2012-10-23 15:23:34

Sinodi për Ungjillëzimin e Ri paraqet listën e propozimeve përfundimtare


Sinodi për Ungjillëzimin e Ri, që vazhdon punimet në Vatikan, pati sot një nga çastet kulmore. Paradite u paraqit lista e propozimeve përfundimtare, praktikisht boca e dokumentit me rezultatet e asemblesë së ipeshkvijve, që do të votohet të shtunën. Por etërit sinodalë bënë edhe një thirrje për lirimin e tre misionarëve të rrëmbyer të premten, në Republikën Demokratike të Kongos, si edhe theksuan se po vazhdon përpjekja për dërgimin e një misioni solidariteti në Siri.
Nuk dihet se kur do të jetë e mundur që një përfaqësi e Sinodit dhe e Selisë së Shenjtë të shkojë në Damask, sipas dëshirës së vetë Papës Benedikti XVI, por ipeshkvijtë po punojnë për këtë. Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të këtyre ditëve, ndoshta delegacioni nuk do të niset para përfundimit të Sinodit e përbërja e tij mund të ndryshojë. Gjithsesi, ipeshkvijtë shprehën solidaritetin e tyre me popullsinë siriane e inkurajuan të gjithë ata, që po punojnë për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës.
Përsa u përket punimeve të vetë Sinodit, sugjerimet e Asamblesë janë përmbledhur tashmë në listën e propozimeve përfundimtare, që u paraqit sot. Në të theksohet se ungjillëzimi është mision i Kishës, sidomos në një botë të shekullarizuar e të globalizuar, ku vërehet ashpërsimi i persekutimeve kundër të krishterëve, ose indiferenca ndaj fesë. Etërit sinodalë theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së lirisë fetare e të drejtave themelore të njeriut.
Tema të tjera kanë të bëjnë me përdorimin e mjeteve masive të komunikimit nga veprimtarë të formuar me moral të krishterë, duke sugjeruar një rrugë ungjillëzimi, që kalon edhe përmes bukurisë e artit kishtar. Ipeshkvijtë e ngrenë zërin në mbrojtje të emigrantëve, propozojnë shenjtërimin e jetës e dëshminë e krishterë si rrugë më të frytshme për ungjillëzimin e botës, pa harruar referimin ndaj Doktrinës Shoqërore të Kishës e Koncilit II të Vatikanit.
Pastaj, edukimi, katekizmi për të rriturit, roli i laikëve dhe i grave, ndihma për të varfërit e për të sëmurët, bamirësia e Sakramenti i Rrëfimit: të gjitha këto duhet të jenë gjithnjë e më shumë në qendër të veprimtarisë baritore të Kishës. Që këndej, ftesa për të mbështetur e përkrahur familjen, bërthama e parë e ungjillëzimit, me kujdes të veçantë edhe ndaj çifteve të ndara e të rimartuara. Meshtarë e rregulltarë, sipas Sinodit, duhet të kenë përshpirtëri të thellë e të jenë të vetëdijshëm për kohët, që po jetojmë. Brenda Kishës, theksohet në dokument, famullitë e karizmat e ndryshme duhet të bashkëpunojnë.
Për ipeshkvijtë, dialogu me botën duhet zhvilluar në katër fronte: atë ekumenik, atë ndërfetar, atë ndërmjet shkencës dhe fesë, si edhe me jo besimtarët. Emërues i përbashkët i këtyre fushave është respekti për tjetrin dhe bashkëpunimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos përsa i përket dialogut me myslimanët.
Së fundi, asambleja sinodale fton që të ruhet Gjithësia, gjithçka Zoti ka krijuar për të mirën e njeriut, duke dëshmuar fenë e solidaritetin ndërmjet brezave. Ipeshkvijtë ia besojnë propozimet shën Marisë, Yllit të ungjillëzimit, falë së cilës Kisha mund të jetë shtëpia e shumë njerëzve.
Seanca e sotme u mbyll me leximin e një letre, me të cilën Sinodi i përgjigjet ipeshkvit kinez të Fengksijangut, imzot Luka Li, që ditët e kaluara dërgoi një letër për të përshëndetur etërit sinodalë, në pamundësi për të marrë pjesë vetë në Asamble. Ipeshkvijtë i shprehin dashurinë e tyre dhe të Atit të Shenjtë, duke uruar që gjatë Vitit të Fesë, ungjillëzimi të arrijë edhe në mesin e popullit kinez.








All the contents on this site are copyrighted ©.