07:16:33

25 tetor kalendari kujton të Lumin don Karlo Njoki


Më 25 tetor, kalendari kishtar përkujton të Lumin Karlo Njokin(Carlo Gnocchi). Ky i Lum, Carlo Gnocchi, qe apostull i kohëve moderne dhe gjeni i dashurisë së krishterë, që duke pranuar sfidat e kohës së tij, iu kushtua me çdo kujdes të gjymtuarve të vegjël, viktima të luftës, në të cilët shihte fytyrën e Hyjit. Meshtar dinamik dhe entuziast, si dhe edukator mendjemprehtë, e jetoi tërësisht Ungjillin në kontekstet e ndryshme të jetës, në të cilët veproi me zell të pareshtur e me zjarr të palodhshëm apostolik.
I Lumi Karlo Njoki lindi më 25 tetor 1902 në Sab Kolombano të Milanos. Kur ishte vetëm 2 vjeç i vdiq i ati e familja e tij u detyrua të vendosej më parë në Milano e më pas në Besana të Briancës. Ndoqi mësimet në seminarin e Milanos dhe u shugurua meshtar më 6 qershor 1925. Nisi të shërbente ndër kisha famullitare të ndryshme të Milanos, pasta u caktua si kapelan në Institutin Gonzaga, që drejtohej nga Vëllezërit e Shkollave Katolike, ku pati rastin t’i njihte më mirë njerëzit e inkuadruar në shoqëri: të rinjtë por edhe familjet e mjediset e tyre, duke përsosur kështu pasionin dhe ndjeshmërinë e tij si edukator.
Më 10 qershor 1940 Italia hyri në luftë e don Karli nisi shërbimin vullnetar si prift kapelan ushtarak në formacionin alpin Val Tagliamento të divizionit Julia. Sapo mori detyrën e re, u nis menjëherë për në Shqipëri, kur predikoi Ungjillin, jo vetëm ndërmjet alpinëve po kudo mundi. Fjala e Zotit ishte i vetmi ngushëllim dhe e vetmja shpresë në skenën ku luhej tragjedia e tmerrshme e luftës.
Don Karlo Njoki ishte meshtar në luftë, jo meshtar lufte! Pikërisht në jug të Shqipërisë – siç kujtoi ai vetë, në vijën e parë të frontit, mbi një altar të ngritur aty për aty, kremtoi Pashkët e luftës, përballë vijave të frontit armik. Ushtarët u rrëfyen dhe u kunguan me Eukaristi. Për disa prej tyre ishte shutja shpirtërore e fundit…..
Nga Shqipëri, don Karli kaloi në Mal të Zi, në frontin grek e, më pas në frontin rus. Tërheqja e tmerrshme e vitit 1943, gjatë së cilës vdiqën mijëra njerëz, e tronditi aq shumë, sa pësoi një krizë të thellë shpirtërore, duke vënë në dyshim deri mëshirën e Zotit.
Por shumë shpejt arriti ta kapërcejë këtë krizë e ta kuptojë thellësisht vlerën e vuajtjes së njerëzve të pafajshëm. I lindi dëshira për të ndihmuar jetimët alpinëve të tij, të gjymtuarit e luftës, viktimat e bombardimeve e njerëzit me handikapët e të gjitha llojeve. Kështu në vitin 1947 themeloi Institucionin “Për fëmijët e gjymtuar”, që u njoh nga Vatikani më 26 mars 1949. Më vonë ky Instituti do të quhet “Fondacioni Pro-Juventute” e kështu don Njoki u bë “don Bosku” i Milanos, njeri i palodhur, ideator e realizues i madh i veprave humanitare. Vdiq më 28 shkurt të vitit 1956.







All the contents on this site are copyrighted ©.