2012-10-25 15:00:11

Motër Meri Prema në Sinod: Nënë Tereza, shembull i ungjillëzimit të ri


Në Sinodin e Ipeshkvijve për Ungjillëzimin e Ri, që sot i zhvilloi punimet me dyer të mbyllura në Vatikan, merr pjesë edhe Nënë Tereza… Natyrisht, jo ajo vetë, por pasardhësja e saj, motër Meri Prema Pierik, eprore e përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë, dëgjuese në asamble. Ndër temat e Sinodit është edhe transmetimi i fesë në epokën bashkohore, përmes kujdesit për më të varfërit. E në këtë fushë, ungjillëzimi i ri nuk mund të mos frymëzohet nga misionarja shqiptare, Nëna jonë Terezë. Por të dëgjojmë motër Meri Premën, në mikrofonin tonë:
E ndjej veten të privilegjuar, që u ftova në këtë Sinod, ku përfaqësoj të gjitha motrat, etërit dhe vëllezërit e Misionarëve të Bamirësisë, por edhe të varfërit tanë. Të gjithë janë lutur jashtëzakonisht, që Sinodi të sjellë frytet e ungjillëzimit të ri.
Ipeshkvijtë e kanë paraqitur Nënë Terezën si model, si shembull të ungjillëzimit të ri. Çfarë mund t’i thotë ajo sot, Kishës Katolike?
Nënë Tereza e kishte zemrën të mbushur plot me dëshirën për t’u thënë të gjithëve se Jezusi i do e se ka dhënë gjakun e tij të çmuar për shëlbimin e secilit. Mandati i Jezusit, “Shkoni në të gjitha kombet e kumtoni Lajmin e Mirë”, ishte lajtmotivi i saj e me të përpiqej të arrinte sa më shumë njerëz, t’u kumtonte atyre se Jezusi i donte dhe po priste përgjigjen e tyre të dashurisë.
Ungjillëzimi i ri realizohet edhe duke u kushtuar kujdes të varfërve dhe të sëmurëve. Me jetën e saj, Nënë Tereza na ka mësuar se duhet ta kërkojmë Krishtin në çdo të varfër e ndihmën, që i japim, duhet ta shoqërojmë gjithmonë me lutje…
Ungjillëzimi i ri u përket edhe të varfërve, por nuk është “i ri”, sepse ka të bëjë me jetën e Jezu Krishtit. Ai vetë u identifikua me të varfërit, duke thënë: “Gjithçka do të bëni për më të voglin prej vëllezërve të mi, do të ma keni bërë mua”. Këtë pa Nënë Tereza në mandatin e Jezusit: duhej t’u kushtohej kujdes i veçantë të varfërve. E duke bërë kështu, provoi dëshirën, etjen e Jezusit për shëlbimin e të varfërve, të atyre, që vuajnë fizikisht, shpirtërisht, moralisht e psikologjikisht. Ata do të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së Kishës.
Me shembullin e saj, Nënë Tereza na ka mësuar se duhet ta shenjtërojmë jetën. A është e mundur të jesh shenjt në çdo kohë, në çdo vend?
Jam shumë e bindur për këtë. Zoti e ka thirrur secilin prej nesh ta bëjë të dukshme shenjtërinë e ta nxjerrë nga shpirti i vet, nga jeta e vet; na ka thirrur t’i përgjigjemi me dashuri. Ne na ka dashur Zoti, i pari. Çdo jetë njerëzore ka gjithnjë kryqin e vet të veçantë e bashkë me të, edhe një hir të veçantë, për t’iu afruar takimit me Krishtin, për t’u identifikuar me Krishtin në vuajtjen e Tij, në dëshirën e Tij për shpirtra.
Nënë Tereza e ka mbrojtur gjithnjë jetën, duke luftuar abortin. Kjo nevojë ndjehet edhe në botën e sotme, është detyrë e ungjillëzimit të ri…
Fëmija i palindur është njeri, individ, ka të drejtën të lindë, të duhet e të kujdesen për të. Çdo njeri e ka këtë të drejtë e mohimi i saj është si të bësh dëshmi të rreme. Që nga çasti i zënies, fëmija është njeri, person tjetër, ka një shpirt “të menduar” nga Zoti që të rritet në shenjtëri e të kthehet tek Hyji për amshim. Prandaj, mbrojtja e fëmijës së palindur duhet të jetë gjithnjë në qendër të jetës së krishterë, sepse ka të bëjë me njërin nga Urdhërimet e Tënzot: mos vrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.