2012-10-23 14:52:05

Procesi për kujdestarin e Papës, Gabriele, motivimet e vendimit të Gjykatës së Vatikanit. Më 5 nëntor hapet procesi ndaj Sciarpellettit


Në 15 faqe, Gjykata e Vatikanit motivoi sot përse e ka konsideruar kujdestarin e dhomës së Papës, Paolo Gabriele, fajtor për vjedhjen e dokumenteve të rezervuara nga tryeza e Benediktit XVI, duke e dënuar me 18 muaj burgim. Motivacionet u bënë të ditura përmes një konference në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Veprimi i Paolo Gabrieles, shpjegohet nga Gjykata, është në kundërshtim me ligjet e Vatikanit përsa i përket personit të Atit të Shenjtë, të drejtave të Selisë së Shenjtë, atyre të gjithë Kishës Katolike dhe të Shtetit të Vatikanit. Gjykatësit sqarojnë se ai ka vepruar vetëm, duke vjedhur edhe dokumente origjinale. Gabriele ka abuzuar me besimin që i është dhënë, duke përfituar për të vepruar i qetë, pa qenë aspak i autorizuar jo vetëm të marrë dokumentet, por edhe të bëjë kopje për t’ua dhënë gazetarit italian Xhan Luigji Nuci, që më pas i publikoi, si edhe atit të tij shpirtëror. Një kopje e tretë është gjetur në apartamentin e kujdestarit.
Gjykata e Vatikanit thekson se hetimet vazhdojnë për të sqaruar përgjegjësi të tjera për këtë ngjarje të hidhur. Nuk janë konsideruar të vlefshme si provë, objektet e gjetura në shtëpinë e Paolo Gabrieles, si pepita e artë,çeku 100 mijë eurosh dhe edicioni i lashtë i Eneides, dhuruar Papës. Konsiderohet ndërkaq, jo e drejtë këshilla e atit shpirtëror për të mohuar fajin, derisa të mos e pyeste vetë Papa, gjë që shkaktoi mospranimin e akuzës, që i bënte sekretari i Benediktit XVI, imzot Genshvein, më 21 maj. Gjykata shpjegon edhe se nuk ka mundur, për mungesë kompetencash, të thërrasë si dëshmitarë në favor të mbrojtjes së Paolo Gabrieles, dy kardinaj: Ivan Dias, ish-nunc apostolik në Shqipëri, dhe Zhorzh Mari Martin Kotiè, ish-teolog i Shtëpisë Papnore.
Ndërkaq, kryetari i Gjykatës së Vatikanit, prof. Xhuzepe dela Torre bëri të njohur dekretin, sipas të cilit, më 5 nëntorin e ardhshëm, në orën 9.00, do të fillojë seanca e parë e procesit ndaj Klaudio Sharpeletit, i akuzuar për favorizimin e Paolo Gabrieles. Gjykimi i tij u nda nga ai i kujdestarit të Papës, me vendimin e marrë më 29 shtator.








All the contents on this site are copyrighted ©.